Pallati i Brigadave, rrezik uji e zjarri, duhen 500 mijë euro

Apr 14, 2015 | 16:49
SHPËRNDAJE

Në dukje një ndërtesë solide, por në të vërtetë struktura e saj rrezikohet seriozisht nga ujërat nëntokësore apo edhe zjarri, për shkak të sistemit tejet të amortizuar elektrik. Rezultatet e sondazheve i dhanë dje përgjigje kërkesës për hapjen e Pallatit të Brigadave për publikun: Po, Pallati i ndërtuar me porosi të Mbretit Zog do të hapet për publikun, por më parë ai duhet t’u nënshtrohet ndërhyrjeve shpëtuese. 

Eliminimi i burimeve të lagështirës kushton 500 mijë euro. Dhe kjo është vetëm faza e parë… Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës, në bashkëpunim me Ambasadën Italiane në Tiranë, Institutin Italian të Kulturës dhe Fondin ShqiptaroAmerikan të Zhvillimit, organizuan dje në Pallatin e Brigadave konferencën “E shkuara, e tashmja dhe e ardhmja e një trashëgimie”.

PALLATI I BRIGADAVE

Konferenca u dedikohej një prej ndërtesave më interesante në kryeqytet, ish-Pallatit Mbretëror, i cili për dekada ka qenë i mbyllur për publikun, duke iu rezervuar vetëm pritjeve qeveritare e së fundi edhe ndonjë “sebepi” më pak zyrtar.

Specialistë, arkitektë u shprehën njëzëri për domosdoshmërinë e ndë- rhyrjeve rikonstruktuese në këtë ndërtesë, përpara se ajo të bëhet e vizitueshme për publikun. Por edhe pas ndë- rhyrjeve në godinë, do të duhej një plan i menduar mirë për hapjen e saj për publikun dhe të mos jetë një aksion thjesht për të shkuar radhën.

Për ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro, në Shqipëri nuk e kemi luksin që ndërtesa të tilla t’i mbajmë të mbyllura. Sipas saj, ajo duhet të jetë e vizitueshme për publikun, madje të jetë pjesë e guidave turistike, por kjo duhet bërë mbi bazën e një studimi të mirëfilltë.

“Do ta hapim në mënyrë që të mos jetë thjesht një shfaqje, por një qendër funksionale arti, kulture, turizmi, aktiviteti social dhe ekonomik. E gjitha kjo duhet të bëhet në bazën e një studimi. Kemi një vit që punojmë për të arritur në fazën e parë, tani hymë në të dytën për përgatitjen e konkursit ndërkombëtar për projekte zhvillimore për jetë- simin e Pallatit të Brigadave.

Natyrisht që kjo do kohën e vet, sepse nuk bëhet fjalë për një apartament, por për një pallat gjigand”, u shpreh ministrja Mirela Kumbaro. Sipas Michael Granoff, drejtues i Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, ndërtesa ka nevojë për ndërhyrje të menjëhershme për të frenuar dëmtimin e mëtejshëm të ndërtesës, çka do të thotë se nuk ka kohë për të humbur. “Ky është një shembull shumë i mirë se çfarë mund të bëhet me trashëgiminë kulturore.

Një ndërtesë si kjo duhet të kthehet në një mekanizëm të gjallë që njerëzit duhet ta shohin. Trashëgimia kulturore ka rolin e saj në zhvillimin ekonomik”, tha Granoff, duke shtuar se me shpresë punimet për fazën e parë të ndërhyrjeve do të nisin përpara dimrit.

ANALIZAT

Analizat dhe sondazhet në ndërtesën e Pallatit të Brigadave, ndërtuar mes viteve ’30-’40 nga arkitektët italianë Giulio Bertè dhe Gherardo Bosio, u realizuan nga Instituti i Monumenteve të Kulturës në bashkëpunim me “Centro Nazionale della Ricerca” (Qendrës Kombëtare të Kërkimit). Sipas drejtores së IMK-së, Arta Dollani, të gjitha aparaturat për kryerjen e analizave janë sjellë nga ekspertët italianë të Qendrës Kombëtare Kërkimore të Firences, që kanë si objekt studimi të tilla objekte monument kulture.

“Nga ky diagnostikim doli gjithë gjendja e Pallatit të Brigadave, që kërkon patjetër ndë- rhyrje për të eliminuar dëmtimet e mëtejshme”, u shpreh Dollani. Edhe pse ende nuk është hartuar një plan ndë- rhyrjeje, sipas drejtores së IMK-së, “nuk flitet për tjetërsime strukturale, por vetëm përmirësim të dëmtimeve që ka pallati. Idetë janë nga më të ndryshmet dhe, në konkursin që do të zhvillojmë, do mbledhim ide dhe plane zhvillimi. Ende nuk është përcaktuar data kur do të zhvillohet konkursi, por mendohet të ndodhë sa më shpejt. Në nëntor pritet të nisë përmirësimi i strukturës, pra projekti i ndërhyrjeve për të eliminuar dëmtimet”.

NGA ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura