Pajisja përgjuese te Tahiri, policia refuzon prokurorinë: Është e italianëve

May 14, 2016 | 10:15
SHPËRNDAJE

Prokuroria e Përgjithshme ka kryer dje veprime konkrete hetimore për zbardhjen e dyshimeve në lidhje me ekzistencën e mundshme të një pajisjeje të sofistikuar përgjimesh në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

tahiri (2)

Pajisja e teknologjisë së lartë, e paautorizuar ligjërisht, dyshohet se është përdorur prej më shumë se një muaji nga ana e Policisë. Prokuroria e Përgjithshme ka tentuar dje të sekuestrojë këtë pajisje, por nuk ka mundur.

Oficerët e Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Përgjithshme kanë marrë përgjigje negative nga ana e titullarëve të Policisë, të cilët kanë mohuar ekzistencën e një aparature të tillë.

Zyrtarët Policisë së Shtetit kanë përmendur vetëm një aparaturë të administruar nga misioni italian “Interforce”, e cila përdoret për trajnimin e Policisë shqiptare. Hetimi i Prokurorisë të Përgjithshme për praninë e një pajisjeje “ilegale” përgjimi në Policinë e Shtetit nisi pas informacioneve të siguruara nga strukturat inteligjente të sigurisë.

Sipas këtyre informacioneve, gjatë muajit të fundit Policia e Shtetit ka kryer disa interceptime telefonike përmes një mënyre të panjohur nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Shërbimi Informativ Shtetëror.

MOHIMI I POLICISE

Burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme pohuan dje se, bazuar në informacionet e siguruara për praninë e pajisjes “ilegale” të përgjimit në Policinë e Shtetit, organi i hetimit ka nxjerrë një urdhër për sekuestrimin e saj. Dy oficerë të Policisë Gjyqësore kanë “trokitur” dje në Policinë e Shtetit me qëllim ekzekutimin e një urdhri.

Sipas burimeve, nga drejtues të lartë të Policisë së Shtetit oficerëve të prokurorisë iu është komunikuar se një pajisje e tillë nuk zotërohej nga Policia. Titullarët e institucionit u kanë bërë me dije OPGJ-ve se kanë një pajisje përgjimi tek Akademia e Sigurisë, e cila përdoret për trajnimin e Policisë.

“Kjo pajisje shërben për trajnimin e oficerëve të Policisë, por administrohet nga përfaqësuesit italianë të misionit ‘Interforce’”, mësohet të ketë qenë përgjigjja e zyrtarëve të Policisë. Ky argument nuk ka bindur Prokurorinë, për shkak se informacionet paraprake prej saj flasin për një pajisje tejet të sofistikuar dhe jo për qëllime trajnuese. Për këtë shkak Prokuroria e Përgjithshme i është drejtuar dje përmes një shkrese zyrtare misionit “Interforce” për sqarimin e kësaj situate.

PAJISJA

Pajisja që dyshohet të jetë përdorur nga Policia e Shtetit ka mbërritur në Shqipëri si një dhuratë e partnerëve italianë. Ajo nuk figuron e regjistruar zyrtarisht në institucionet e sigurisë. Sipas informacioneve paraprake të siguruara nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, pajisja e dyshuar nuk është një pajisje që shërben për trajnime, por një pajisje e sofistikuar për lokalizimin e qelizave telefonike dhe përgjimin e telefonisë së lëvizshme.

Nga verifikimet e kryera, pasi është mësuar emri dhe lloji i pajisjes, ka rezultuar se përmes saj, pas regjistrimit të numrit të një karte SIM, mund të kryhet përgjimi i çdo komunikimi të realizuar nga ai numër.

Aparatura është e pajisur me programe kompjuterike të sofistikuara, çka bën të mundur jo vetëm përgjimin e bisedave telefonike, apo të komunikimeve me SMS, por edhe regjistrimit e kopjimit të bisedave të kryera përmes aplikacioneve në telefonat (smartphone), si WhatsApp, Viber, FB Messenger e të tjerë.

ARMAND BAJRAMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura