Pagesat kesh dhe të drejtat themelore

Jan 12, 2021 | 10:06
SHPËRNDAJE

xhezair-zaganjoriXHEZAIR ZAGANJORI

Rregullimet ligjore mbi ku firin e lejueshëm të pagesave kesh (cash) si dhe të sasisë së parave që mund të marrë me vete çdo individ gjatë kalimit nga territori i një shteti në një shtet tjetër, janë sa të rëndësishme, aq edhe të ndërlikuara e komplekse. Pavarësisht proceseve integruese e globalizuese, si dhe lehtësimit të lëvizjes së njerëzve e kapitaleve nga një vend në një tjetër, çdo shtet sovran është shumë i interesuar të merret individualisht dhe shumë seriozisht me këtë çështje. Në çdo rast, synim kryesor është gjetja e rrugëve dhe mundësive konkrete për forcimin e politikave buxhetore, shmangien e informalitetit në veprimtarinë ekonomike e tregtare, të evazionit fiskal, punës në të zezë, luftës kundër pastrimit të parave, krimit të organizuar apo edhe terrorizmit ndërkombëtar. Por, këto rregullime prekin dukshëm edhe të drejtat themelore të individit, siç janë e drejta e pronës, jeta private, liria ekonomike ose liria kontraktore, e të tjerë. Nga ana tjetër, lëvizjet intensive për arsye turizmi, biznesi, shëndetësore, sportive, studimore e të tjerë, bëjnë të nevojshme për çdo individ të njohë mirë kuadrin ligjor respektiv të vendit apo vendeve ku do të shkojë apo do të kalojë. Dhe kjo nuk është punë e lehtë, sepse çdo shtet ka rregullime të ndryshme. Ndaj duhet shumë kujdes. Normalisht, duhet të bëhet verifikim paraprak, sepse përndryshe do të rrezikohet jo vetëm vlefshmëria e veprimeve juridike që kryhen, por edhe gjobat në shuma të konsiderueshme që mund t’i vihen subjektit respektiv, në varësi të tejkalimit të standardeve të parashikuara në çdo rast konkret.

Edhe brenda Bashkimit Europian, qëndrimet ligjore dhe praktikat e shteteve në këtë drejtim janë krejtësisht të ndryshme, pavarësisht ekzistencës së Eurozonës, në të cilën janë aktualisht 19 shtete anëtare, si dhe të Tregut Unik, si një hapësirë pa kufij të brendshëm, brenda së cilës ka liri të plotë të lëvizjes së mallrave, njerëzve, shërbimeve dhe kapitaleve mes 27 shteteve anëtare. Konkretisht, për individët si konsumatorë brenda Bashkimit Europian, rregullimet ligjore të pagesave kesh sipas shteteve anëtare mund të ndahen në tri kategori:

a) Nuk kanë kufizime për pagesa kesh vende të tilla si Austria, Sllovenia, Letonia, Lituania, Malta, e të tjerë;

b) Nuk kanë kufizime të shprehura, por disa kërkesa në praktikën e përditshme vende të tilla si Gjermania, Hungaria, Holanda, Danimarka, Suedia, Finlanda e të tjerë. Kështu, për shembull, në Gjermani, individit mund t’i kërkohet të japë shpjegime apo të paraqesë dokumente sqaruese vetëm për pagesat në kesh apo shumat që mban me vete në vlerën mbi 10 mijë eurove. Në Hungari mund të kërkohen shpjegime vetëm për pagesat kesh të kryera nga personat juridikë në shumën mbi 5 mijë euro në muaj e të tjerë, dhe

c) Parashikojnë kufizime strikte ligjore të pagesave kesh vende të tilla si Franca, Portugalia, Spanja, Belgjika, Greqia, Kroacia, Italia, Rumania, Bullgaria, Polonia, Çekia e të tjerë. Kështu, për shembull, që nga janari i vitit 2016, në Francë lejohen pagesat në kesh vetëm për mallra e shërbime në vlerë deri në 2 mijë e 999.99 euro. Për shuma mbi 3 mijë euro duhet të përdoret karta e kreditit, karta e debitit, transfertat bankare apo pagesat online. Për shkeljen e këtij rregulli, ligji francez parashikon gjoba që shkojnë nga 3 mijë euro deri në 40% të shumës së paguar. Nëse pagesa e bërë kesh është më e madhe se 50 mijë euro, gjoba fillon nga shuma 15 mijë euro. Në Portugali, pagesa e çdo fature apo dokumenti tjetër në vlerë mbi 1 mijë euro, duhet të bëhet përmes bankës, në mënyrë të tillë që të përcaktohet apo të identifikohet qartë pritësi i shumës. Në Çeki (nuk është në Eurozonë), kufiri ditor i pagesës kesh nuk mund të jetë më i madh se 350 mijë korona (rreth 14 mijë euro). Në Spanjë, kufiri i pagesës kesh për rezidentët është deri në 2 mijë e 500 euro, ndërsa për jo rezidentet, deri në 15 mijë euro. Në Greqi, mund të bëhet pagesë kesh deri në 1 mijë e 500 euro. Në Bullgari (nuk është në Eurozonë) kufiri i pagesës kesh është deri në 10 mijë leva (rreth 5 mijë e 110 euro) e të tjerë.

Në fakt, duhet pasur parasysh që në kushtet e zhvillimit të shkencës dhe teknologjisë, edhe vetë individi normalisht që ka shumë interes që transaksionet financiare t’i bëjë me kartë apo në rrugë elektronike. Nga ana tjetër, pagesat me kartë apo online janë lehtësi e madhe edhe në drejtim të prakticitetit, saktësisë së përllogaritjes dhe të veprimit financiar si dhe sigurisë ndaj veprimeve kriminale, siç janë falsifikimi apo vjedhja fizike e parasë. Në këtë kuptim, përdorimi i parasë kesh është kufizuar në maksimum, veçanërisht në vendet e zhvilluara, me siguri të lartë dhe kontroll të rreptë e profesional, që e garantojnë konsumatorin për rreziqet e mundshme, cilësinë, saktësinë dhe koston jo të lartë të pagesave të kryera. Megjithatë, shpesh konsumatori ka nevojë të bëjë edhe pagesa kesh. Kjo ndodh veçanërisht në rastet kur kërkohen veprime efektive e të shpejta financiare, në shërbimet turistike, në blerjet apo vizitat mjekësore jashtë vendit të origjinës e të tjera. Ajo varet edhe nga tradita ose edhe vetë dëshira apo zgjedhja individuale. Në fund të fundit, paraja është pronë e mbajtësit të saj edhe në kuptim të akteve ndërkombëtare në fushën e të drejtave të njeriut (shih p.sh. nenin 1 të Protokollit 1 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe nenin 17 të Kartës Europiane të të Drejtave Themelore). Prandaj, zotëruesi i parasë gëzon normalisht në çdo kohë të drejtën e përdorimit të qetë të saj, jashtë çdolloj presioni, kontrolli apo kufizimi. Në këtë kuptim, vlerësohet se pagesa në kesh do të vazhdojë të ekzistojë gjithnjë, madje edhe në rastet kur në sistem mund të futet paraja dixhitale. Pikërisht për këtë arsye, presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde, do të shprehej në një konferencë online të zhvilluar rreth 3 muaj më parë në Frankfurt (10 shtator 2020) se: “Sistemi i Euros do të vazhdojë t’u sigurojë në çdo kohë qytetarëve akses të plotë në bankënotë. Edhe euroja dixhitale, nëse do të futet dikur në Eurozonë, në çdo rast do të jetë komplementare e keshit dhe jo ta zëvendësojë atë”.

Përsërisim, pra, se qarkullimi i kartëmonedhave do të ekzistojë gjithnjë, e, për këtë arsye, edhe i pagesave kesh. Por, siç pamë më sipër, rregullimet lidhur me mënyrën dhe kufijtë e këtyre pagesave janë krejtësisht të ndryshme edhe mes vetë shteteve anëtare të BE-së. Institucionet dhe mekanizmat e Bashkimit Europian bëjnë rekomandime e kërkojnë zbatimin e standardeve të caktuara, por pa u futur në detaje. Megjithatë, mund të përmendim se përjashtimisht, me rekomandimin e EUROPOLit dhe të Këshillit Mbikëqyrës, Banka Qendrore Europiane vendosi në maj të vitit 2016 të ndërpresë prodhimin dhe të heqë gradualisht nga qarkullimi deri në fund të vitit 2018, kartëmonedhën me prerje 500 euro. U raportua se arsyeja e kësaj mase ishte lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar, informalitetit, krimit të organizuar dhe pastrimit të parave. Ndër të tjera u evidentua edhe lehtësia e transportimit të kësaj kartëmonedhe, duke argumentuar se ndërsa 1 milion euro me prerje 500 euro peshon 2,2 kilogramë, po kjo shumë me prerje 100 euro peshon 10,2 kilogramë, pra, gati pesë herë më shumë. Megjithatë, edhe tani në vitin 2021, megjithë ndërprerjen e prodhimit, vlerësohet se ka ende në qarkullim fizikisht me dhjetëra e dhjetëra milionë euro me prerje 500. Zhdukja e ngadaltë e kësaj kartëmonedhe dhe mosrespektimi i afateve të parashikuara për këtë qëllim vlerësohet se vijnë nga hezitimi apo mungesa e gatishmërisë së mjaft vendeve të Eurozonës për të bashkëpunuar me Bankën Qendrore Europiane mbi këtë çështje. Disa prej tyre ende nuk hezitojnë të theksojnë mungesën e një studimi të mirëfilltë apo të lidhjes shkakësore mes masës së marrë dhe objektivave të synuara. Kështu, për shembull, vihet në dukje se Zvicra që ka kartëmonedhën me vlerë më të madhe, 1 mijë franga (thuajse e barabartë kjo me 1 mijë euro), ka informalitetin dhe krimin ekonomik më të vogël se thuajse të gjithë shtetet anëtare të Eurozonës. Të tjerë thonë se heqja e kësaj kartëmonedhe, ashtu si edhe rregullat e shumta për kufizimin e pagesave në kesh, ulin ndjeshëm konkurrencën e Euros përballë dollarit amerikan e të tjerë. Sidoqoftë, duket se edhe për njëfarë kohe, kartëmonedha 500 euro do të vazhdojë të jetë në qarkullim.

Dilemat apo debatet rreth çështjeve të mësipërme janë vënë kohët e fundit në rend të ditës edhe në Gjermani. Shkak u bë raporti i Gjykatës Federale të Llogarive (Bundesgerichtshof) i datës 16 dhjetor 2020 drejtuar Qeverisë Federale. Raporti ka natyrë konfidenciale, por pjesë të tij u paraqitën nga media edhe për publikun e gjerë. Mes të tjerave, në këtë raport kritikohet ashpër mungesa e masave shtetërore efektive në luftën kundër pastrimit të parave, evazionit fiskal dhe terrorizmit ndërkombëtar. Theksohet me këtë rast se sektori financiar, veçanërisht bankat, japin informacione të vlefshme në këtë drejtim, por sektorët e tjerë të ngarkuar nga ligji për këtë qëllim, si ministritë dhe autoritetet policore të landeve, pikat doganore, administrata e qyteteve e të tjerë, japin shumë pak apo aspak informacion e për më tepër konstatohet se shpesh u mungon edhe personeli i nevojshëm. Po kështu citohet se mungon bashkëpunimi i duhur për marrjen e informacionit nga ana e noterëve, avokatëve, tregtarëve të shërbimeve e mallrave luksoze e të tjerë. Në këto kushte, Gjykata Federale e Llogarive i kërkon qeverisë dhe Parlamentit Federal (Bundestagut) të vendosin kufi për pagesat në kesh dhe ta heqin fare atë në sektorin imobiliar. Për më tepër, ajo shkon më tej, duke propozuar që kufiri i pagesave tregtare në kesh të mos e kalojë shumën 5 mijë euro.

Në fakt, Ministria Federale e Financave është në parim dakord me konstatimet e Gjykatës Federale të Llogarive. Ndër të tjera, edhe Gjermania vlerësohet si vend i preferuar për pastrimin e parave të drogës, veçanërisht përmes sektorit imobiliar, tregtimit të makinave luksoze, bizhuterive, orëve të shtrenjta, kazinove apo lojërave të tjera të fatit e të tjerë. Madje, besohet që disa nga grupet kriminale që merren me këto “biznese” mund të kenë kontakte edhe me organizata islamike terroriste. Megjithatë, ajo vë dukshëm në dyshim efektshmërinë e masave kufizuese të përdorimit të keshit. Sipas saj, në luftën kundër këtyre fenomeneve duhen aktivizuar më mirë mekanizmat kontrollues shtetëror, të ngarkuara nga ligji për t’u marrë posaçërisht me këto probleme. Sidoqoftë, theksohet se edhe nëse vendosen kufizime për përdorimin e keshit, ato duhet të jenë proporcionale, pa cenuar në thelb të drejtat themelore të individit dhe duke marrë parasysh gjithashtu faktin që në tërësi, pagesat kesh ende janë mjaft të preferuara në Gjermani. Edhe Presidenti i Bankës Federale (Bundesbank-ut), Jens Ëeidmann, ka theksuar se është mjaft e dyshimtë efektshmëria e kufizimeve të forta në përdorimin e keshit.

Partitë politike kryesore në Gjermani janë të ndara rreth kësaj çështje. Partia Liberale (FDP), tashmë në opozitë, është për marrjen e masave të ashpra në këtë drejtim, përfshirë këtu edhe vendosjen e rregullave të forta me natyrë kufizuese. Ajo akuzon ashpër Qeverinë Federale që “…e njeh problemin, por hesht përballë një realiteti që po bëhet gjithnjë e më shqetësues..”. Në të kundërt, koalicioni më i madh qeveritar CDU/CSU vë në dukje se duhet të përmirësohet puna mbikëqyrëse e kontrolluese e Qeverisë Federale dhe e qeverive të Landeve në këtë drejtim, por akuzat i cilëson të pabaza e që nuk pasqyrojnë situatën reale në vend. Në këto kushte, ato janë kundër masave kufizuese të pagesave Kesh.

Mjaft interesante janë edhe mendimet e shfaqura për këtë çështje nga juristi i shquar gjerman Hans–Jurgen Papier, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të RF Gjermane. Ai thekson që në fillim se ka shumë rezerva për masat e propozuara, pasi, sipas tij, kufizimet e pagesave kesh cenojnë të drejta themelore të rëndësishme, siç është e drejta e lirisë kontraktore, e drejta e pronës dhe e drejta e jetës private, pa përmendur këtu lirinë personale në tërësi si dhe prakticitetin dhe shpejtësinë që kërkohet shpesh në realizimin e pagesave. Ai ka gjithashtu rezerva edhe në këndvështrim të së drejtës së Bashkimit Europian, sepse këto kufizime cenojnë në të njëjtën kohë edhe lëvizjen e lirë të mallrave, njerëzve, shërbimeve e kapitaleve brenda Tregut Unik. Megjithatë, Papier vë në dukje se ligjvënësi mund të ketë arsye legjitime për të bërë kufizimin e arsyeshëm të disa të drejtave, por në rastin konkret, objektivat që synohen përmes kufizimit të pagesave kesh mund të realizohen shumë mirë përmes riorganizimit, forcimit e specializimit të organeve policore, doganore e fiskale.

Përveç argumenteve të mësipërme, në shtypin e përditshëm theksohet gjithashtu se në mjaft nga vendet që kanë vendosur tashmë kufizime strikte për pagesat kesh, ka shumë më tepër krim ekonomik, informalitet e veprimtari terroriste sesa në Gjermani. Po ashtu, vihet në dukje se në një botë ku përdoren vetëm kartat bankare, pagesat online ose dhe paraja dixhitale, paraja në kuptimin klasik nuk është më pronë private dhe se nga ana tjetër, praktikisht zhduket çdolloj kufiri për të kontrolluar tërësisht jetën e qytetarit.

Sidoqoftë, pavarësisht këtyre debateve, pranohet kudo se arritjet e teknologjisë moderne janë pa dyshim ndihmë, siguri e lehtësi e madhe edhe për individin, përfshirë këtu edhe mënyrën e përdorimit të parasë.

Megjithatë, rregullimet që imponon koha duhet të marrin mirë parasysh edhe të drejtat dhe liritë themelore. Pikërisht për këto arsye, në trajtimin e këtyre problemeve kaq delikate, në çdo rast është më se e domosdoshme të gjendet balanca e duhur, duke peshuar me kujdesin më të madh interesat individuale me ato shtetërore e shoqërore në tërësi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura