Pagë gjatë shkollimit, kushtet për të përfituar bursë mujore. Mesatarja 9.5 në universitet, tri vjet pune në administratë

Aug 5, 2022 | 16:48
SHPËRNDAJE

Të qenurit ekselent, çmimet në olimpiada apo zgjedhja e një dege që qeveria ka prioritet nuk mjaftojnë për të përfituar bursën e studimit, e barabartë me pagën minimale në vend.

universitet

Ka edhe kushte të tjera, të ngjashme me ato që kërkoheshin nga studentët që mbështeteshin nga qeveria për studimet jashtë vendit. Kriteret shtesë janë zbardhur në vendimin e marrë nga qeveria, të cilin duhet ta konsiderojnë maturantët që i zgjedhin.

KUSHTET

Një marrëveshje trepalëshe midis individit përfitues, institucionit arsimor dhe Ministrisë së Arsimit që do të lëvrojë fondin për të do të nënshkruhet në momentin që studenti shpallet përfitues i bursës mujore të barasvlershme me një pagë minimale në vlerën e 32 mijë lekëve në muaj.

Në këtë dokument, do të nënvizohet qartë detyrimi për të punuar jo më pak se tri vjet në sektorin shtetëror pas përfundimit të studimeve. Madje, edhe në rast se financimi ndërpritet kur studenti ekselent nuk ruan notën mesatare të kërkuar prej 9.5.

Për këtë, qeveria kërkon edhe garanci, duke e futur në listën e kushteve në marrëveshje.

“Të kalojë zyrtarisht diplomën/at origjinale përkatëse të arsimit të lartë për të cilin përfton financimin nga institucioni publik i arsimit të lartë ku ka përfunduar studimet tek institucioni apo subjekti juridik ku punësohet deri në shlyerjen e detyrimeve, sipas marrëveshjes së parashikuar në këtë vendim”, citohet në vendimin e detajuar.

Ekselentët që futen me mesatare 10.00 kërkohet që së paku të ruajnë një minimale prej 9.5 përgjatë gjithë viteve të shkollimit krahas të cilit përfitojnë edhe bursë.

KUSH PËRFITON

Jo çdokush që përmbush kushtet e sipërcituara dhe aplikon mund të bëhet pjesë e përfituesve. Për këtë ka një fond limit dhe një procedurë përzgjedhjeje që synon të listojë më të mirët. “Përzgjedhja e kandidatëve kryhet para fillimit të vitit akademik mbi bazë e renditjes, sipas notës mesatare dhe fondit në dispozicion për vitin përkatës financiar.

Në rast të dhënies së donacioneve për këtë financim në procedurën përzgjedhëse ka të drejtë të marrë pjesë edhe një përfaqësues i donatorit.

Rregullat e hollësishme për afatet e aplikimit, shqyrtimit dhe procedurat për përcaktimin e masës dhe të mënyrës së financimit për secilën nga kategoritë e parashikuara në këtë vendim përcaktohen nga ministri përgjegjës për arsimin, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi”, thuhet mes të tjerash në vendim.

Nga ana tjetër, studentët përfitues duhet të depozitojnë në MAS listën e notave dhe vërtetimin për shlyerjen e të gjitha detyrimeve për vitin e parë dhe në vijim të studimeve.

Pasi t’i kenë përfunduar ato, brenda një muaji deri në përmbushjen e detyrimit duhet të aplikojnë për çdo pozicion të lirë pune në administratë apo institucionet e pavarura publike. vendimi shton gjithashtu se punësimi i tyre trajtohet me prioritet nga Departamenti i Administratës Publike. Studenti i shpëton detyrimit për të punuar 3 vite vetëm nëse brenda një harku kohor 6- vjeçar nuk pranohet. Ai konsiderohet se ka përmbushur detyrimet dhe mund të tërheqë diplomën.

Për vite të tëra, çdo vit, 150 milion lekë janë ndarë veç nga qeveria për të shkëlqyerit shqiptarë, të cilët jo rrallëherë kanë “dezertuar”, duke mos respektuar kushtin për të punuar për 2-3 vite në Shqipëri, pasi kanë përfituar shkollimin me taksat e shqiptarëve.

Nga ky vit qeveria vendosi ta kanalizojë fondin e ekselencës nga të rinjtë shqiptarë që shkollohen jashtë tek ata që vendosin t’u besojnë universiteteve shqiptare. Ky vendim, është cekur se nuk do të ndikojë në përfitimet e studentëve që kanë përfituar bursa vitet e shkuara.

PENALIZIMET

Në rast se studenti vendos të ndërpresë studimet për të cilat është mbështetur financiarisht, pa miratimin e Universitetit dhe Ministrisë, përjashtohen apo nuk i përfundon dot deri në një vit pas mbylljes së studimeve, studenti ka detyrimin për të kthyer masën e financimit që ka përfituar brenda gjashtë muajve nga dita e njoftimit nga ministria. Në rast se nuk e bën, çështja shkon në Gjykatë. Përjashtim bëjnë vetëm sëmundjet fatkeqësitë familjare apo kur parashikon universiteti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura