Pakti detar me Greqinë, Bushati i përgjigjet Metës: Habitem me Presidentin…

Oct 5, 2018 | 9:50
SHPËRNDAJE

 

ARISTIR LUMEZI  Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i kërkoi Presidentit të Republikës që, për diferenca në qëndrime të mos diskutojë në media, por në rrugë zyrtare me të. I pyetur nga gazetarët lidhur me deklaratat e kreut të shtetit rreth negociatave që po zhvillohen mes Shqipërisë dhe Greqisë për kufirin detar, ministri i Bushati tha se nuk mund të tregojë në publik qëndrimet e ndryshme që ai ndan me Presidentin. Sa u takon mosmarrëveshjeve me Presidentin, për të cilat dje në një intervistë për “Zërin e Amerikës” kreu i shtetit Ilir Meta tha se ka pasur disa, Bushati u përgjigj: “Në momentin që do të përfundojë e gjithë puna teknike që po zhvillohet nga ekspertët, dosja natyrisht do të dorëzohet pranë Presidentit të Republikës.

Ditmir Bushati

Ekipi i ekspertëve do të bëjë vlerësimin përfundimtar mbi përputhshmërinë e asaj që do të jetë arritur me mandatin që ka lëshuar Presidenti i Republikës për këtë çështje. Prandaj, pikëpamje të ndryshme kanë liri të plotë institucionale për t’i trajtuar vetëm në mënyrë institucionale dhe në asnjë moment në kanale të tjera informative.

Më habit që Presidenti i Republikës në këtë pikë ka ndryshuar qëndrim, por në fund të ditës, kush jam unë të gjykoj të parin e shtetit, unë jam thjesht një ministër”, tha ministri Bushati gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me ministren për Europën të Austrisë, Karin Kneissl, në Tiranë. Sipas ministrit Bushati, Presidenti i Republikës do të ketë të gjithë kohën dhe të drejtën kushtetuese që të njihet me marrëveshjen e re mes Greqisë dhe Shqipërisë. “Besoj se është e njohur për të gjithë opinionin publik historiku i kësaj çështjeje.

bushati meta

Në gjykimin tonë është e rëndësishme që kemi arritur të riulemi sërish me palën greke në tryezën e bisedimeve si të barabartë për të gjetur një zgjidhje, e cila do të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe detyrimet kushtetuese dhe legjislacionet në dy vendet respektive. Në këtë kontekst, do të ishte e pamatur nga ana ime që të ndaja me ju opinione në lidhje me mosmarrëveshje apo qëndrime të ndryshme që mund të kemi për këtë çështje me Presidentin e Republikës.

E kam thënë dhe i mbetet të njëjtit qëndrim. Në këtë proces, Presidenti i Republikës ka dhënë autorizimin siç përcakton Kushtetuta dhe ligji për mua si ministër i Jashtëm. Unë kam lëshuar plotfuqishmërinë bazuar mbi autorizimin e Presidentit të Republikës për ekipin negociator. Negociatat nuk kanë përfunduar. Nëse do të përdorim një shprehje popullore, ‘nuk mund të bëjmë dasmë nëse nuk kemi çiftin’”, tha Bushati.

bushati_meta

“Negociatat nuk kanë përfunduar. Nuk mund të bëjmë dasmë nëse rast se nuk kemi çiftin. Derisa negociatat nuk kanë përfunduar, ne jemi pjesë e një ekipi, siç është dhe presidenti. Pikëpamjet e ndryshme kam fuqinë institucionale për të drejtuar në rrugë institucionale. Më habit që presidenti ka ndryshuar qëndrim, por kush jam unë që ta gjykoj të parin e shtetit”, tha Bushati gjatë konferencën me homologen austriake.

Meta: Me Bushatin kam pasur disa mosmarrëveshje

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, kërkon që marrëveshja e kufijve me Greqinë të kalojë në Parlamentin shqiptar vetëm kur të kemi një Gjykatë Kushtetuese funksionale. Duke folur për “Zërin e Amerikës” me gazetarin Arben Xhixho, kreu i shtetit tregon dhe dakordësinë që ka pasur me Kryeministrin Rama për këtë marrëveshje, por dhe divergjencat me ministrin e Jashtëm, Bushati. “Me Kryeministrin Rama kemi pasur një dakordësim të plotë. Kemi pasur disa mosmarrëveshje me ministrin Bushati për këtë çështje. Dhe ia kam bërë të qartë Kryeministrit që ai, në rast se ai është i bindur se është tërësisht e mundur për t’u finalizuar një marrëveshje e tillë, ai do të ketë autorizimin nga ana ime, si Kryeministër, por edhe si shef i maxhorancës, – sepse është një marrëveshje që duhet të kalojë në Parlament, – por natyrisht ia kam bërë të qartë dhe më duhet ta them edhe këtu, se është shumë e rëndësishme që një marrëveshje e tillë duhet të ratifikohet në Parlament në një moment kur Shqipëria të ketë një Gjykatë Kushtetuese funksionale. Përndryshe, kjo nuk do t’i shërbente mbarëvajtjes dhe përmbylljes përfundimtare të kësaj çështjeje në interes të të dy vendeve”, u shpreh Presidenti i Republikës. Sipas tij, marrëveshja me Greqinë është shumë delikate. “Dua të them që unë kam bërë përpjekjet e mia maksimale në mënyrën më konstruktive për t’i kontribuuar zgjidhjes së drejtë të kësaj çështjeje dhe jo ndërlikimit të mëtejshëm të saj. Sepse kjo është një çështje delikate te ne, por është një çështje delikate edhe në Greqi, kështu që kam bërë gjithçka”, tha kreu i shtetit.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura