Pakti PS- LSI, nuk rikandidohen bashkiakët me 3 mandate. Ja kush penalizohet

Feb 24, 2015 | 21:09
SHPËRNDAJE

Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë vijuar negociatat për kandidatët e tyre të përbashkët për zgjedhjet vendore të 21 qershorit.

Rama e Meta

Pritet që në negociata të përfshihen dhe deputetë nga të dy partitë, përveç kryetarëve Rama dhe Meta. Pas dorëheqjes së djeshme të Artan Shkëmbit, Partia Socialiste dha mesazhin se ata kryebashkiakë që kanë tri mandate në krye të bashkive të tyre nuk do të rikandidohen duke ua lënë vendin kandidatëve të rinj.

Në disa nga këto bashki ku kryetari ka 12 vjet si i zgjedhur, pritet që të kemi kandidatë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, siç janë Bashkia e Beratit, Fierit dhe Pogradecit, ndërsa Vlora mbetet e paqartë. Ndërsa Partia Socialiste ka kërkuar të ketë kandidatët e saj në Bashkinë e Tiranës, Elbasanit, Durrësit, Korçës, Gjirokastrës.

Por Kryeministri Rama dhe kryetari i Kuvendit Meta kanë vendosur që Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet të ketë kandidatët e saj të mbështetur nga maxhoranca në tri bashki, në Rrogozhinë, Konispol dhe Patos. Pas përfshirjes së kësaj partie të koalicionit të djathtë në diskutimin dhe votimin e hartës së re territoriale, duke pranuar amendimet e saj në minutën e fundit, zgjedhjet vendore do të vulosin bashkëpunimin e maxhorancës me PDIU-në të paktën gjatë këtij mandati.

Koalicioni qeverisës, edhe sipas marrëveshjes gjatë diskutimit të hartës së re territoriale, ka lënë dy zona të pastra për minoritetin grek, Bashkinë e Finiqit dhe Dropullit dhe Bashkinë e Pustecit për minoritetin etnik maqedonas në qarkun e Korçës. Duket që 30 partitë e tjera të koalicionit të majtë që fitoi zgjedhjet më 23 qershor 2013 nuk do të përfaqësohen me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet lokale dhe gara e tyre do të bëhet vetëm për këshilltarët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura