Paketa e re fiskale/ Zbardhen taksat e reja, ja ato që ulen në vitin 2019

Jun 21, 2018 | 9:18
SHPËRNDAJE

DORINA AZO/ Qeveria miratoi dje paketën e re fiskale me ulje të tatimfitimit në 5 për qind nga 15 për qind për biznesin me xhiro nga 8 milionë lekë deri në 14 milionë lekë, për sektorin e agroturizmit, bujqësisë, ndërtimit dhe lojërave të fatit.

qeveria-rama-2-1024x560_1519368916-6928914

“Panorama” boton të plotë projektligjet e paketës fiskale të miratuara nga qeveria. Ulja e taksave nis zbatimin nga 1 janari 2019. Ndryshimet për sektorin e ndërtimit dhe lojërave të fatit hyjnë në fuqi pas botimit në fletoren zyrtare.

ULJA E TATIMFITIMIT

Nga janari i vitit 2019, biznesi me xhiro nga 8 milionë lekë deri në 14 milionë lekë në vit do të paguajë 5 për qind tatimfitim nga 15 për qind që është aktualisht. Në mbledhjen e djeshme, qeveria miratoi projektligjin për rritjen e pragut të xhiros së biznesit dhe uljen e tatimfitimit. Aktualisht, tatimfitimi 5 për qind paguhet për bizneset me xhiro nga 5 milionë lekë deri në 8 milionë lekë. Projektligji i miratuar nga qeveria rrit pragun e xhiros deri në 14 milionë lekë për bizneset, që do të paguajnë taksë 5 për qind.

Ndërsa bizneset me xhiro mbi 14 milionë lekë do të paguajnë 15 për qind tatimfitim. “Shkalla e tatimit mbi fitimin është: 5% për tatimpaguesit me të ardhura deri në 14,000,000 lekë në vit. 15% për tatimpaguesit me të ardhura mbi 14,000,000 lekë në vit”, thuhet në projektligj. Ulje të tatimfitimit në për qind do të përfitojnë edhe fermat e agroturizmit. Sipas projektligjit të paketës fiskale, sektori i agroturizmit do ta përfitojë uljen e taksës deri në 2021. Efektet fillojnë pasi këto subjekte të përfitojnë statusin e certifikimit.

“Për personat juridikë, të cilët zhvillojnë veprimtari agroturistike të certifikuar si “agroturizëm”, bazuar në ligjin nr.93/ 2015, “Për turizmin”, dhe vendimin e Këshillit të Ministrave që miraton kriteret për certifikimin e veprimtarisë së agroturizmit, shkalla e tatimit mbi fitimin është 5%. Norma e reduktuar e tatimit mbi fitimin 5%, e parashikuar sipas këtij paragrafi, aplikohet për një periudhë 10-vjeçare për ato struktura, të cilat përfitojnë statusin “subjekt i certifikuar agroturizmi” deri në dhjetor 2021. Efektet e normës së reduktuar fillojnë në vitin pasardhës pas përfitimit të statusit “subjekt i certifikuar agroturizmi”, thuhet në projektligj.

1

ULJA E TVSH-SË

Qeveria miratoi uljen e TVSH-së në 6 për qind për strukturat akomoduese në sektorin e agroturizmit. Ulja e TVSH-së për agroturizmin nis zbatimin pas botimit të ligjit në fletoren zyrtare. “Shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar 6 për qind, aplikohet për furnizimin e shërbimit të akomodimit, restorantit, me përjashtim të furnizimit të pijeve, të ofruara brenda strukturave, në të cilat zhvillohet veprimtari pritëse e certifikuar si ‘agroturizëm’, sipas legjislacionit në fuqi në fushën e turizmit”, citohet në projektligjin e qeverisë.

TAKSAT VENDORE

Nga 1 janari i vitit 2019, nga taksa e ndikimit në infrastrukturë do të përjashtohen bizneset e certifikuara në agroturizëm. “Përjashtohen nga pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë edhe investimet e personave juridikë “subjekt i certifikuar agroturizmi”, të kryera në fushën e agroturizmit, sipas përcaktimeve të bëra në Ligjin nr. 93/2015 “Për Turizmin” dhe kur veprimtaria e tyre është në përputhje me kriteret dhe rregullat e vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 22, datë 12.01.2018 “Për miratimin e kritereve për certifikimin e veprimtarisë së agroturizmit”, thuhet në draftin e qeverisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura