“Paguajnë sa ‘frëngu pulën’ nëpër procese gjyqësore”/ Berisha: 95% e gjyqeve mes qytetarëve e narkoshtetit, i fiton kjo e fundit me padrejtësi

Mar 31, 2023 | 19:47
SHPËRNDAJE

Ish-kryeministri Sali Berisha ka prezantuar kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Vaut të Dejës, Zef Hilën. Gjatë fjalës së tij, Berisha u ndal tek situata në vend, më konkretisht në sistemin e drejtësisë.

Berisha tha se qytetarët sot paguajnë shuma të mëdha në procese gjyqësore dhe për të afruar datat e vendimeve të tyre.

Sipas ish-kryeministrit, në proceset gjyqësore mes qytetarëve dhe narkoshtetit, i fiton kjo e fundit me padrejtësi.

Berisha: Bashkia e Vaut të Dejës ka potenciale të biznesit, të bujqësisë, të turizmit. Vau i Dejës mund të shndërrohet në një nga bashkitë më të zhvilluara të vendit. Ne vijmë në këto zgjedhje më 14 maj me një entuziazëm që ka përshkruar sot gjithë vendin. Ky entuziazëm, është premtim i madh se 14 maji do të jetë dita e ndryshimit të shumëpritur.

14 maji në të vërtetë është ditë zgjedhjesh të qeveritarëve vendorë. Realisht, zgjedhjet e 14 majit janë zgjedhjet e jetës sonë. Janë zgjedhjet me të cilat ne, më shumë se në çdo zgjedhje tjetër se ato të 22 marsit të vitit 1992, vendosim për fatin e Vaut të Dejës, Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë. Janë zgjedhje që për fatin tonë, firmosim për përmbysjen e monizmit të dytë, që u instalua në këto 8 vite në Shqipëri.

Sot, siç e shihni krimi godet ku të dojë, kur të dojë, në çdo fshat, në çdo qytet, në çdo rrugë dhe shesh. Sot, krimi vendos në rrugë, në Parlament, në qeveri, në prokurime dhe çdo gjë. Sot, siguria e qytetarëve është inekzistente. Ligji për ju nuk ekziston. Gjykatat sot nuk ekzistojnë sepse secili qytetar shqiptarë, për të marrë një vendim në gjykatë duhet të presë 15 vite. Kjo nuk quhet drejtësi në asnjë vend të botës.

Çdo qytetar shqiptar, për të marrë një vendim, duhet të paguajë sa frëngu pulën për të afruar vendimin. Sot, në tërësinë e proceseve gjyqësore, 95% e proceseve mes qytetarëve dhe narkoshtetit, i fiton shteti me padrejtësi absolute. Sot ka një varfëri e frikshme. Vjen gjithmonë në rritje varfëria, ne kemi qenë të varfër. Por nga vitet 1992-2008, ne ja dolëm të ngrihemi nga niveli i kombeve me të ardhura të ulëta, 200 dollarë për frymë në nivelin e kombeve me rroga të mesme të larta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura