Pajisja përgjuese, reagon Presidenti: Qeveria të mos mashtrojë qytetarët

May 17, 2016 | 15:32
SHPËRNDAJE

Presidenti i Republikës ka reaguar sot sërish për të ashtuquajturën pajisje përgjuese që dyshohet se përdoret nga Policia për përgjime të paligjshme.

largea_bujar-nishani2-655x3561436861459Kreu i Shtetit ka folur me tone të ashpra në një deklaratë për mediat, ku i kërkon qeverisë të mos mashtrojë publikun dhe të mos pengojë hetimet.
Ai i kërkoi Ministrisë së Brendshme që të lejojë Prokurorinë të hetojë rastin në fjalë dhe të dorëzojë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm.

REAGIMI

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i kërkon Qeverisë shqiptare që të mos pengojë më tutje ushtrimin e funksionit kushtetues dhe detyrën ligjore të Prokurorisë së Shtetit për hetimin e ekzistencës dhe përdorimit të një pajisjeje interceptuese nga ana e Ministrisë së Brendshme.

Qeveria t’i dorëzojë sa më parë autoriteteve të hetimit pajisjen e kërkuar nga organi i Prokurorisë dhe të gjithë dokumentacionin tjetër të nevojshëm për procesin e hetimit.

Qeveria të ndalojë përpjekjet për mashtrimin e opinionit publik në lidhje me marrëveshjet e bashkëpunimit me shtetin italian.

Marrëveshja e bashkëpunimit midis shtetit shqiptar dhe atij italian në luftën kundër krimit të organizuar nuk ka asnjë lidhje me veprimet antiligjore dhe të dënueshme të përdorimit të mjeteve ilegale dhe të paligjshme nga Policia shqiptare.

Presidenti i Republikës dënon dhe distancohet nga tentativa e papërgjegjshme e Qeverisë për të ngatërruar bashkëpunimin dhe partneritetin e shkëlqyer midis Shqipërisë dhe Italisë në luftën kundër krimit të organizuar, me veprime ilegale dhe të paligjshme të segmenteve të caktuara të Ministrisë së Brendshme në Shqipëri.

Presidenti i Republikës i kërkon Prokurorit të Përgjithshëm të ushtrojë të gjithë autoritetin ligjor për të shmangur çdo pengesë që krijohet në hetimin dhe zbulimin e së vërtetës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura