Paloka flet për rrëzimin e diktaturës: Si silleshin “çunat e Tironës” me Ramën te bordura

Feb 20, 2018 | 8:21
SHPËRNDAJE

Në grevën e urisë hyri gjysmë “ilegalisht”. Edi Paloka kishte muaj më parë se 17 shkurti ’91, që ishte diplomuar si inxhinier gjeofizik. Greva ishte vetëm e studentëve dhe pedagogëve.

paloka

Pasi kishte refuzuar emërimin jashtë Tiranës, Paloka thotë për “Gazeta Shqiptare” se nxitoi para të gjithëve për të hyrë në ambientet ku u zhvillua greva, në kinoklubin e Qytetit Studenti.

Edi Paloka rrëfen për periudhën e lëvizjes për demokraci, sakrificën e madhe të studentëve, rrëzimin e bustit të bustit të diktatorit dhe njohjet me Sali Berishën dhe Edi Ramën. Me të parin e lidhin orët e para të krijimit të PD-së, me të dytin “bordura”, selia e “çunave të Tironës”…

Z.Paloka, në çfarë fakulteti studionit dhe cila ishte situata në Qytetin Studenti para grevës së urisë, që çoi në rrëzimin e bustit të diktatorit Hoxha?
Unë kam qenë në Fakultetin e Gjeologji-Minierave, studentët e të cilit qenë ndër më aktivët si në lëvizjen e dhjetorit, ashtu dhe në grevën e urisë së shkurtit ’91. Kishte ditë që në Qytetin Studenti zhvillohej një protestë e studentëve, kërkesa kryesore e të cilëve ishte heqja e emrit të diktatorit nga universiteti. Fakt është që nuk kishte asnjë reagim nga Ministria e Arsimit të asaj kohe dhe ndërkohë me gjithë përpjekjet e organizatorëve, me kalimin e ditëve, dukej sikur protesta po binte, të paktën në numra. Në ato kushte u mendua radikalizimi nëpërmjet grevës së urisë.

Përse vendosët të hynit në grevë urie?
Të them të drejtën, unë në greve hyra gjysmë “ilegalisht”, pasi nuk isha më student, isha diplomuar si inxhinier gjeofizik disa muaj më parë dhe greva ishte vetëm e studentëve dhe pedagogëve. Hyra madje përpara se të fillonte hyrja ceremoniale. Studentët ndërkohë puthnin flamurin kombëtar të vendosur tek dera pa yllin e kuq, përpara se të hynin në ambientet ku u zhvillua greva.

A kishte dijeni familja juaj për vendimin që kishit marrë dhe a ndjeheshin të kërcënuar?
Familjen e kam njoftuar pas hyrjes në greve dhe ata vinin më pas bashkë me qytetarët e tjerë në Qytetin Studenti. Nuk ka pasur në atë kohë kërcënime apo forma presioni specifike ndaj familjes sime. Ishim në një kohë kur vërtetë Sigurimi i Shtetit vazhdonte të funksiononte, kohë kur u shfaqën edhe të ashtuquajturit “vullnetarë të Enverit”, por ishim dhe tre muaj pasi ne e kishim mposhtur diktaturën, ishte shpallur pluralizmi dhe ishte themeluar Partia Demokratike, anëtar i së cilës, unë isha që në formimin e saj.

Si e kalonit kohën gjatë grevës së urisë dhe cilat ishin kryesisht bisedat që bënit së bashku?
Gjatë grevës së urisë, domethënë tri ditë aq sa zgjati, ngjarjet ishin intensive jashtë, por edhe brenda ambienteve të grevës. Ne kishim edhe një televizor ku ndiqnim lajmet, aq sa jepte Televizioni Publik Shqiptar në atë kohë. Pjesën tjetër, kur kryesisht largoheshin njerëzit që ishin gjatë gjithë ditës në Qytetin Studenti, kemi luajtur edhe me letra. Sigurisht që bisedat tona kryesore lidheshin me atë që prisnim të ndodhte: a do pranonin apo jo ta hiqnin emrin dhe çfarë mund të bënim tjetër ne…

Në atë periudhë është folur sikur z.Sali Berisha ishte kundër grevës së urisë së studentëve, si është e vërteta?
Z.Berisha dhe askush tjetër në Partinë Demokratike nuk kanë qenë kundër grevës së urisë, përkundrazi. Greva nuk mund të bëhej, nëse nuk merrte aprovimin dhe mbështetjen e Partisë Demokratike dhe Berishës. Ne që ishim në atë grevë, ishim pothuajse të gjithë pjesëtarë edhe të lëvizjes së dhjetorit dhe shumica anëtarë të Partisë Demokratike.

Dhe… cili ishte roli i Azem Hajdarit ato ditë?
Azemi ishte nga më aktivët e drejtuesve të Partisë Demokratike lidhur me kontaktet me grevën. Mbaj mend që një ditë (të dytën në mos gaboj) erdhi i entuziazmuar dhe na tha që fituam. Në fakt, ishte vendosur që do mblidhej Plenumi i Komitetit Qendror të PPSH për të diskutuar kërkesat tona. Ne bërtitëm sa u lodhëm, por më pas rezultoi që kërkesat tona nuk u pranuan.

Intervisten e plote e lexoni ne Gazeta Shqiptare ne kete link 

http://www.gsh.al/2018/02/19/rrezimi-i-diktatures-paloka-si-silleshin-cunat-e-tirones-me-ramen-te-bordura/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura