Pagesë për mbijetesë apo mundësi për të dalë nga varfëria?

Apr 10, 2018 | 11:23
SHPËRNDAJE

kastriot gurraKASTRIOT GURRA

Çdokush ka të drejtën e gë zimit të të drejtave të patjetërsueshme ekonomike, sociale e kulturore, të domosdoshme për zhvillimin e lirë të personalitetit dhe të dinjitetit të tij….Çdokush ka të drejtë të punojë… Çdokush ka të drejtë për një standard jetese, që e siguron shëndetin dhe mirëqenien e tij dhe të familjes së tij, duke përfshirë ushqimin, veshmbathjen, banesën, kujdesin mjekësor dhe shërbimet e nevojshme sociale… Çdokush ka të drejtë për arsimim…”- Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut.

Për një vend si Shqipëria, të drejtat ekonomike dhe sociale janë dhe mbeten shumë sensitive. Varfëria, shpeshherë, është një fenomen i dhimbshëm, jo vetëm për ata që e përjetojnë, por dhe për dinjitetin e vendit tonë, megjithatë, sipas Progres-Raportit për Shqipërinë, në nëntor 2016-të, të Komisionit Europian, Shqipëria ka marrë vlerësime pozitive sa i përket përfshirjes dhe mbrojtjes sociale, si dhe strategjisë së re kombëtare për përfshirjen sociale 2015-2020.

Të dyja dokumentet përcaktojnë objektivat dhe politikat e Qeverisë për uljen e varfërisë, monitorimin e politikave të përfshirjes ndërsektoriale, si dhe krijimin e një sistemi të kujdesit social. Miratimi i ndryshimeve në ligjin mbi ndihmën ekonomike, do të sigurojë progres në të gjithë vendin për regjistrin elektronik të të gjitha familjeve në programin e ndihmës ekonomike. Pa dyshim, që qershori i vitit 2014 do të ishte një pikënisje e fortë nga ana e Qeverisë shqiptare për reformimin e tërë sistemit të ndihmës ekonomike.

Projekti pilot i Shërbimit Social Shtetëror në bashkëpunim edhe me Bankën Botërore startoi fillimisht në tri njësi të mëdha të pushtetit vendor, në Tiranë, Durrës dhe Elbasan, ku ndihma ekonomike do të shpërndahej për familjet në nevojë në mënyrë elektronike, sipas një formule të re pikëzimi. Ky projekt vijoi më tej, me fazën e dytë, i cili prej muajit janar 2018, u shtri edhe në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Ndryshimet në ligjin nr. 9355/2005 “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, si dhe akte nënligjore të dala në zbatim të tij, falë reformës së re japin tashmë një mundësi reale, që përfitues të jenë më të varfrit dhe kategoritë më në nevojë sikundër janë:

(i) familjet pa të ardhura ose me të ardhura të pamjaftueshme;

(ii) jetimët, të cilët nuk janë në institucione;

(iii) prindërit me më shumë se dy fëmijë të lindur njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë;

(iv) viktimat e trafikimit, pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore deri në çastin e punësimit të tyre;

(v) viktimat e dhunës në marrëdhënie familjare, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, që nuk trajtohen në institucionet e përkujdesjes shoqërore.

Përpjekja e Qeverisë shqiptare, me reformimin e ndihmës ekonomike, ka për qëllim targetimin në mënyrë efikase të burimeve për shtresën më të varfër dhe në nevojë, duke përdorur një formulë që përfshin parametra të lidhura në mënyrë empirike me vlerësimin e situatës ekonomike të familjeve, të tilla si:

(i) kushtet e jetesës;

(ii) zotërimi i pasurive;

(iii) të ardhurat nga remitancat.

Formula e pikëzimit merr në konsideratë edhe karakteristikat e ndryshme strukturore të familjeve në zonat urbane dhe rurale. Aplikimi i kësaj skeme i ka dhënë mundësi aplikimi gjithkujt dhe sot ka përfshirë në Programin e Ndihmës Ekonomike familje realisht të varfra, të cilat në mënyrë abuzive ishin përjashtuar më parë nga kjo skemë, si dhe ka reduktuar në maksimum rastet e abuzimeve, mashtrimeve apo gabimeve.

Transparenca e këtij programi, sot, pa dyshim që është një nga treguesit kryesore të Qeverisë shqiptare dhe “antidoti” më i mirë në luftën kundër korrupsionit dhe abuzimit, pasi me reformimin e Ndihmës Ekonomike, përfshirja ose jo në skemë për çdo familje nuk është më “dëshirë” apo “favor”, që mund të bëhet nga administratori social apo Këshilli Bashkiak apo kryetari i bashkisë, që në një të kaluar jo të largët përdoreshin edhe si mjet presioni në këmbim të votës. Gjithashtu, kjo skemë ka mbështetur edhe lëvizjen e lirë të familjeve nga zonat urbane dhe rurale, pasi sipas modelit të vjetër të skemës së ndihmës ekonomike familjet, të cilat lëviznin nga njëra zonë në tjetrën nuk kishin mundësi përfitimi apo trajtimi me ndihmë ekonomike.

Nëse do t’u referohemi të dhënave për vitet 2013-2018, masa mesatare e përfitimit të ndihmës ekonomike në Bashkinë Librazhd është rritur pasi ligji i ri nuk përcakton më ndihmë të pjesshme, por vetëm ndihmë ekonomike të plotë. Me skemën e vjetër të ndihmës ekonomike, kjo masë ka qenë në shumën prej 2604 lekë/muaj për një familje, ndërkohë që me sistemin elektronik të ri dhe dixhitalizimin e kësaj skeme, kjo masë ka arritur në shumën prej 5194 lekë/muaj për një familje.

Por, a është ndihma ekonomike një zgjidhje përfundimtare që këto familje të dalin nga gjendja e varfërisë? Pa dyshim që jo. Ndihma ekonomike nuk duhet të jetë i vetmi shërbim që një shtet u ofron shtetasve të tij. Sipas statistikave të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, fondi më i lartë për pagesën e papunësisë është alokuar në vitin 2006 dhe në vitin 2012, në rreth 1 miliard lekë. Ndërsa sa u përket fondeve të nxitjes së punësimit, buxheti më i ulët i alokuar ka qenë në periudhën 2012 – 2013, me rreth 90 milionë lekë, ndërsa më i larti në vitin 2015, me rreth 450 milionë lekë, shifër kjo dy herë më e lartë se në vitin 2014.

Një studim i fundit i Organizatës Ndërkombëtare të Punës, Ilo, për këtë periudhë kohore tregon se në krahasim me vendet e tjera të botës, Shqipëria është ngritur në renditje duke lënë prapa kështu shume vende larg Bosnjë-Hercegovinën dhe Turqinë. Kjo do të thotë se, vendi ynë jo vetëm ka bërë hapa para për t‘iu afruar standardeve europiane, por duke u dalluar kështu jo vetëm nga vendet e Ballkanit, por dhe të rajonit më të gjerë.

Neni 10, pika 3 (a,b) të ligjit nr.9355/ 2005 “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore” i ndryshuar, parashikon kushtë- zimin e ndihmës ekonomike me pjesëmarrjen në punë ose shërbime të anëtarëve të familjes në ndihmë ekonomike, ndaj, në gjykimin tim, Njësitë e Pushtetit Vendor mund të luajnë një rol kryesor në këtë pikë, nëpërmjet aplikimit të projekteve të ndryshme, në bashkëpunim edhe me bizneset private, për punën në komunitet dhe përfshirjen e personave në moshë pune, të familjeve përfituese nga skema e ndihmës ekonomike. Qëllimi final i politikës së qeverisë është nxitja e koordinimit të shërbimeve sociale dhe të punësimit në të gjitha institucionet kombëtare, si dhe në qeverisjen qendrore dhe vendore.

Kjo bëhet e mundur nëpërmjet trajtimit të nevojave të grupeve në vështirësi, me anë të hartimit të programeve të punësimit për të lidhur shërbimet sociale, duke reformuar kështu njëherë e përgjithmonë sistemin e ndihmës ekonomike në tërësinë e vet, duke kaluar nga koncepti bazik për mbijetesë në atë të mundësive reale për të dalë përfundimisht nga cikli i varfërisë. Nevoja për punë në komunitet mund të jetë me orare të reduktuara, në përputhje edhe me dispozitat ligjore të Kodit të Punës.

Familjet, të cilat do të refuzojnë punën që do t’i ofrohet nga administratori social, do të duhet të largohen nga ndihma ekonomike, si refuzues të punës në komunitet. Sa më parë duhet kuptuar nga të gjithë, se ndihma ekonomike do t’i mbajë gjithsesi në varfëri familjet shqiptare, jo vetëm gjatë kohës që janë të aftë për punë, por edhe kur të mbushin moshën për pension, pasi janë të pasiguruar. Sot, është koha që ne të gjithë të kthejnë kokën nga të varfrit, me punë dhe projekte konkrete për zbutjen e varfërisë ndaj tyre, që edhe ata të jenë qytetarë të denjë të një vendi, që shumë shpejt do të jetë pjesë e familjes europiane.

*Kryetar i Bashkisë Librazhd

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura