Përfundon votimi në Tuz, kandidati shqiptar i bindur për fitoren

Mar 3, 2019 | 20:09
SHPËRNDAJE

Update/ Përfundon votimi në Tuz

Tuzi për të parën herë i është drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e komunës e kjo është konsideruar një ditë historike për shqiptarët që banojnë në Malin e Zi.

Nikë Gjeloshaj ishte kandidati i përbashkët i koalicionit të tre partive: Alternativa Shqiptare, Lidhja Demokratike Shqiptare dhe Unioni Demokratik Shqiptar. Koalicioni “Forumi shqiptar”, gjatë fushatës garoi me parullën “Malësia na bashkon” .545

Në rast fitoreje, Gjeloshaj do udhëheqë komunën e dytë me shumicë shqiptare në Mal të Zi, pas asaj të Ulqinit. “Qëllimi unë është që kjo të jetë një ditë feste për malësinë, pasi i cilësojmë si historike këto zgjedhje”, tha Gjeloshi.

Ndërkohë shumë shqiptarë nga diaspora u kthyen në vendlindje për të votuar, në mënyrë që sic thonë ata shqiptarët të jenë zot në komunën e tyre.

“Kam ardhur nga jashtë, vetëm për të votuar, pasi më pëlqeu fakti që partitë shqiptare u bashkuan nën moton ‘Malësia na bashkon’ dhe besoj se do t’ia dalim të fitojmë”, shprehet një votues.

“Fitorja e parë, është bashkimi i partive shqiptare”, shprehet një tjetër votues, që ka ardhur nga jashtë, për të votuar sot.

Procesi ka vijuar i qetë, ndërsa deri në orën 18:00, kanë ushtruar të drejtën e votës rreth 59.6 % e më tepër se 12 mijë shqiptarëve e malazezëve, që kanë të drejtë vote në këtë komunë.

Gjithashtu, është publikuar edhe një video, nëpërmjet të cilës shfaqet një malazez, që pretendon se është paguar 50 euro, për të votuar partinë e Milo Gjukanoviçit.

Në një intervistë për “Top Channel” kandidati shqiptar për të kryesuar Komunën e Tuzit, Nikë Gjeloshaj, i cili falënderoi gjithë shqiptarët për mbështetjen dhe u shpreh i bindur në fitore.

A jeni i kënaqur me pjesëmarrjen në votime?
Ju falënderoj pikë së pari për interesin që keni treguar gjatë ditës së sotme. Procesi zgjedhor ka ecur me një frymë të mirë, përveç atyre problemeve teknike. Unë jam i bindur që bashkimi shqiptar ia ka dalë të fitojë. Falënderojmë të gjithë shqiptarët që na kanë mbështetur në këtë sukses.

Është publikuar një video, ku partia rivale paguan 50 euro për një votë. Keni një koment për këtë?
Këto janë fenomene që ndodhin në Ballkan, por mendoj se duhet të merren organet kompetente me këtë çështje dhe të hetojnë mirë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura