Pagat e ulëta dhe paqëndrueshmëria e sistemit ekonomik

Jul 23, 2020 | 9:55
SHPËRNDAJE

Selami Xhepa

SELAMI XHEPA  

Ky shkrim merr shkas nga botimi së fundmi i vrojtimit mbi pagat krahasuese në rajon nga revista “Monitor”, një statistikë që e tillë mbetet prej më shumë se tridhjetë vitesh. Dhe argumenti që thuhet përherë është se pagat përcaktohen nga produktiviteti dhe nuk mund të shpërndajmë më shumë nga sa krijojmë, prodhojmë. Kjo logjikë është e saktë, prandaj dhe duhet të rrëmojmë paksa më thellë për të parë nëse çështja është vërtet për shkak të produktivitetit apo kemi një problem më serioz të natyrës së ekonomisë politike. Prodhojmë pak dhe shpërndajmë pak apo prodhojmë shumë, por shpërndajmë në mënyrë të pabarabartë? Që në fillim dua të theksoj se ekonomia jonë më së shumti vuan nga ky problem serioz, i shpërndarjes, dhe që do përpiqem me aq pak informacione sa kemi ta trajtoj më hollësisht. Nga ana tjetër, për të shmangur çdo keqkuptim të natyrës ideologjike e doktrinore, dua të pohoj se veten time e rreshtoj ndër atë grup njerëzish, që e mbështesin dhe përkrahin epërsinë e sistemit kapitalist dhe të tregut të lirë, që virtytin e tregut që funksionon në kushtet e konkurrencës së lirë e konsiderojnë si shumë më superior se çdo qeveri e virtytshme (nëse gjendet diku në planet një e tillë). Funksioni ekonomik dhe social që luan sipërmarrësi kanë qenë thelbësore në historinë e progresit shoqëror, siç e dëshmojnë qartë statistikat që e matin atë dhe mirënjohja e shoqërisë mbetet e pakushtëzuar pasi risqet që ata marrin përsipër, e kanë çuar shoqërinë deri në kufijtë e sotëm të fantashkencës dhe bollëkut material. Por, duke e lexuar me kujdes këtë histori të shkurtër progresi dhe duke besuar se progresi (ashtu sikurse asgjë tjetër në jetë) nuk duhet marrë si e dhënë, një numër pyetjesh mund të shtrohen. A do të kishte mbijetuar kapitalizmi sikur Britania e Madhe dhe shoqëritë e zhvilluara të Perëndimit të mos kishin reformuar sistemin e nxitjeve ekonomike që në fillimet e Revolucionit Industrial? A do të kishte qenë kapitalizmi amerikan aq vibrues sa ta ngjiste këtë vend në krye të progresit njerëzor që prej fillimeve të shekullit të njëzet, nëse që në nisjen e këtij shekulli ish- Presidenti amerikan, Ted Rusvelt, nuk do të kishte zhbërë monopolet, duke e bërë veprues të famshmin Aktin Antitrust Sherman të vitit 1890? A do kishte qenë bota po kaq paqësore dhe e stabilizuar në planin social politik nëse kapitalistët do të kishin vazhduar të ndiqnin politika aq agresive të akumulimit fillestar të kapitalit sa ato që ndeshen në fillimet e Revolucionit Industrial, kohën kur Karl Marks ishte angazhuar aq fuqishëm në kritikën ndaj sistemit kapitalist që në ngjizjen e tij?

Dikush mund të pyesë a ia vlen të shqetësohemi për këto pyetje kur shekujt, për të cilët flasim sot, ngjajnë si periudhë e antikitetit të lashtë, kur krahasohet me stadin e sotëm të zhvillimit. Shqetësimi im lidhet me qëndrueshmërinë e sistemit, në mënyrën sesi funksionojnë sot gjërat në Shqipëri (dhe, në fakt, edhe në gjithë botën, por këtë shqetësim le t’ia kursejmë vetes dhe të lëmë mendimtarët e botës që, në fakt, prej kohësh po shkruajnë për çështjet e kësaj natyre).

Për të ilustruar thelbin e problemit që më shqetëson, po i referohem një rasti individual që mendoj se është i mjaftueshëm për të kuptuar funksionimin e sistemit. Rastësisht lexova bilancin financiar të një kompanie shqiptare të para dy viteve (mendo: bilanci i dorëzuar në zyrat e shtetit, të cilët besohet gjerësisht se karakterizohen nga një dozë e lartë e fshehjes së gjërave të vërteta!). Dy shifra më spikatën në mënyrë të dhimbshme: fitimi i firmës (domethënë i pronarit, pasi firmat shqiptare nuk janë aksionere dhe me pronësi të gjerë që shpërndajnë fitime për publikun, përfshirë punëtorët e kompanive) në atë vit kishte arritur në rreth 10 milionë euro dhe fitimet ishin rritur krahasuar me një viti më parë. Ndërsa shpenzimet për personelin (paga dhe sigurime) ishin vetëm 600 mijë euro dhe me një rënie shumë të lehtë ndaj një viti më parë. Mesazhi është i qartë: fitimet rriten, shpenzimet për fuqinë punëtore bien. Për më tepër, shpenzimet për forcën e punës zënë gati 6% të fitimit të pronarit. Kam shfletuar disa bilance të tjera dhe gjetjet e mësipërme janë konsistente: pagat zënë një përqindje shumë të vogël në raport me fitimin e pronarit.

Në teorinë ekonomike, këto dy raporte i quajmë norma e kthimit nga kapitali (return on capital) dhe norma e kthimit nga puna (return on labor). Siç rezulton nga këto të dhëna të bilanceve, norma e kthimit nga kapitali është disa herë më e lartë se norma e kthimit nga puna. Në fakt, edhe në një analizë të statistikave të raportuar nga INSTAT, mbi vlerën e shtuar në ekonomi, punësimin dhe pagat, e mbështesin tezën time të mësipërme se pagat janë mbajtur artificialisht të ulëta, edhe pse produktiviteti në ekonomi është rritur. Në një analizë me të dhënat e periudhës 2010-2018, rezulton se produktiviteti mesatar në ekonomi është rritur me një ritëm mesatar vjetor prej 7%, ndërsa pagat nominale janë rritur mesatarisht me 3%. Që do të thotë se hapësirat për një rritje pagash, të motivuar me rritjen e produktivitetit, kanë qenë dhe me të paktën 4% më shumë çdo vit. Hapësirat kanë qenë edhe më të mëdha në sektorë të veçantë, përshirë dhe industritë e fasonerisë, me një rritje të mundshme që mund të ishte mbi 7-8%.

Duke analizuar ecurinë e pagave, e cila përfaqëson normën e kthimit nga puna, për të njëjtën periudhë rezulton se pagat në termat realë janë ulur. Nëse paga mesatare e raportuar për gjithë ekonominë në vitin 2010 ishte 30,395 lekë, në vitin 2018 ajo ishte 38,160 lekë, që e skontuar për një normë inflacioni mesatare 3% në vit, do të thotë se paga reale në vitin 2018 është vetëm 29,247 lekë të vitit 2010. Efektivisht, në terma realë, paga për një periudhë pothuajse dhjetëvjeçare nuk ka ndryshuar fare në termat realë, në fuqinë e saj blerëse, dhe kjo është mënyra sesi matet vlera e parasë; sa mallra dhe shërbime blejmë me paranë që kemi në xhep përgjatë kohës.

Pra, nëse për pothuajse 80% të popullsisë të ardhurat reale janë në stanjacion që prej gati një dekade, ndërsa fitimet e kapitalit rriten, atëherë pyetja e natyrshme është se a mund të jetë një sistem i tillë funksional? A është ky lloj kapitalizmi i qëndrueshëm? A do të mund të pranohet gjerësisht nga shoqëria shqiptare që sistemi ekonomik të funksionojë vetëm për një grup individësh dhe të mos arrijë që pjesa më e madhe e shoqërisë të ndryshojnë standardin e jetesës së tyre? Përgjigjja që vjen nga historia është: Jo. Herët apo vonë, tronditjet sociale do të destabilizojnë shoqërinë në një mënyrë të dhunshme, duke sjellë pasoja serioze për shoqërinë dhe të ardhmen e vetë sistemit.

Po pse kapitalisti shqiptar rend pas rritjes së fitimeve deri në ekstrem? Sepse me këto fitime mund të blejë biznese të reja, prona të patundshme, koncesione, zgjerime horizontale dhe vertikale në industri dhe në ekonomi, duke krijuar një akaparim të jetës ekonomike në limitet e karteleve dhe grupeve “holding”, që ngushtojnë gjithnjë e më shumë hapësirat për firma të reja, të vogla, por me potenciale rritëse; që ngushtojnë hapësirat e konkurrencës, duke krijuar një ekonomi të çmimeve të larta dhe duke përjashtuar kështu grupe të mëdha shoqërore nga konsumi i të mirave dhe shërbimeve. “Winer takes it all”.

Po nëse bizneset do të ndiqnin një tjetër logjikë, atë të rritjes së normës së kthimit nga puna, domethënë, të rrisnin çdo vit pagat dhe shpërblimet për stafin, të investonin në përmirësimin e kapitalit të tyre njerëzor jo vetëm në përmirësimin e aftësive të tyre teknike, por dhe në zhvillimin e dimensionit njerëzor të stafit. Për shembull, çfarë do të dëmtonte në fitimet e kompanisë që solla si shembull, nëse shpenzimet e personelit do të dyfishoheshin? Rënia e fitimit do të ishte krejt e papërfillshme; një rrumbullakim shifre pas presjes dhjetore. Por efekti pozitiv në ekonomi do të ishte i jashtëzakonshëm. E nëse ky eksperiment shtrihet në të gjithë ekonominë, ekonomia do të kishte një fuqi blerëse dy herë më të lartë. Firmat do të kishin mundësi të dyfishonin shitjet, duke shumëfishuar fitimet e tyre. Këtë bëri Fordi në fillimet e shekullit të njëzet në SHBA, dhe suksesi është i njohur. Një sukses që u imitua dhe që vazhdoi të respektohej deri në fundin e shekullit të kaluar. Shqipëria nuk do të rezultonte ekonomia me pagat më të ulëta në rajon, por do të tentonte të konvergonte me pagat e vendeve në zhvillim.

Është ndarja e madhe sociale që po krijohet nga fillimi i këtij shekulli, që bën thirrje për reformim. Të paktën disa gjëra duhet të ndryshojnë në një vend si Shqipëria, ku hendeku social është i thellë dhe varfëria është masive.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura