“Paketa anti-shpifje”, Meta: Instalon censurë, rikthen autoritarizmin, rrezikon demokracinë

Jan 12, 2020 | 11:43
SHPËRNDAJE

Presidenti Ilir Meta ka dekretuar sot rrëzimin e paketës “anti-shpifje”, të kritikuar jo vetëm nga komuniteti i gazetarëve dhe organizatat botërore të mbrojtjes së të drejtave të tyre, por edhe nga institucionet e BE.

meta2

Ndër argumentat ligjore të kthimit të ligjit, Meta kriton mjaft ashpër nismën e qeverisë duke bërë me dije ndër të tjera se:

Në formën që këto dispozita janë miratuar cenojnë jo vetëm parimet themelore kushtetuese, por ato përbëjnë rrezik për cenim të interesit publik, i cili garantohet edhe përmes ushtrimit të lirisë së shprehjes, lirisë së shtypit dhe së drejtës së informimit, të drejta këto të domosdoshme për një rend demokratik, të lirë e kushtetues. 

Miratimi i këtyre dispozitave në thelb përmban elementë censurues të drejtëpërdrejtë që kufizojnë të drejtën e lirisë së shprehjes dhe të medias.

Kjo gjëndje censure krijohet përmes aplikimit të masave ndëshkuese jo proporcionale që këto dispozita parashikojnë, masa  që mund të vlerësohen dhe vendosen nga organe administrative, të cilat në kundërshtim të hapur me rendin e brendshëm kushtetues dhe ligjor, u jepet fuqia që t’i vënë në ekzekutim të menjëhershëm këto masa, përpara se të ketë një vendimarrje përfundimtare dhe të formës së prerë mbi ligjshmërinë e tyre.

Hyrja në fuqi e këtyre ndryshimeve do të krijojë një mjedis arbitrar dhe të pasigurtë ndaj operatorëve mediatikë elektronikë, për shkak të trysnisë së aplikimit pa kriter dhe subjektiv të masave ndëshkuese dhe shproporcionale që parashikon ligji i miratuar.

Këto mekanizma jo proporcionalë të forcës ndëshkuese që përmbajnë ndryshimet ligjore të miratuara, krijojnë hapësirë që ato të aplikohen përkundrejt mediave on line që janë kritike me punën e qeverisë. Kjo e fundit përmes përfaqësuesve të saj në organet vendimarrëse dhe kompetencave që këto organe marrin, ka të gjitha mundësitë të shfrytëzojë këtë bazë ligjore që lejon interpretim subjektiv, të ndëshkojë në mënyrë të padrejtë çdo media e cila nuk i përshtatet vullnetit politik të shumicës.

Ky realitet do të prodhonte frikësimin dhe autocensurën, mbylljen apo pezullimin me pa të drejtë të mediave elektronike, duke ndikuar drejtëpërdrejtë në cilësinë dhe objektivitetin e informacionit, ç’ka do të prodhonte furnizimin e publikut me fakte ndryshe nga realiteti, që jo vetëm keqorientojnë shoqërinë në kërkimin e të drejtave të tyre, por dhe në përmbushjen e përgjegjësive qytetare për ndërtimin dhe ruajtjen e vetë demokracisë.

Një situatë e tillë do e vendoste vendin në kufirin e një autoritarizmi, që do të përbënte rrezik për të ardhmen dhe integrimin e Shqipërisë, si edhe ekzistencën e vetë demokracisë funksionale në vend”, – thuhet në arsyetimin ligjor të dekretit të Metës.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura