Pagat, PS: Sot familjet shqiptare blejnë më pak

Aug 20, 2012 | 17:35
SHPËRNDAJE

Partia Socialiste reagoi nëpërmjet sekretarit të saj për programin, Ilir Beqja menjëherë pas deklarateve të Kryeministrisë për firmosjen e vendimit nga ana e kryeministrit për rritjen e pagave.

Beqja tha se nuk ka rëndësi se sa janë rritur pagat në letër, në një kohë kur  arsimtarët, mjekët, infermierët dhe punonjësit e policisë blejnë më pak se sa kanë blerë në 2005, pohim të cilin sipas tij, e mbështesin edhe statistikat zyrtare.

“Buka dhe mielli kushton 2 herë më shumë se në 2005, energjia elektrike kushton 2 herë më shumë se në 2005, uji i pijshëm kushton 2 herë më shumë se në 2005, sheqeri, vaji, orizi kushtojnë 2 herë më shumë se në 2005, barnat dhe shërbimi shëndetësor kushtojnë 2 herë më shumë se në 2005, nafta kushton 3 herë më shumë se 2005.”- theksoi Beqja.

Si pasojë e taksës së sheshtë, vazhdoi më tej Beqja, një mësues paguan 11 herë më shumë taksë.

“Në 2005 një mësues paguante taksa sa 2% e pagës, ndërsa Saliu sa 13 % të pagës. Pra, 6.5 herë më e ulët ishte shkalla tatimore në 2005, ndërsa tani edhe Saliu, edhe mësuesi, infermieri, punonjësi i policisë taksohen njësoj. Në 2005 një mësues merrte edhe pagën e 13-të, ndërsa sot edhe pagën e 12-të duhet ta paguash taksa që Bujari të ketë pallat të ri presidencial, që Saliu të rregullojë rezidencën qeveritare në Vlorë, ndërsa Ridvani të ndërrojë kolltukët e zyrës.”- tha ai.

Një Rilindje Shqiptare do  të përmirësonte nivelin e jetesës  së shumicës së shqiptarëve, tha zyrtari i Partisë Socialiste, pasi programi ynë do e heqë taksën e sheshtë dhe do e zëvendësoj me taksimin e ndershëm, që do të vendos drejtësinë sociale dhe do të fuqizojë shtresën e mesme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura