Pamjet e rrëzimit të Enverit, operatori padit Inva Mulën

Oct 7, 2015 | 13:37
SHPËRNDAJE

Fatmir Çepani, kameramani që fiksoi në celuloid momentet e rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha, më 20 shkurt 1991, padit në Gjykatën e Tiranës sopranon me famë botërore, Inva Mulën. Në rolin e të dëmtuarit akuzues, operatori pretendon se i është shkelur e drejta e autorit nga ana e sopranos.

Inva Mula
Inva Mula

Në padinë e depozituar në gjykatë më 5 tetor të këtij viti, ai kërkon të dëmshpërblehet për dëmin e shkaktuar nga riprodhimi pa të drejtë i pamjeve të realizuar prej tij në një klip të Mulës. Padia është regjistruar me numrin 113 në gjykatë dhe ka si objekt “Riprodhim pa të drejtë i veprës së tjetrit”, dhe pritet të shqyrtohet nga gjyqtari Artan Gjermëni.

Bëhet e ditur se Çepani kërkon një dëmshpërblim prej gati 30 mijë euro, si dëm i shkaktuar nga riprodhimi e shpërndarja në publik i pamjeve dhe që sopranoja Mula të mbajë përgjegjësi penale për shkeljen e të drejtave të autorit. U bë e ditur se para se ta padiste në gjykatë përmes studios ligjore që i ka përgatitur padinë, i dëmtuari akuzues ka kërkuar ta zgjidhë me marrëveshje këtë konflikt.

Çepani ka kërkuar dëmshpërblim me marrëveshje, por pasi nuk ka marrë asnjë përgjigje, i është drejtuar gjykatës. Padia e operatorit Çepani kundër sopranos është në vazhdën e njëmbëdhjetë padive të tjera të tij kundër televizioneve të ndryshme shqiptare.

Që prej fillimit të këtij viti, ai ka depozituar padi kundër 11 televizioneve të ndryshme në vend, të cilat kanë transmetuar filmimin e regjistruar prej tij në 20 shkurt 1991. Pesë prej tyre janë pranuar nga gjykata dhe çështja ka kaluar në seancë gjyqësore. Dy prej tyre janë pushuar, ndërsa të tjerat janë ende në shqyrtim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura