Pako me ushqime për familjet e prekura nga tërmeti/ Veliaj: Shumë shpejt nisim rindërtimin e shtëpive

Mar 25, 2020 | 18:42
SHPËRNDAJE

Bashkia e Tiranës ka dërguar pako me ushqime për njerëzit në nevojë dhe të moshuarit, të cilët në këto ditë të vështira pas përhapjes së virusit COVID-19, e kanë të pamundur të dalin nga shtëpitë.

velia

Kryebashkiaku, Erion Veliaj ishte sot në familjet e Ardjan Allarait, Maringlen Ballës, Ramazan Memës e Petrit Koshit, nga Farka e Madhe dhe Farka e Vogël, banesat e të cilëve janë dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit, ku së bashku me administratorin dhe punonjësit socialë shpërndanë pako me ushqime.

Veliaj siguroi familjet se furnizmi me ushqime nuk do të mungojë, ndërsa u kërkoi qytetarëve, veçanërisht më të moshuarve, që të shmangin daljet e panevojshme.

Besoj se do të bëhemi më të fortë pas kësaj historie. Si nga tërmeti, që u bë një valë e madhe solidariteti, edhe tani. E shoh te njerëzit që thonë: ore, u jetoka edhe pa makina për të lëvizur 100 metra, u jetoka edhe pa bërë xhiro nëpër Tiranë pa fund; lëvizet edhe në këmbë, edhe me biçikletë. Kam përshtypjen që njerëzit do reflektojnë një çikë më shumë si sillen me natyrën, si sillen me njëri-tjetrin”, tha Veliaj.

Gjatë bashkëbisedimit, kreu i Bashkisë garantoi se, pavarësisht situatës në të cilën ndodhet vendi, si pasojë e epidemisë COVID 19, projekti për rindërtimin e të gjitha banesave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit  do të vijojë.

Veliaj u shpreh se po bëhen planet dhe se familjet e mbetura të pastreha do t’i gëzohen banesave të reja, të cilat do të jenë shumë herë më të sigurta dhe mëcilësore.

“Do fillojmë shumë shpejt edhe me shtëpitë. Sa të mbarojë kjo flamë dhe do rregullohemi”, tha Veliaj, teksa dorëzoi pakot me ushqime në familjen shtatë anëtareshe të Ramazan Memës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura