Pakti për Universitetin/ “Premtimet e qeverisë nuk u realizuan fare”- Edmond Çata: Për plagjiaturat asnjë rezultat

Nov 3, 2019 | 12:48
SHPËRNDAJE

Teksa po bëhet një vit nga protesta masive e shoqëruar më pas me një plan masash nga ana e qeverisë, studiuesi Dr. Edmond Çata thotë se asnjë premtim në këto masa nuk është realizuar. Midis premtimeve të kryeministrit Edi Rama ishin edhe vendmet për plagjiaturat, por Çata thotë se edhe në këtë drejtim nuk ëpshtë marrë asnjë masë.

edmond-cata

SA MENDONI SE ËSHTË ZBATUAR DERI TANI PAKTI PËR UNIVERSITETIN?

Pakti për Universitetin premtoi veprime konkrete në aspektin financiar, akademik, dhe studentët. Premtimet u tha se do realizoheshin deri në Qershor 2019. Sot, në fund të 2019 mund të thuhet se premtimet ose nuk janë realizuar fare, ose janë “realizuar” me ndonjë kleçkë nga pas. Në aspektin Financiar, ndonëse Rama premtoi rritje të buxhetit, ky nuk është rritur. Në 10 Tetor 2019, Revista Monitor raportonte jo rritje, por reduktim të buxhetit për arsimin e lartë me 2.5 milionë Euro (www.monitor.al/qeveria-shkurton-fondet-per-arsimin-e-larte-2-5-mln-euro-me-te-uleta-se-vjet/).

Në aspektin Akademik, Rama premtoi adresimin e problemeve me tekstet, mësimdhënien, punimet shkencore, titujt akademikë, dhe kërkimin shkencor. Miratoi një numër VKM për performancën e pedagogëve, plagjiaturat, dhe kërkimin shkencor. Vlerësimin e pedagogëve ia ngarkoi ASCAL-it, që do të kryente Sondazhin Kombëtar të Studentëve dhe në Qershor do raportonte çfarë mendonin studentët për pedagogët, për cilësinë e mësimdhënies së tyre, dhe për kërkimin shkencor! Verifikimin e plagjiaturave dhe titujve akademike ia ngarkoi Ministrisë së Arsimit. Deri në Shkurt 2019 do ngriheshin grupet e punës për të bërë vlerësimin e plagjiaturave dhe të titujve.

Në Qershor 2019 do raportoheshin gjetjet dhe do tju dërgoheshin universiteteve. Brënda 90 ditëve universitetet duhej të merrnin vendime për punimet plagjiaturë dhe gradat shkencore të fituar përmes tyre dhe ti raportonin Ministrisë së Arsimit. Ndërsa vlerësimin e cilësisë së kërkimit shkencor ia ngarkoi pjesërisht studentëve (përmes Sondazhit) dhe pjesërisht Akademisë së Shkencave (përmes Kodit të Kërkimit Shkencor dhe Ligjit të Ri për ASH).

Deri më sot vetëm ASCAL ka realizuar sondazhin. Ndërsa për plagjiaturat, titujt akademik, dhe kërkimin shkencor nuk ka asnjë rezultat konkret. Ndonëse këto të fundit janë edhe më të rëndësishme se buxheti apo tarifat sepse lidhen direkt me arsimin cilësor dhe cilësinë e universiteteve dhe kërkojnë edhe guxim pikërisht për përmasat masive që kanë! Ne mbetemi të vetmit në botë ku plagjiarizmi gëlon i pandëshkuar; ku titujt akademikë shpërndahen si karamele dhe as që iu afrohen në përmbajtjen dhe vërtetësinë e tyre titujve akademikë që përdor bota; ku kërkimi shkencor reflekton problemet sa të modelit shqiptar të shkollimit doktoral aq edhe të vlerave, mendësisë, dhe pregatitjes metodologjiko-shkencore të individit, qoftë ai student doktorant, udhëheqës shkencor apo oponent shkencor! Dhe gjasat janë që të mos kemi as rezultate, as ndryshim të gjëndjes! Qoftë për shkak të mungesës së vullnetit të Ramës për ti rënë në kokë problemit, qoftë për shkak të rrugëve të gabuara që Rama ka zgjedhur në marrjen me këto fenomene negative.

Deri më sot Rama nuk është marrë me zemrën e problemit por i ka rënë rreth e rrotull luftimit të këtyre fenomeneve akademike. Zgjidhjen e problemeve me cilësinë e Punimeve Shkencore dhe Titujve Akademikë Rama e ka barazuar me krijimin e arkivit dixhital të doktoraturave dhe verifikimin e “kritereve të ligjshmërisë”, specifikisht, sa doktorantë udhëheq një profesor, për sa kohë është lëshuar një titull, apo sa botime janë marrë parasysh kur janë lëshuar titujt “Profesor i Associuar” apo “Profesor”. Kjo është rruga e gabuar! Që nuk zgjidh problemin por krijon kushte për ndëshkim selektiv.
Është e vërtetë që ka patur shkelje kriteresh, por zemra dhe zgjidhja e problemit nuk mund të reduktohet tek “kriteret”. Lëshimi i një titulli Master, Doktor, Profesor i Asociuar, apo Profesor, më shumë se çështje “kriteresh ligjore” është çështje standartesh profesionale dhe morali akademiko-shkencor. Kushdo që mban në mënyrë të pamerituar një Titull Akademik, ai e mban në mënyrë të pamerituar atë jo thjesht se janë shkelur ca kritere apo janë përdredhur ca rregulla kur i është dhënë titulli! Një Titull Akademik nuk quhet se mbahet në mënyrë të merituar më së pari kur personi titull-mbajtës ose nuk justifikon profesionalisht marrjen e tij, ose i mungon plotësisht pregatitja profesionale, metodologjiko-shkencore që kërkon dhe nënkupton titulli. Nuk mund të mbajë titullin Doktor apo Profesor dikush që jo vetëm ka bërë plagjiaturë, por nuk ia ka haberin fare veglave dhe proceseve të kryerjes së kërkimit shkencor!

Se në çfarë shkalle i mungon një titull-mbajtësi pregatitja profesionalo-shkencore, këtë gjë, sidoqoftë, nuk ka qeveri në botë ta bëjë! Një vlerësim i shkallës dhe kredencialeve të pregatitjes profesionalo-shkencore, një gjë “sui generis” në natyrën e vet, as nuk është, as nuk mund të bëhet tagër i një qeverie dhe burokratëve të saj në kryeministri apo Ministri të Arsimit! Vlerësimi i kredencialeve, pregatitjes metodologjiko-shkencore, punës kërkimore-shkencore, dhe produktit shkencor, si kushti bazë për fitimin e një Titulli Akademik, në të gjithë kohërat, vendet, komunitetet shkencore, dhe shoqëritë normale ka qënë dhe mbetet tagër i njerzve dhe strukturave me pregatitje metodologjiko-shkencore, kredibilitet profesional, moral dhe integritet të panjollosur, rigorozitet shkencor dhe besnikëri vetëm ndaj të vërtetës dhe standarteve shkencore! Prandaj, pa një katharsis në dimensionin profesionalo-shkencor të të gjithë tituj-mbajtësve, nuk ka vlerë asnjë verifikim në dimensionin e kritereve ligjore!!! Një qeveri mund të krijojë kushte dhe mbështesë financiarisht njerëz dhe struktura profesionale që këta të kryejnë këtë vlerësim të kredencialeve profesionalo-shkencore të tituj-mbajtësve në komunitetin akademiko-shkencor shqiptar por nuk mund ta bëjë këtë gjë vetë kurrsesi as me VKM, as me burokratët e saj të Ministrisë së Arsimit!

Shkurt, premtimet e Ramës ndaj studentëve, në kuadër të Paktit për Universitetin, për përballje me tre fenomenet e mësipërme mbeten të parealizuara! Nuk ka asnjë rezultat të prekshëm! Sepse në të vërtetë Rama asnjëherë nuk e ka patur seriozisht përballjen me fenomenin e pseudo-profesorit dhe pseudo-shkencëtarit që po kanë mbytur dhe vazhdojnë të mbysin jo vetëm kërkimin e vërtetë shkencor por edhe institucionet e arsimit të lartë, mësimdhënien, dhe cilësinë e arsimit!

SHPESH HERË STUDENTËT ANKOHEN PËR KUSHTE TË KËQIJA NË KONVIKTE, NË NJË KOHË QË INSTANCAT PËRKATËSE TRUMBETOJNË RIKONSTRUKTIMIN E GODINAVE. A JANË KËTO RREGULLIME FASADË?

Suvatimi ose ribojatisja e godinave egzistuese është gjëja më e lehtë për tu bërë. Edhe nëse pas 5 vjetësh suvaja e re bie, dhe boja zverdhet, qeveria e ditës i fut përsëri një “rinovim”. Por veprime të tilla mund të nxjerrin nga situata qeverinë e ditës, sot atë të Ramës, por nuk sjellin ndryshime rrënjësore. Sfida e vërtetë mbetet ideja e “kampusit universitar”. Sepse materializimi i saj mund tu jepte zgjidhje problemeve të vjetra me konviktet, godinat, biblotekën, infrastrukturën, rrugët, apo ambjentet universitare. Rama ka firmosur një urdhër për ngritjen e grupit të punës për korpusin universitar të Tiranës. Deri tani, nuk ka asnje prononcim publik ku mendohet të ndërtoheshe kampi universitar. Dhe nuk besoj se do të kemi ndonjë propozim konkret. Sepse nuk është e kollajshme në Tiranën e sotme, ku nuk ka mbetur e lirë ndonjë haptësirë e mjaftueshme për një kampus universitar. 10-15 vjet më parë disa pjesë të Tiranës mund të kishin plotësuar të gjithë parametrat për kampus universitar. Por në kushtet e sotme të Tiranës së betonizuar çdokush që merr përsipër të flasë për kampus universitar ka më shumë gjasa të gënjejë sesa kthejë këtë ide në realitet konkret!

SI I VLERESONI KURRIKULAT E PËRDORURA NË UNIVERSITETE? A KA PARREGULLSI, APO DHE PËRKTHIME BRUTO PA U SHQIPERUAR?

Kurrikula janë një nga treguesit e profesionalizmit të stafi akademik, sa e njohin hartuesit nga ana akademike një fushë specifike, dhe si e adoptojnë informacionin në kontekstin e arsimimit në Shqipëri. Problemet me kurrikulat tona janë dy: në raport me studentin, dhe në raport me qeverinë. Në raport me studentin, problemi i kurrrikulave është njëllojshmëria e tyre. Kurrikulat nga një universitet në tjetrin nuk ndryshojnë pavarësisht cilësisë së studentit dhe institucionit. Kjo sepse hartuesit e kurrikulave të një institucioni thjesht adoptojnë (lexo vjedhin) kurrikulën e një institucioni tjetër. Në raport me qeverinë, problemi i kurrikulave është ngurtësia e përmbajtjes ose mosndryshimi i tyre. Qeveria, duke luajtur rolin e “lojtarit” që di dhe vendos ajo çfarë është e mire dhe jo për universitetet, çfarë iu duhet lejuar ose jo universiteteve të bëjnë, iu ka vënë limite universiteteve në raport me përmbajtjen dhe ndryshimin e tyre. Shpesh hartuesit e tyre, për të fshehur edhe amatorizmin, ose hajdutësinë e tyre, e justifikojnë problemet me cilësinë e kurrikulave të tyre me mbikqyrjen që qeveria iu bën universiteteve qoftë për përmbajtjen, qoftë ndryshimin e kurrikulave.

SA PRAKTIKA BËJNË STUDENTËT SHQIPTARË? A KA LABORATORË DHE A OFROHEN KUSHTET E PËRSHTATSHME PËR TË ZHVILLUAR MËSIM?

Sa i aftë do të rezultojë një student supozohet se varet nga shkalla e praktikimit të aftësive në jetën reale – në një njësi shëndetësore, zyrë juridike, shërbime administrative apo kontekste të tjera. Por sado kështu, aftësimi nis nga auditori dhe infrastrukura e brëndëshme që përfshin që nga laboratorët e deri tëk zyra të tjera të natyrave të ndryshme. Audioret tona përgjithësisht mbeten në nivelin e dërrasës së zesë dhe shkumësit. Teknologjia e Komunikimit shpesh është difektoze dhe jo e rehatshme në përdorim. Laboratorët vazhdojnë të reflektojnë nivelin dhe cilësinë e investimeve ndërsa praktikat e studentëve reflektojnë problemet me mendësinë dhe funksionimin e tregjeve në Shqipëri, të cilat nuk funksionojnë mbi bazën e konkurrencës, ofertë-kërkesës, vlerësimit të aftësive, stimulimit të më të aftit por mbi parime të tjera.

SA EKZISTON KORRUPSIONI NE UNIVERSITETE? A KA RASTE KU PEDAGOGËT KËRKOJNË EDHE FAVORE SEKSUALE NË KËMBIM TË NOTËS?

Rasti më i fundit në Universitetin e Elbasanit tregon prezencën në marrëdhëniet student-pedagog të problemeve të natyrës seksuale apo korruptive. Por më e rëndësishme se “gjetja” se paskemi situata të tilla, është identifikimi i shkaqeve të tyre dhe ç’bëjnë universitetet për tu përballur me to. Kemi parë drejtuesit e universiteteve të reagojnë kur rastet janë bërë publike por nuk dimë nëse universitetet kryejnë studime të brëndëshme për të njohur shkaqet që çojnë në marrëdhënie të deformuara student-pedagog. Universitetet tona, të vogla apo të mëdha, publike apo private shfaqen problematikë pasi pak prej tyre, për të mos thënë asnjëri, nuk shpenzon para për të njohur vetveten, për të “dokumentuar” të djeshmen, për ta ravijëzuar të ardhmen mbi informacion dhe të dhëna të dokumentuara!

CILAT JANË DISA NGA PROBLEMATIKAT KRYESORE TE STUDENTEVE SHQIPTARE?

Ndonëse jo më kryesorja, ulja e kostos së shkollimit ishte një nga kërkesat e protestës studentore. Nisur nga kjo, Rama tentoi ta reduktonte protestën në thjesht çështje tarifash. Vetë Pakti për Universitetin ka për strumbullar uljen e tarifave dhe veprimet më konkrete Rama i ka bërë vetëm në zërin “tarifa”. Po ashtu, ditët e fundit një sondazh i Qëndrës Gjermane për Arsimin e Lartë thoshte se 73% e studentëve shqiptarë kanë vështirësi financiare. Që financimi i shkollimit është një hall për studentin shqiptar, kjo është e vërtetë. Por ai nuk është kryesori! Slogani qëndror i protestës studentore ishte “arsim cilësor”. Nëse Rama e shkarkoi Lindita Nikollën, këtë nuk e bëri as ngaqë ia sugjerova unë, as për shkak të tarifave. E shkarkoi pikërisht prej të gjithë atyre problemeve që studentët, në mënyrë aq inteligjente dhe të zgjuar, i kishin sintetizuar në dhjetra pankarta dhe forma grafike që shpalosën para Ministrisë së Arsimit dhe Kryeministrisë në ato ditë dhjetori të 2018!

Personalisht mendoj se studenti shqiptar përballet në universitetet shqiptare jo vetëm me koston e studimeve, cilësinë e infrastrukturës dhe shërbimeve, përfaqësimin, politikat dhe praktikat institucionale, por para së gjithash me cilësinë e stafit akademik dhe të mësimdhënies, përmbajtjen dhe kulturën problematike në marrëdhëniet me pedagogët dhe drejtuesit. Sot ata vazhdojnë të kenë në përballë në auditorë të njëjtët persona për të cilët ngritën zërin dhe i demaskuan ose si predatorë seksualë, ose si të paaftë akademikisht për të qënë pedagogë të tyre, ose si të korruptuar që ju kërkojnë para në këmbim të notës kaluese, ose të infektuar në mënyrë të pashërueshme nga virusi i nepotizimit, klientelizmit politik, abuzuesit dhe hajdutit financiar. Deri më sot, nuk ka asnjë masë, asnjë të ndëshkuar, asnjë ndryshim! Ndaj, pa iu futur me bisturi një operacioni pastrues, studentët do vazhdojnë të përballen me të njëjtat probleme dhe ideja e një arsimi cilësor dhe universiteti modern do mbetet vetëm një togëfjalësh gazetash.

SHUMË DEGË NË RRETHE PO MBYLLEN. JU SI EKSPERT ARSIMI SI E VLERESONI RRITJEN E MESATARES SË PRANIMIT NË UNIVERSITETE, A NDIKOI NEGATIVISHT DHE SOLLI ZBRAZJEN E AUDITOREVE?

Unë besoj se sistemi i universiteteve publike ka nevojë për një ristrukturim. Në Shqipëri universitetet në vënd të karakterizohen nga një mision specifik dublojnë njëri-tjetrin. Psh Shkencat e Natyrës i ofron edhe Universiteti i Tiranës, edhe universitete të tjera. Po ti krahasosh çfarë ofrojnë, me ç’staf, dhe si i ofrojnë, gjen dallime të rëndësishme.” Kohët e fundit një sondazh i “Qëndresa Qytetare” “vuri alarmin” në media për mbylljen e një numri degësh në disa universitete ku Universiteti i Gjirokastrës ishte një shëmbull ilustrues. Ora News qe një ndër kanalet televizive që nxitoi ta etiketonte këtë fakt si diçka negative! Personalisht nuk më shqetëson aspak fakti nëse degë të caktuar në një universitet mbyllen se nuk ka studentë. Shpjegimi më i thjeshtë mund të gjendej tek kombinimi i dy realiteteve: i cilësisë së dobët të asaj që ofron universiteti, dhe i zgjedhjes racionale që bën studenti duke kërkuar një ofertë më të mirë diku gjetkë. Universitetet publike kanë nevojë të vihen në konkurrencë, në mënyrë që ose të ofrojnë diçka më të mirë, më cilësore, ose të dalin jashtë tregut. Deri tani kjo nuk ka ndodhur sepse të gjithe universitetet publike financohen në masën më të madhe nga paratë e taksapaguesve dhe kësisoj nuk e vrasin edhe aq shumë mëndjen nëse janë apo jo cilësore, si dhe sa cilësore janë ato çfarë ofrojnë.

Nga ana tjetër unë nuk besoj se rritja e mesatares ka boshatisur auditorët. Mund të mos jem dakort me mënyrën dhe konceptimin se si qeveria Rama e ka përdorur mesataren si instrument, por nuk mendoj se përdorimi i mesatarës dëmton cilësinë. Problemi me universitetet tona është se mesatarja ka vlerë dhe e gjithë lufta bëhet vetëm “për tu futur” në universitet. Me tu futur në universitet historia e “mesatares” si instrument mbaron! Në USA, një studenti nuk i duhet mesatarja vetëm për tu futur në universitet. Edhe kur ai pranohet student, gjatë studimeve duhet të ruajë një nivel të caktuar mesatare. Nëse nuk e bën këtë gjë, ai ose vihet në provë, ose i mohohet ndihma financiare, ose thjesht i thuhet “i dashur, liro vendin se nuk je për universitet!”. Në universitetet shqiptare këto gjëra as që çohen nëpërmënd. Ca sepse çdo politikë kërkon firmën dhe vulën e Ministrisë së Arsimit, ca sepse vetë drejtuesit e universiteteve janë mbyllur në zyrat e tyre dhe as që iu shkon në mënd të tentojnë të aplikojnë elementë të rinj për tu përballur me problemet e performancës dhe cilësisë së pregatitjes së studentit shqiptar. Ajo që ndodh është që në universitetet shqiptare, të gjithë ata që hyjnë, të latuar apo trungje, që të gjithë mbarojnë universitetin dhe marrin diplomë. Dhe ndoshta pikërisht pse ndodh kështu, pa edhe diplomat e universiteteve shqiptare janë aq problematike!

CILAT JANË ZGJIDHJET QE PROPOZONI PËR PËRMIRËSIMIN E SITUATËS NË UNIVERSITETET SHQIPTARE?

Në mënyrë më gjithë përfshirëse, ndryshimin e situatës në universitetet shqiptare e kam përmbledhur në shkrimin në Gusht 2019, për një qasje të re të arsimit të lartë dhe universitetin (www.panorama.com.al/propozime-konkrete-per-nje-qasje-te-re-per-arsimin-e-larte-dhe-universitetin/ ) por në mënyrë më specifike, unë besoj se universiteti duhet të merret me vetveten duke bërë këtë gjë së pari me cilësinë e stafit akademik dhe përmbajtjen dhe cilësinë e proceseve dhe praktikave akademike që praktikon. Pa bërë një vlerësim dhe catharsis të cilësisë së atyre që pretendojnë se përfaqësojnë dhe i japin jetë përditë universitetit si institucion, nuk mund të pretendohet të ndodhë ndonjë ndryshim apo përmirësim I situatës në universitetet shqiptare. Siç kanë kaluar 25 vjet pa ndryshim thelbësor që nga koha kur unë isha student, ashtu mund të kalojnë përsëri edhe 25 vite të tjera pa ndryshime thelbësore, me po të njëjtët njërëz, praktika, mendësi, rezultate!

SA AUTONOME JANE IAL SHQIPTARE?

Kam dëgjuar shumë herë, nga shumë vetë, të flitet për “Autonomi” apo “Pavarësi” të universitetit apo cënim të saj. Në vështrimin tim asnjë universitet në Shqipëri nuk ka as pavarësi, as autonomi. Sepse esenca e autonomisë ka të bëjë me faktin kush është autoriteti që ka fjalën e fundit në vendim-marrrje. Në Shqipëri, fjala e fundit në vendim-marrje ka qënë dhe vazhdon të mbetet me Ministrinë e Arsimit. Qe do të thotë se qeveria dhe universitetet nuk i karakterizon statusi i barazisë në raport me njëri-tjetrin por ai i varësisë. Që në momentin kur universiteti dhe titullarët e tyre iu duhet të “konsultohen” në rastin më të mirë apo “presin urdhërin” në rastin më të keq nga Ministria, nuk mund të flitet për autonomi por për marrëdhënie varësore.

Ajo që e ilustron akoma edhe më shumë statusin e të varuri që universiteti në Shqipëri ka ndaj qeverisë janë ndërhyrjet dhe përcaktimet që qeveria ju bën universiteteve për të gjitha çështjet nga ato financiare deri tek ato akademike. Të gjithë ligjet e arsimit të lartë gjatë këtyre 30 vitet e fundit kanë pretenduar se i kanë dhënë më shumë autonomi universitetit. Asnjëri prej tyre, përfshi ligjin Rama-Nikolla nuk e ka bërë këtë gjë. Ligjet kanë rritur numrin e neneve dhe ndonëse me fjalë kanë “njohur” autonominë e universiteteve, vetë numri në rritje i neneve nga ligji në ligj ka simbolizuar ndërhyrjen dhe mosnjohjen universiteteve të atyre kompetencave që normalisht janë tipike për universitetet si institucion.

Ligji më i fundit Rama-Nikolla nuk iu jep universiteteve autonomi siç edhe është pretenduar përkundrazi i ka zënë ato akoma më keq për fyti. Ligji Rama-Nikolla i arsimit të lartë tenton të fusë koncepte të reja por e bën këtë duke i vëshur ligjit tiparet dhe funksionin e një statuti; pra e bën këtë duke degraduar statusin e ligjit si instrument juridik dhe duke i hapur funksionimit të universiteteve si institucion një mori problemesh për shkak të futjes së tyre në paradhomën pritëse të “akteve nënligjore”.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura