“Paktet” mes bizneseve, kush spiunon i ulen gjobat

Jun 26, 2015 | 14:19
SHPËRNDAJE

Bizneset që operojnë në të njëjtin sektor jo rrallëherë hyjnë në marrëveshje me njëri-tjetrin duke sjellë kështu deformim të tregut në dëm të interesit të konsumatorit.

Në këto kushte, Autoriteti i Konkurrencës i është bashkuar nismës që më herët kanë marrë institucione homologe në vende të ndryshme, duke hartuar një program për lehtë- simin e gjobave. Por çfarë është në fakt një program i tillë? Në dokumentin e konkurrencës sqarohet edhe çfarë u garantohet bizneseve që duke qenë në brendësi të marrëveshjes së ndaluar, sërish e denoncojnë atë.

PROGRAMI

Zbulimi i karteleve, ashtu sikurse pranohet nga Autoriteti i Konkurrencës, është shumë i vështirë. Kompanitë brenda kësaj marrëveshjeje kryejnë veprime të bashkërenduara duke fiksuar çmime, duke ndikuar te prodhimi apo zbatimi i kushteve specifike që vendos konkurrentët në pozita të pafavorshme. Në këtë pikë, Autoriteti i Konkurrencës ka menduar që zbatimi i një programi për lehtësimin e gjobave mund të ndikojë në “denoncimin” e marrëveshjeve nga njëra prej kompanive që është pjesë e kartelit. Pra nëse disa kompani kanë lidhur marrëveshje, kompania që e denoncon këtë fakt mund të përfitojë ulje të masës së gjobës që varion nga 20 % deri në 50 %. Masa e gjobës që ulet do të varet nga roli që ka kompania në zbulimi e kartelit nga ana e Konkurrencës, pra koha kur është bërë denoncimi. Kompania që e ka kryer e para këtë denoncim përfiton ulje deri në 50 për qind, e sipas radhës e treta deri në 20 për qind. Por marrëveshja e lehtësimit të gjobës mund të përfshijë edhe fshirje 100 për qind të detyrimit në rastin: kur denoncimi është i plotë; kur ka një kopje të marrëveshjes; kur jep adresat e kompanive të përfshira; kur vërteton që ka hequr dorë nga kjo marrëveshje.

FORMULARI

Autoriteti i Konkurrencës tashmë ka publikuar edhe formatin e formularit të cilin mund të përdorë një kompani kur do të denoncojë një marrëveshje kartel. Në të kërkohen të dhëna për vetë kompaninë dhe më pas llojin e marrëveshjes, si dhe një seksion për dokumentet shtesë mbështetës të asaj që po denoncohet. “Ndërmarrja ose individi që detyrohet për të marrë pjesë në kartel, duhet ta denoncojë atë pranë Autoritetit të Konkurrencës. Nëse ndërmarrja ose individi ka marrë pjesë në kartel, ai përsëri ka mundësi të aplikojë në Programin e Lehtë- simit nga Gjoba dhe në këmbim të lehtësimit të plotë ose të pjesshëm nga gjoba ai duhet bashkëpunojë me Autoritetin për të plotësuar kërkesat e tjera të programit”, thuhet në dokumentin e Konkurrencës.

 100 PËR QIND e gjobës mund të hiqet ndaj kompanisë që bën denoncimin e një marrëveshjeje kartel pranë AK në rast se sigurohen edhe të dhënat e nevojshme nga një kopje e marrëveshjes tek adresat e kompanive të tjera.

Autoriteti i Konkurrencës e ka marrë parasysh edhe faktin që kompani të ndryshme, të cilat duan të denoncojnë një kartel, mund të mos e bëjnë nga frika se zbulohen. Gjithsesi, Autoriteti i Konkurrencës ka deklaruar se programi përcakton ruajtje të konfidencialitetit deri në përfundimin e hetimit për rastin e denoncuar të kartelit.

50 PËR QIND është ulja e pjesshme e gjobës ndaj një kompanie, nëse ajo bën denoncimin pranë Autoritetit të Konkurrencës. Ulja për të tjerat, që mund të jenë të dytat apo të tretat në denoncim, varion në 30 dhe 20 për qind.

 Nertila Maho

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura