Paketa e re fiskale, Ahmetaj zbulon lehtësitë për biznesin

May 27, 2016 | 7:00
SHPËRNDAJE

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, foli për ndryshimet që do të bëhen në paketën fiskale lidhur me kontrollet e biznesit. Në takim me studentët, kreu i Financave, Ahmetaj, përmendi dy prej ndryshimeve që do të vijnë në paketën fiskale, që do të miratohet në muajin korrik.

Ministri Arben Ahmetaj
Ministri Arben Ahmetaj

“Dua të ndaj me ju disa ndryshime që do të bëjmë së fundmi. Ne nuk do t’i rrisim taksat, të vetmet ndryshime që do të kemi do të jenë më të ulëta, paketa kryesore që do të bëjmë do të jetë paketa e thjeshtëzimit të procedurave. Dua të ndaj me ju dy elemente shumë të thjeshta, por shumë domethënëse. Siç e ka sot sistemi fiskal, nuk e lejon drejtpërsëdrejti tatimpaguesin që të vetëkorrigjohet, që është një nga parimet kryesore: vullnetarizmi në pagesën e taksave dhe të drejtën për t’u vetëkorrigjuar. E ka të kufizuar në kohë dhe e ka me penalitet. Në paketën e re të procedurave në fund të korrikut, do t’i japim të drejtë sipërmarrjes që të vetëkorrigjohet për 3 apo 5 vite që kanë kaluar pa penalitet dhe një thjeshtim tjetër është edhe detyrimi që do t’i bëjmë me ligj administratës tatimore, që të njoftojë sipërmarrjen minimalisht 1 muaj para për kontrollin e thelluar që do t’i bëjë, dhe që nga momenti që sipërmarrja merr letër për njoftimin e kontrollit, do të ketë të drejtë pa penalitet që të vetëkorrigjohet”, shpjegoi Ahmetaj.

Më tej ai tha se mbledhja e të ardhurave do të bazohet te vullnetarizmi. “Në këtë aspekt unë besoj, si të gjithë ju, që nuk mblidhen dot tatimet dhe të ardhurat me shkop, çdo administratë që mendon që do t’i mbledhë të ardhurat në mënyrë represive dështon, sepse humbet partneritetin me sipërmarrjen, i cili është bazë i një sistemi tatimor ku parimi kryesor është vullnetarizmi dhe barazia”, u shpreh Ahmetaj.

RRITJA EKONOMIKE

Ministri i Financave, Ahmetaj, deklaroi dje se rritja ekonomike në 2016-n do të jetë 3.5 për qind. “Sot rritja ekonomike ka shkuar në 2.62 për qind dhe po ta krahasosh me rajonin, ku mesatarisht ne kemi rritje 0.5 për qind mbi rajonin, dhe ne trendin e rritjes ekonomike e kemi të konsoliduar, ndërsa ka vende në rajon që kanë luhatje serioze në rritjen ekonomike edhe për shkak të rritjes jo të konsoliduar.

Rritja ekonomike për 3- mujorin e parë i ka të gjitha gjasat sipas llogaritjeve paraprake të jetë mbi 2.6 për qind. Duke iu referuar peshës që ka 3-mujori i parë dhe trendit që ka rritja ekonomike, ne jemi të bindur që Shqipëria do të kapë shifrën 3.4 deri në 3.5 për qind”, deklaroi ministri i Financave.

Ahmetaj tha se edhe kreditimi i ekonomisë ka shënuar rritje. “Lajmi tjetër i mirë është se edhe ringjallja e kreditimit te korporatat është modeste, kurse te biznesi i vogël dhe i mesëm është më shumë se modeste, kurse te kredia konsumatore është dyshifrore dhe të gjitha këto tregojnë se ekonomia shqiptare ka dalë nga kriza”, pohoi ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura