‘Pakica kombëtare me shitës kinezë dhe azilantë sirianë’, Artan Fuga: Rama e Lleshaj po na kthejnë në shtet multikulturor

Jun 26, 2020 | 16:00
SHPËRNDAJE

Akademiku i njohur Artan Fuga i cilëson shkelje flagrante të Kushtetutës dy projektvendimet e Ministrisë së Brendshme për pakicat dhe përdorimin e gjuhës së tyre.artanfugaa

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, profesor Fuga i kërkon Presidentit të Republikës të ndërhyjë, sepse sipas tij po shkelet rendi kushtetues, duke e kthyer Shqipërinë nga një shtet unitarist kombëtar, në një shtet multikulturor. Ai shpjegon rreziqet kombëtare që vijnë nga zbatimi i këtyre dy projektvendimeve.

Ministria e Brendshme ka përgatitur një projektvendim për “Mënyrën e përdorimit të gjuhës së pakicave kombëtare në marrëdhëniet ndërmjet personave, që u përkasin pakicave kombëtare dhe organeve të vetëqeverisjes vendore”, ku përcakton përdorimin e gjuhës së një komuniteti minimal prej 20% të popullatës së njësisë administrative si gjuhë komunikimi, ku përfshin emërimin e shesheve apo rrugëve në dy gjuhë. Si e vlerësoni këtë nismë?

Është rasti se si me një iniciativë të firmosur nga një ministër Rendi, në këtë rast nga zotni Sandër Lleshaj, kapërcehen hapur dhe pa dorashka të gjitha kornizat juridike të rendit dhe shtetit shqiptar.rama qeveria

Pra, dua të them se flaket tej Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, hidhet në kosh ligji për administrimin e territorit dhe pushtetin lokal, griset ligji mbi mbrojtjen e të drejtave të pakicave kombëtare dhe një sërë ligjesh të tjera. Dhe kujdes, nuk është fjala fare për atë që komunitetet e pakicave kombëtare të kenë të drejtë të përdorin gjuhën e tyre në njësi të pushtetit lokal nëse janë më shumë se 20 për qind e popullsisë në atë komunë a bashki!

Nuk është kjo fare, sepse ligji tashmë në fuqi për ruajtjen e të drejtave të pakicave kombëtare këtë e ka parashikuar dhe pakica të ndryshme tradicionale kombëtare në Shqipëri këtë e kanë pasur si të drejtë prej dekadash.

Ju të medias i kaloni çështjet shpejt dhe i quani me termat që ju ofron administrata dhe politika. Sa keq bëni! Ideja është që me një VKM të firmosur nga Kryeministri i radhës, propozuar gjoja nga ministri i Rendit po i radhës, ndryshohet krejt natyra socio-politike dhe juridike e shtetit shqiptar.

Me një vendim të thjeshtë të Kryeministrit dhe ministrit të Rendit, në shkelje të hapur dhe flagrante të Kushtetutës, Shqipëria, nga një shtet unitarist, kombëtar, por ku me ligj respektohen dhe duhet të respektohen shumë, shumë më tepër të drejtat e shtetasve shqiptarë me kombësi ose identitet etnik joshqiptar, kthehet në nivelin e pushtetit lokal, pra në nivelin e modelit të qeverisjes, në një shtet multikulturor.

Ne jemi shoqëri multikulturore dhe kjo është një pasuri e madhe, por me këtë vendim Lleshaj-Rama që po përgatitet, ne kthehemi në një shtet multikulturor. E theksova, ligji i tanishëm e lejon dhe e pranon përdorimin e gjuhëve kombëtare të tjera përveç shqipes në zonat dhe territoret lokale ku jeton një komunitet etnik apo kombëtar joshqiptar. Dhe shumë mirë bën.

E drejta për shkollim publik aty ku janë mundësitë, për shkollim jopublik në gjuhën amtare, për t’u përballur me akuzën në gjuhën që i akuzuari kupton, thotë ligji, për të pasur media, si edhe për të pasur emra rrugësh apo mbishkrime në atë zonë edhe në gjuhën e tyre, janë të garantuara. Kurse projektvendimi Lleshaj-Rama ndryshon gjithçka që ligji dhe Kushtetuta e ka vendosur ndryshe. Sepse sipas këtij projektvendimi, tani në rrugë komunitare dhe në rrugë personale hapet pista që komunikimi i anëtarëve individualë dhe i grupeve të pakicave kombëtare, por jo vetëm, me shërbimet e bashkive dhe komunave përkatëse, të bëhet në gjuhën e tyre amtare për shërbimet, por edhe për të gjitha marrëdhëniet qytetare dhe kolektive të komunitetit me pushtetin lokal.

Gjuha zyrtare e administratës në të gjitha këto nivele pushteti tani parashikohet që nuk do të jetë më vetëm gjuha shqipe. E kuptoni që ka një lidhje të brendshme tani midis Tur idiotit të testit të Gjuhës shqipe dhe Letërsisë dhe Turit që ta zëmë kryetar bashkie a komune, i cili do të flasë një shqipe të përzierë me lloj-lloj gjuhësh të tjera!

Por, kjo është vetëm njëra anë. Ky fakt shtyn komunitetet e pakicave kombëtare, por jo vetëm, që aktivitetin e tyre politik dhe shoqëror në këtë nivel administrimi territori ta realizojnë ekskluzivisht në gjuhën e tyre. Kështu hapet një hapësirë publike dhe politike e strukturuar në gjuhë të tjera, çka sigurisht nxit dhe inkurajon aktivitete sociale dhe politike sipas grupimeve etno-kulturore, duke i hapur rrugë pa dyshim në të ardhmen, strukturimit politik të bashkësive të ndryshme sipas përkatësive kombëtare.

U hapet rrugë partive politike me thelb identitar etnik! Imagjinoni një mbledhje të Këshillit Bashkiak në një komunë prej disa fshatrash, ku ca flasin shqip, ca greqisht, ca maqedonisht, ca romçe, ca evgjitshe, ca vllahishte!!!

Një Kullë Babeli ose e Pizës, e shtrembëruar nga koka deri drejt rënies! Besoj e kuptoni se çfarë ndodh. Unë pres që shërbimet e Presidentit të Republikës të shprehen nëse shohin këtu apo nuk shohin fare se po tejkalohet, pra po shkelet rendi kushtetues i Shqipërisë me nismën juridike të ministrit të Rendit, zotit Lleshaj, pra me një tekst projektvendimi Lleshaj–Rama, i kaluar gjoja si punë gjuhësh, si punë krijimi komisionesh, si punë VKM-je, në fakt shkel Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, i jep asaj një kuptim që nuk e përmban, ndryshojnë pa kaluar as në referendum dhe as në Kuvend natyrën e shtetit shqiptar.

Unë, sigurisht nuk pres që Kuvendi i Shqipërisë, në gjendjen e mjeruar që ai paraqet sot, të kërkojë të ushtrojë të drejtat e veta. Kuvendet që formohen me deputetë me lista të mbyllura janë me deputetë ushtarë të kryetarit dhe po u çmend ta zëmë kryetari, çmenden të gjithë njëherësh, fatkeqësisht. Dhe kur shteti kombëtar ha goditje të rënda, nuk flasin sepse rastësisht, tamam në atë kohë, kanë shkuar të bëjnë ndonjë ndërhyrje kirurgjikale në gojë ose në gjuhë.

Nuk pres as që të reagojë, a të paraqesë ndonjë studim Akademia e Shkencave që është nën komandën e paligjshme të politikës, sikurse nuk pres që Akademia e Albanologjisë, nën varësinë e Ministrisë së Arsimit, të bëjë kritika thelbësore dhe të qenësishme e të plota të këtij projektvendimi.

Por, unë ende besoj tek opinioni publik. Besoj që opozita e zënë me çështjet e Kodit Zgjedhor, me tymin, nuk ka arritur ta shohë zjarrin që po i vihet shtetit shqiptar. Ajo hesht! Por nuk besoj se do të bëjë edhe ajo ndonjë operacion në gjuhë.

Mënyra se si kjo e drejtë mund të zyrtarizohet, është adresimi me një kërkesë e 1% e këtij 20% që i përket këtij komuniteti në Këshillin Bashkiak, i cili e merr në shqyrtim dhe e miraton. A rrezikojmë t’i mbushim tabelat e rrugëve kombëtare apo dhe lokale me emërtime dygjuhëshe dhe çfarë imazhi do të sjellë kjo për vendin?

Të qartësohemi pak. Nuk është fare puna te këto tabelat e rrugëve. Nuk është çështje as e policisë Rrugore, as e guidave turistike, as e shoferëve të kamionëve, as e nostalgjikëve nacionalistë shqiptarë që grinden për ndonjë tabelë që shkruan emrin e një vendi në greqisht, maqedonisht, apo në gjuhën rome, egjiptiane etj.

Nga pikëpamja sociologjike kemi një ndryshim rrënjësor. Edhe sot, në zonat ku jeton një minoritet që përfaqëson më shumë se 20 për qind të popullsisë, ligji e parashikon këtë dhe sipas meje, shumë mirë bën.

A na vjen mirë ne, a ndiejmë ne një përjetim paqeje dhe mirëkuptimi kur shkojmë në Maqedoninë e Veriut dhe lexojmë emra vendesh në shqip? Ja kështu mendoj edhe në rastin e Shqipërisë, ato tabela janë shenja paqeje dhe mirëkuptimi. Nuk vjen e keqja prej tyre.

Por, në këtë projektvendim Lleshaj-Rama gjithçka ndryshon rrënjësisht. Sepse, nëse një komunitet me identitet joshqiptar, që tashmë anëtarët e tij quhen “persona”, jo sikurse e ka ligji “shtetas”, pra edhe emigrantë të jenë, apo azilantë të jenë, me nismën e 1 për qind të tyre, atje ku komuniteti është mbi 20 për qind e popullsisë, atëherë atje ndryshon krejt hapësira publike.

E theksoj edhe njëherë: Nuk është çështje gjuhe, komisioni, numrash. Por, pushteti lokal, pra qeverisja lokale e shtetit shqiptar, kalon në modelin shumëkulturor. Jo shoqëria, por shteti ndryshon model.

Besoj se u kuptuam. Pra, nëse sot çështjet e kulturës, gjuhës, besimeve, traditave, mendësive janë të ndara nga shteti dhe qeverisja, sipas projektvendimit Lleshaj-Rama, qeverisja dhe kultura kombëtare e grupeve të ndryshme ribashkohen. Shteti humb neutralitetin dhe asnjanësinë ndaj çdo individi, pavarësisht se cilës etni a pakice kombëtare i përket.

Kjo sjell sigurisht rrezikun që në dekadat e ardhshme, hapësira sociale e Shqipërisë të kthehet në arenë tensionesh dhe konfliktesh ndërkomunitare dhe etnike. Mendoni pak mirë se çfarë ndodh. Supozojmë që kemi një bashki apo komunë me 10 mijë frymë.

20 për qind e tyre, po qe se marrim pragun minimal që një komunitet specifik kombëtar të ketë të drejtë të ndryshojë dhe t’i vendosi brenda gjuhës së tyre marrëdhëniet me pushtetin lokal, i bie që ata të jenë së paku, mjaftueshëm, 2000 vetë. 1 për qind e tyre i bie 20 vetë.

Pra 20 vetë, po morën iniciativën, pa pasur madje asnjë përkrahje nga shumica edhe e komunitetit të tyre, janë në gjendje të ndryshojnë thelbin kushtetues të qeverisjes në nivel lokal në atë zonë.

E kuptoni ju tani në kushtet e lëvizjes së lirë të popullsisë dhe të zgjedhjes të lirë të vendbanimit, se çfarë mund të bëhet nëpër komunat dhe bashkitë e Shqipërisë? E kupton këtë zoti ministër i Rendit apo jo?

Imagjinoni sikur komuna të ketë 1000 frymë. 20 për qind janë 20 vetë. 1 për qind e 20 vetëve janë 2 persona.

Ta zëmë një çift. Burri dhe gruaja e tij. Mjafton ky çift që të marrë iniciativën dhe të niset procedura që të ndërmerret ndryshimi i natyrës së qeverisjes lokale kudo në territorin e Shqipërisë, ku mund të jetë ky kontekst sociologjik.

Në të njëjtën frymë, Ministria e Brendshme ka kërkuar miratimin e një tjetër projektvendimi, i cili përcakton ngritjen e një komisioni ad hoc me drejtues zv.ministrin e Brendshëm dhe 12 anëtarë të tjerë, që bëjnë njohjen formale të një pakice kombëtare nëse këtë e kërkojnë 300 shtetas shqiptarë që i përkasin kësaj pakice. Si e vlerësoni një hapje të mundësisë së deklarimit të pakicave të reja kombëtare, kur me ligj njihen 9 pakica kombëtare në Shqipëri?

Jo, nuk është ky komisioni që e bën njohjen formale, sepse ai vetëm bën punën paraprake. Më pas, çështja kalon në hallka të tjera. Ky komision nuk është ndonjë risi. Mos u mashtroni! Ai është vendosur aty për të fshehur një fakt tjetër. Tani, sipas dy gisht letër në atë vendim, shoqëruar me një relacion të turpshëm amatoresk bërë nga nëpunës të zoti Lleshaj a të zotit Rama, ku e di unë, mjaftojnë 300 “persona” që të bëjnë kërkesë për t’u njohur si komunitet kombëtar joshqiptar, për t’u marrë në shqyrtim dhe nisur procedurat për t’u quajtur ata ose më shumë veta sesa ata, një komunitet – pakicë kombëtare. 300 veta, 300 shpirtra, 300 persona!

A e kuptoni se çfarë ndryshimi po ndodh? Deri tani, pakicat janë nominuar sipas traditës së pranisë së tyre në territorin e shtetit shqiptar, sipas grumbullimit në zona specifike, sipas numrit të anëtarëve të tyre etj., pavarësisht se edhe ky komision që na paraqitet tani ka qenë parashikuar nga ligji. Kurse tani mund të shtohen lehtësisht minoritete të tjera, mjaftojnë 300 veta, të japi pëlqimin Kryeministri dhe që nuk u kërkohet madje të jenë as shtetas shqiptarë.

Sipas tekstit që kam parë, mund të jenë edhe pë shembull emigrantë turq, shitës kinezë, pensionistë italianë, azilantë sirianë a të tjerë, madje do të na dalin ndofta edhe persona që do të quhen, ta zëmë turq, sepse gjyshërit e tyre kanë qenë shtetas të perandorisë.

Do të thonë se turqishten nuk e njohim sepse na ka akulturuar shteti shqiptar i Ismail Qemalit!!!

Thënë këto, ju siguroj që unë i dua dhe respektoj fort edhe kinezët, edhe sirianët edhe turqit, edhe italianët, edhe grekët etj. Sepse kam edhe shumë-shumë miq midis tyre. Janë të mrekullueshëm. I quaj më të mirë sesa vetja, por po flas për gjë tjetër.

Rrezikohemi me këto projektvendime të kthehemi në një vend të populluar nga pakica kombëtare, ku në rrugë të shohim tabela shumëgjuhëshe emërtimesh? Kujt mund t’i interesojë një gjë e tillë?

Më kupto, të lutem! Çështja e tabelave as më ka shqetësuar e as më shqetëson. Thashë, kjo e drejtë ka pas ekzistuar. Nuk është aty risia. Ky projektvendim, në mënyrën më perverse politikisht, mbledh gjëra nga ligji në fuqi, u shton çfarë i do qejfi, duke e tejkaluar ligjin dhe na gënjen duke na çuar jo te komisioni, jo te tabelat. Unë po ju them se ky vendim Lleshaj–Rama, në kushtet kur nuk kemi as Kuvend dhe as Gjykatë Kushtetuese, e shkalafit përfundimisht shtetin shqiptar. Ne dekadat e ardhshme, ata që do të jetojnë, pra fëmijët tanë, do të jenë “emigrantë” në tokat e tyre të stërlashta.

Në relacionin që shoqëron këtë projektvendim thuhet se ky projektvendim nuk synon përafrim me acquis të BE-së. Përse, sipas jush, këto projektvendime vijnë si një paketë e plotë për të nxitur dhe legalizuar pakica kombëtare të reja në Shqipëri?

Sigurisht, Europa nuk ka se si të kërkojë këto marrëzira antishtet, sepse vendet europiane, me ndonjë përjashtim të rrallë të justifikuar, janë shtete unitariste, nuk luan njeri atje me shtetin që dy emigrantë shqiptarë në komunë ta bëjnë administratën e komunës të mësojë shqipen. Shtet multikulturor është në Ballkan, ta zëmë Maqedonia e Veriut, sepse, ose është i tillë, ose nuk është fare.

Po ne???

Do të kemi kohë të flasim e shohim se kujt i intereson kjo. Por ajo që mund të them sot, në këtë çast, është se po qe se kjo ecën dhe përparon në atë drejtim që studiuesit, sociologët dhe filozofët e multikulturalizmit parashikojnë sikurse ndodh në Kebek, Sahara, Spanjë, Qipro etj., brenda dy dekadash ne do të jemi si Bosnja.

Gjithsesi, unë shtroj çështjen në opinionin publik: A mund ta ndryshojnë natyrën shekullore të shtetit kombëtar shqiptar dy individë Lleshaj-Rama, apo për këtë duhet të shprehet sovrani, një Parlament i ligjshëm shqiptarësh, me referendume lokale ose kombëtare, duhet të shprehet Gjykata kushtetuese, Presidenti.

A mund të bëhet pa u shprehur një Akademi e vërtetë Shkencash, që nuk do të ishte shurdhmemece dhe me drejtues të paligjshëm?!

Pa u shprehur departamentet e historisë, gjuhës, albanologjisë, pra intelektualët shqiptarë? Ndërtesa e Teatrit është asgjë përpara kësaj që po flas. As bimët narkotike, as Covid-19, as tërmeti. Janë shakara ato përpara kësaj! Pres edhe nga opozita. Ndahet shapi nga sheqeri./ Panorama.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura