“Paketa e parë antikrizë, minimaliste dhe pa efekt në xhepat e qytetarëve”/ Qeveria rishikon buxhetin, pensionistët dhe familjet në nevojë do presin vjeshtën për kompensimin

Aug 10, 2022 | 16:33
SHPËRNDAJE

ADA HAZIZOLLI/ Qeveria ka rishikuar buxhetin e këtij viti, duke adresuar 12 miliardë lekë ose rreth 100 milionë dollarë për paketën e dytë anti-krizë.

qeveria rama 3

Por, për të përfituar kompensimin pensionistët dhe familjet në nevojë do të duhet që të presin vjeshtën.

Mbështetja financiare me gjasë pritet të jetë sërish në vlerën e 3 mijë lekëve për një periudhë 3-mujore, por nuk përjashtohet mundësia që të jetë edhe më lartë kjo për shkak të rritjes së inflacionit që për muajt qershor dhe korrik arriti vlerat rekord, përkatësisht 7.4 dhe 7.5 për qind.

Ajo çka mund të thuhet me siguri është se rreth 10 milionë dollarë do të shkojnë si mbështetje për fermerët dhe peshkatarët si rimbursim për karburantin. Vendimi është marrë në qeveri ndërsa në fillim të javës u botua edhe në fletoren zyrtare.

“Do të ofrohet mbështetje për kultivimin e grurit, për sipërfaqe të mbjellë jo më pak se 1 ha, në vlerën 30 000 lekë për ha sie dhe mbështetje në vlerën e 40 lekëve për litër të karburantit për anijet e peshkimit, për furnizimet, nga data 1 korrik 2022 deri më 31 dhjetor 2022.

Efektet financiare shtesë prej 1.2 miliardë lekësh, që shoqërojnë miratimin e këtij vendimi, do të përballohen nga fondet e kontingjencës për paketën e rezistencës sociale ndaj pasojave të krizës”, thuhet në vendimin e qeverisë. Veç kësaj, 1.67 miliardë lekë, apo rreth 14 milionë dollarë do të adresohen si kompensim për kompanitë e angazhuara në punë publike.

PAKETA E PARË

Kujtojmë që paketa e rezistencës sociale e prezantuar nga Qeveria në muajin mars kishte një efekt financiar rreth 50 miliardë lekë ose rreth gjysmë miliardi dollarë.

Por pjesa dërrmuese e kësaj fature shkoi për sektorin energjetik, për të mos ndryshuar çmimin e energjisë. Ndërsa ndihmë e drejtpërdrejtë për pensionistët dhe kategoritë në nevojë ishte bonusi në vlerën e 3 mijë lekëve ose 9 mijë lekë për 3 muaj që qeveria akordoi si kompensim për rritjen e çmimeve që pësuan produktet e shportës.

Mbështetja që Qeveria ofroi është konsideruar më e ulëta në krahasim me vendet e rajonit. Sipas Bankës Botërore Shqipëria shpenzoi vetëm 1.4 për qind të prodhimit të brendshëm bruto (PBB).

Nga ana tjetër edhe për ekspertët, paketa e parë në ndihmë të qytetarëve ishte minimaliste, dhe pa efekt neto në xhepat e tyre.

BUXHETI

Akti Normativ për rishikimin e buxhetit është botuar të hënën në fletoren zyrtare. Të ardhurat shkojnë tani në 576 miliardë lekë nga 546 miliardë në rishikimin e bërë në muajin Mars, pra gati 30 miliardë lekë më shumë. Nga ana tjetër, shpenzimet e qeverisë do të rriten me vetëm 13 miliardë. Pjesa kryesore do të shkojë për paketën e rezistencës sociale, ndërsa pjesa tjetër për fondin rezervë si edhe për të ulur deficitin dhe borxhin publik. Por, cilat janë Ministritë që do të përballen me shkurtime në shpenzime dhe cilat janë ato të cilat do të marrin shtesë fondi për pjesën e mbetur të vitit? Pas rishpërndarjes së fondeve, Ministrisë së Financave i shkurtohen 1 miliard lekë, të cilat do të shkojnë për të dyfishuar fondet në programin e strehimit. Ministrisë së Shëndetësisë po ashtu i hiqen 2 miliardë lekë dhe Ministrisë së Mbrojtjes i hiqen 900 milionë lekë. Shtesë fondi në vlerën e 2.4 miliardë lekëve do të përfitojë Ministria e Infrastrukturës. Veç kësaj, 1.2 miliardë lekë do të shkojnë për Ministrinë e Arsimit dhe 2.2 miliardë lekë për AKSH-n, pas sulmit kibernetik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura