“Pako e Madhe e qeverisë, lëmoshë! E pamjaftueshme”/ Eksperti i ekonomisë flet për krizën në Shqipëri: Pse Maqedonia e ka naftën 40% më të lirë? Bordi s’bën transparencë

Jan 23, 2023 | 16:23
SHPËRNDAJE

Eksperti i ekonomisë, Enriko Ceko ka shprehur kritika ndaj Pakos së Madhe të qeverisë në ndihmë të qytetarëve. Në një intervistë për Panorama TV, ai u shpreh se kjo ndihmë ishte e pamjaftueshme për të mbuluar rritjen e kostove të jetesës për qytetarët.

Sipas tij, Pakoja e Madhe nuk mbulonte shtresat më në nevojë të shoqërisë. Ceko tha se mënyra më e mirë që qeveria të ndihmonte qytetarët, është t’i japë mundësinë atyre të ingranohen në jetën ekonomike për të investuar.

Ceko: Pjesa e paketës së fundit, që ishte për të kaluar festën e vitit të ri, poor edhe ndihmë për familjet, u fokusua tek pensionistët, tek ato që janë shtresa që nuk e kanë marrë veten. Por u fokusua edhe tek punonjësit e administratës. Edhe pse e kanë pagesën mesatarisht 450 euro, ata u përfshinë në paketa. Ne kemi shumë persona që janë të papunë, por vetëm një pjesë e vogël marrin pagesë papunësie.

Në Shqipëri, ka 23% të popullsisë që jetojnë me 100 lekë të reja në ditë. Këto sipas institucioneve të huaja të statistikave. Kjo paketë, edhe pse ishte e mirë, nuk ishte e mjaftueshme. Pse a mund të mbahet një popullsi me 2.6 mln banorë, me ndihma të kësaj natyre, me lëmoshë? Lëvizja më inteligjente që mund të bënte një qeveri, është që t’i krijonte mundësinë shqiptare që të ingranoheshin në jetën ekonomike të vendit.

Ne vetëm në sistemin bankar kemi 10 miliardë euro që janë kursime të qytetarëve. Dhe shumë pak jepen kredi, nuk jepen kredi për të investuar. Problematika e ekonomisë shqiptare në këto vite ka qenë se është ekonomi konsumi dhe jo ekonomi proidhimi. Fakti që ne raportin eksport-import e kemi ¼ flet shumë. Kemi dhe një 10 miliardë euro tjetërt, që është borxhi që ka marrë qeveria. 40% është borxh i jashtëm dhe borxhi i brendshëm i bonove të thesarit.

Ndërsa për çmimin e naftës, Ceko tha se një vend si Shqipëria që është prodhuese, nuk ka asnjë arsye pse të ketë një çmim më të lartë se shtetet e tjera të rajonit.

Ceko: Vetë qeveria me këtë akcizë që është 90% fut para në buxhetin e shtetit. Në kushte krize, të gjithë vendet e rajonit morën masa për të reduktuar tarifat doganore. Si ka muindësi që ne jemi vend prodhues të naftës, e kemi naftën shumë të shtrenjtë. Si ka mundësi që Kosova, Mali i Zi apo Maqedonia e kanë 40% më të ulët se në Shqipëri. Maqedonia s’ka as port. Këtu duhet të ulemi mirë me këmbë në tokë për të diskutuar për t’i treguar vendin bordit të transparencës, që vetëm transparencë nuk bën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura