Paketa e ndryshimeve në Kodin Penal, e njëanshme

Jul 22, 2019 | 11:00
SHPËRNDAJE

PËLLUMB NAKO

pellumb nako

Shumë vite më parë, kur manifestuesit e një partie opozitare kalonin pa shumë zhurmë përpara Ministrisë së Brendshme, rregullisht përballë u delte një polic i njohur për humorin dhe filozofinë e tij të drejtpërdrejtë dhe u bërtiste: “Ç’ju ka gjet mo çuna? Pse kaq paqsorë? Hudhni ndonjë gur këtej nga ne se na morët më qafë. Nuk na e ngrejnë rrogën ndryshe këta…”

Filozofia e policit është e saktë. Ajo materializon logjikën e zakonshme qeveritare për t’i lëvizur gjërat.

Të njëjtën logjikë prezanton edhe nisma e fundit ligjore për disa ndryshime në Kodin Penal. Aty ndër të tjera synohet dhe tashmë është sanksionuar ashpërsimi i dënimeve për individë që përdorin dhunë kundër punonjësit të Policisë. Që thyejnë rëndë rendin publik. Që përdorin fishekzjarrë, të cilët prodhohen në mënyrë ilegale, të kundërligjshme. Duket qartë se shkaku dhe shqetësimi qeveritar në burim të nismës ligjore janë manifestimet e opozitës. Sidomos ato, në të cilat u shënua edhe përdorimi i dhunës. Fakti u citua drejtpërsëdrejti i tillë nga disa eksponentë qeveritarë gjatë diskutimeve që mbajtën në Parlament. Masat, pra, në thelb synojnë tulatjen e manifestimeve, futjen e tyre në shina më të kontrolluara, parandalimin e revoltave të dhunshme.

Kurse pjesa tjetër e paketës për sigurinë ushqimore, ambientin, mbrojtjen e mjekut janë futur me këtë rast për të kthyer “shqetësimin qeveritar” në “shqetësim popullor”. Shtrëngimi i dënimeve vetëm për rastet e lidhura me Policinë dhe rendin publik, të shfaqura hera-herës gjatë manifestimeve të opozitës, do ta komprometonin rëndë motivin e marrjes së nismës. Sepse mjekët kanë dekada që rrihen paq e manifestojnë, por askush nuk i ka dëgjuar. Po ashtu, siguria ushqimore ka qenë dhe vazhdon të mbetet ritmikisht gjithmonë e më e pasigurt. Fakti i rritjes së dënimit për këtë shkelje dëshmon për raste të shtuara. Rastet e shtuara flasin për mungesë efikasiteti të institucioneve kompetente të kontrollit, për korrupsion nga ana e tyre ose për pamjaftueshmëri të burimeve njerëzore dhe teknike për të realizuar misionin. Ka shumë të ngjarë që rritja e ndëshkimit të rrisë korrupsionin e tyre, sepse sa më i madh të jetë dënimi, aq më i madh bëhet “nderi” që u ofrohet shkelësve dhe po ashtu, më i madh bakshishi.

Megjithatë, e gjitha kjo duket se përbën njërën anë të problemit.

Po të shihet me vëmendje, e gjithë paketa synon të mbrojë qytetarin nga abuzuesit ( po ashtu individë si ai) me cilësinë ushqimore. Të mbrojë mjekët dhe punonjësit e Policisë nga dhuna e individëve dhe fishekzjarrëve të tyre, si dhe ambientin nga shkatërrimet gjatë manifestimeve. Pra, del qartë se abuzimet presupozohen ta kenë burimin nga individë apo grupe individësh që gjeneron shoqëria, madje edhe partia), të cilët dëmtojnë shëndetin e popullsisë apo dhunojnë institucionet dhe sidomos përfaqësuesit e tyre.

Ndërkohë, në paketë nuk ka asnjë nen për të shtuar ndëshkimin ose për të pasuruar legjislacionin, me synim mbrojtjen e qytetarit nga dhuna dhe abuzimet e strukturave shtetërore. Sidomos të atyre të lidhura me forcën publike, pra Policia e Shtetit dhe policitë e tjera. Mungesa tërësore e elementeve të tilla, si abuzimi i përfaqësuesve të strukturave shtetërore ndaj qytetarëve, duket se nuk përbën ndonjë shqetësim për nismëtarët e paketës ligjore. As për ligjëruesit parlamentarë. Dhe kjo është e rëndë.

Nisma do të ishte më vërtetësisht e marrë në emër të së mirës publike dhe jo vetëm të asaj qeverisëse nëse paketa do të kishte në konsideratë edhe rishikimin e kuadrit ligjor në fuqi, i cili ka të bëjë me aktet që normojnë përdorimin e forcës apo edhe të mjeteve të tjera nga ana e Policisë, me qëllim prapësimin e manifestimeve të dhunshme.

Gjatë manifestimeve të opozitës u pa të përdoret pa kriter gazi lotsjellës, i cili gabimisht ose tinëzisht quhet i tillë, sepse ai që u përdor ishte lotsjellës me efekt në frymëmarrje. Debatet dhe shqetësimi publik për të ishin dhe vazhdojnë të jenë të pafundme. Të ngarkuara me ankth. Shqetësim i vërtetë masiv. Por mesa duket, aspak për qeverisjen. Baza ligjore mbi të cilën përdoret ky gaz, duket se nuk e shqetëson fare as qeverinë e as Parlamentin. Për të as që është menduar se si mund të rregullohet me ligj përdorimi, në mënyrë që publiku, i cili nuk manifeston dhe sidomos ai që manifeston, të jetë i qartë dhe i qetë për dëmet eventuale që mund të shkaktojë.

Llojet e gazit lotsjellës, me apo pa efekt në frymëmarrje, mënyra dhe momenti i përdorimit të tyre, duhet të jenë të pasqyruara qartë në ligje të miratuara nga Parlamenti. Sepse kane efekte mbi shëndetin dhe përdoren mbi një masë të gjerë personash me larmi problemesh shëndetësore. Të dhunshëm ose jo. Dhe përgjegjësia e tij nuk mund t’u lihet në dorë akteve normative teknike të Policisë.

Shpeshherë është parë që për përdorimin e tij të merret në mënyrë kretine si shembull shteti francez. I konstatuar në përdorim nga ana e Policisë dhe xhandarmërisë gjatë manifestimeve të jelekëve të verdhë. Por ky shtet i ka të sanksionuara në ligj gjithë llojet e gazit që përdoren gjatë manifestimeve të dhunshme, rastet dhe mënyrën se si përdoren. Asgjë nuk është lënë në dorën e rastësisë apo të koncepteve teknike të drejtuesve të Policisë apo xhandarmërisë.

Në paketën ligjore të ndryshimeve në Kodin Penal të kaluar në Parlament, as që u mendua se si mund të rregullohej ky ngërç. Si t’i përgjigjej këtij shqetësimi publik. Nëse publiku i gjerë me të drejtë është i shqetësuar për cilësinë ushqimore, apo për dhunimin e mjekut, është po aq i shqetësuar edhe për përdorimin e gazit gjatë një manifestimi pa asnjë kriter. Të bazuar mbi një akt administrativ teknik, të cilin nuk e njeh askush.

Për më tepër, nuk duket se ka ndonjë vështirësi, të asnjë lloji, nëse ligjit aktual “Për tubimet” t’i shtoheshin disa amendamente duke përcaktuar pikërisht llojet e gazit që përdoren nga Policia, kohën, situatën kur përdoren dhe mënyrën e përdorimit. Me këtë rast manifestues, jomanifestues, publik i gjerë, i madh e i vogël do të ishte i qartë për të kuptuar dhe i vullnetshëm për të suportuar përdorimin e tij. Por kjo gjë nuk e shqetëson qeverisjen. Gazi përdoret në manifestime dhe si armike e tyre, asaj nuk i leverdis transparenca dhe rregullsia ligjore.

Mungesës së vullnetit për t’u dhënë përgjigje shqetësimeve të të gjitha palëve që formojnë opinionin publik në paketën e re ligjore, i shtohet dukshëm, madje kërcënueshëm, edhe abuzimi me ligjin dhe të drejtat e njeriut gjatë manifestimeve. Ky fakt dhe njëanshmëria e rritjes së ndëshkimeve ligjore e rëndon më shumë atmosferën.

I shkruar me germa të arta, edhe në ligjin “Për Policinë”, neni 3 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut thuhet: “U ndalohet shteteve të përdorin torturën ose t’i japin individit dënime dhe trajtime jonjerëzore, në shkelje të dinjitetit të tij”. Kjo dispozitë është nga të rrallat që nuk parashikon përjashtime”.

Dhe nëse i referohesh jurisprudencës lidhur me të, është fare e lehtë të konstatohet se shkeljet ligjore të bëra publike nga Avokati i Popullit lidhur me shoqërimet policore në Rrethin e Dibrës, janë pikërisht ato të saktësuara prej jurisprudencës në fjalë: dhunime gjatë shoqërimit, plagë trupore, privim flagrant nga ndihma mjekësore, përdorimi abuziv i prangave. Duhen ashpërsuar ndëshkimet në këtë rast? Nismëtarët nuk i dhanë përgjigje. Në radhë të parë duhet siguruar drejtësia dhe kjo duket qartë që mungon..

Nëse për shtresa të ndryshme sociale rritet ndëshkimi ligjor dhe nga ana tjetër mungon drejtësia e ndëshkimit të shkeljeve ligjore të institucioneve, jemi në territoret e shtetit autoritar

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura