Pakti me Greqinë/ Bushati: Pse nuk i tregoj Metës emrat e negociatorëve

Feb 20, 2018 | 8:47
SHPËRNDAJE

ARISTIR LUMEZI/ Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, tha se është ai që jep plotfuqishmërinë për grupin negociator, ndërsa nga Presidenti Meta ka kërkuar vetëm autorizim.

bushati

I ftuar në “5 pyetje nga Babaramo”, Bushati tha se “ligji për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare ka ndryshuar mbi bazën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje”.

325885_m“Ky ligj ka dy momente; momenti i parë është ai i autorizimit, që ministri i Jashtëm duhet të marrë nga Presidenti i Republikës për marrëveshje shtetërore. Plotfuqishmëria më pas lëshohet nga ministri i Jashtëm, pasi të ketë marrë më parë autorizimin e Presidentit. Nga Presidenti i Republikës kam kërkuar autorizim për nisjen e punës në planin teknik. Bisedimet e deritanishme kanë pasur si qëllim vendosjen e besimit mes palëve, më pas fillon puna teknike”, tha ministri Bushati.

Duke iu përgjigjur komenteve të bëra për rolin që Presidenti i Republikës duhet të ketë në këto negociata, Bushati tha se kreu i shtetit njihet dhe miraton negociatat hap pas hapi.

“Unë pres autorizimin nga Presidenti i Republikës, unë do t’i lëshoj plotfuqishmërinë grupit të punës. I kam dërguar Presidentit të Republikës platformën e negociatave të ardhshme me Greqinë, objektivat që ne synojmë të arrijmë, rezultatin e pritshëm në fund të negociatave. Sipas ligjit, pasi mbyllet procesi i negocimit, Presidenti i Republikës duhet të më japë autorizim mua si ministër i Jashtëm për të lëshuar plotfuqishmërinë për firmosjen e marrëveshjes. Në këtë moment të dytë procedural, por shumë të rëndësishëm, Presidenti i Republikës ka mundësi të vlerësojë autorizimin e parë, nëse platforma dhe pritshmëritë e objektivat janë arritur me marrëveshjen që ka përpara. Më pas firmoset marrëveshja, ratifikohet në Kuvend dhe i shkon përsëri Presidentit për ta dekretuar ose jo. Marrëveshja kalon tri herë nga zyra e Presidentit”, tha Bushati.

Ministri i Jashtëm pranoi faktin që ka marrë një letër nga Presidenti Meta ku kërkohet informacion shtesë për negociatat dhe u shpreh i gatshëm për t’i dhënë kreut të shtetit çdo informacion që kërkon.

“Kam marrë letrën nga Presidenti, ku kërkon informacion shtesë. Unë kam pasur një konsultë me Presidentin e Republikës para se t’i dërgoja letrën për autorizim. Unë e kam detyrim që t’i jap shpjegime Presidentit të Republikës se ma detyron detyra. Është krejt normale që nëse Presidenti i Republikës ka nevojë për informacione shtesë, t’ia japë këto informacione në rrugë shkresore. Unë jam në dispozicion të Presidentit të Republikës për shkak të funksionit që ka dhe të detyrës që mbaj”, tha Bushati.

Ai përshëndeti procesin e konsultimeve që Presidenti Meta ka zhvilluar me paraardhësit e tij. “Përshëndes procesin e konsultimeve që Presidenti Meta ka ndërmarrë me ish-presidentët dhe ish-Kryeministrin Berisha. Është një proces i shëndetshëm dhe shpresoj se i ka dhënë më shumë argument Presidentit për mbarëvajtjen e këtij procesi”, tha Bushati.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura