Pagat, profesionistët kundër Qeverisë për sigurimet

Jan 29, 2016 | 11:41
SHPËRNDAJE

Shoqatat e profesioneve të lira kundërshtojnë vendimin e Qeverisë për miratimin e pagave referuese mbi bazën e të cilave do të paguhen sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Gazeta kontaktoi me përfaqësuesit e disa prej grupeve të interesit që preken drejtpërsëdrejti nga vendimi i djeshëm. Kështu, avokatët, noterët, mjekët dhe dentistët njëzëri kanë pohuar se nuk janë dakord me aktin, i cili, sipas tyre, penalizon pjesën dërrmuese të të vetëpunësuarve.

medium_45-655x3561449680090

AVOKATËT Kreu i Dhomës së Avokatëve, Edmond Konini, shprehet se Qeveria ka marrë kompetenca, të cilat nuk i takojnë. Me anë të këtij vendimi, thekson Konini, trefishohen detyrimet që avokatët do të kenë detyrimin të paguajnë për sigurimet. “Është e pakonceptueshme që shteti të ndërhyjë nëpërmjet pagave në sektorin privat. Ne nuk pajtohemi pasi efektet e këtij vendimi prekin pjesën dërrmuese të avokatëve. Me anë të tij trefishohen detyrimet që duhet të derdhen për kontributet shoqërore. Qeveria me këtë që po bën po na cakton standardin për një pension më të mirë, por nuk është shteti ai që duhet të mendojë për mua, jam unë ai që duhet të mendoj për veten”, tha më tej kryetari i Dhomës së Avokatëve. Sipas tij, një vendim i tillë jo vetëm nuk do të pranohet, por do të ndiqen të gjitha rrugët ligjore për kundërshtimin e këtij akti.

MJEKËT Për presidentin e Urdhrit të Mjekut, Fatmir Brahimaj, kjo do të penalizojë kryesisht mjekët e rinj.

Sipas tij, një i ri nuk mund të ketë të njëjtën klientelë me atë që ka 40 vite që punon. “Pavarësisht kategorizimit që është bërë, ne sërish gjykojmë që është e lartë vlera e vendosur. Duhet të ketë fasha të tjera për të përcaktuar nivelin e pagës maksimale dhe minimale”, tha Brahimaj. Vendimi i Qeverisë rëndon mbi të gjitha mbi mjekët që punojnë në sektorin privat. Në mbështetje të tyre, presidenti i Urdhrit të Mjekut tha se do të kërkohet që Qeveria të ulë kuotën, e cila do të përdoret si referuese për derdhjen e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore. “Pjesa dërrmuese e mjekëve që punojnë në privat janë me kohë të pjesshme. Sipas ligjit, këta profesionistë duhet të paguajnë një siguracion të dytë. Vlera që është përcaktuar është e papërballueshme”, theksoi Brahimaj.

NOTERËT Edhe kryetarja e Dhomës së Noterëve, Mimoza Sadushi, është kundër vendimit të Qeverisë. Sipas saj, kategorizimi nuk duhej të ishte bërë në bazë të vendit, por mbi bazën e volumit të punës, duke qenë se tarifat që noterët aplikojnë janë standarde. “Në vendim janë përcaktuar edhe fasha, por aty nuk kemi të bëjmë me vlerësim pasurish. Kemi të bëjmë me një punë noteri, e cila aplikon tarifa standarde në të gjithë vendin. Problemi është që ne kemi kërkuar që të vendoset një standard dhe kategorizim duke pasur parasysh volumin e punës që ka noteri dhe jo vendin ku ndodhet. Këtë kemi kërkuar vazhdimisht, duhej të ishte bërë një studim sipas volumit të punës”, tha Sadushi.

VENDIMI Në ndryshimet e bëra, 23 profesione të lira do të paguajnë kontributet mbi pagën, e cila varion nga 40.500 lekë deri në 88.800 lekë. Për përcaktimin e nivelit të pagës janë marrë parasysh 6 kritere, duke nisur nga lloji i profesionit, zona, vitet e punës, paga për të njëjtin profesion në sektorin publik dhe statuti i profesionit.

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura