Paga mesatare në shtet u rrit me 11.5 % më 2017, më e larta që nga 2007

Mar 23, 2018 | 10:25
SHPËRNDAJE

Paga mesatare në sektorin shtetëror arriti 61,600 lekë në fund të vitit 2017 me një rritje 11.5% që në raport me vitin 2016, sipas të dhënave të INSTAT. Kjo është rritja më e madhe e shënuar që nga viti 2007 kur qeveria Berisha aplikoi një rritje agresive të pagave gjatë periudhës 2005-2008.

paga

Rritja e pagave për administratën vitin e kaluar u nxit nga zgjedhjet parlamentarë të 2017 ku qeveria në tremujorin e parë miratoi një rritje pagash mbi inflacionin për administratën me një mesatare 7%.

Paga mesatare në shtet është nxitur nga rritja jashtë mesatares për punonjësit e ministrisë së Financave dhe shpenzimet që nxiti reforma në drejtësi.

Ministria e financave me një vendim të posaçëm aplikoi rritje të pagave me 20 mijë lekë për të gjitha pozicionet që nga specialistët deri tek nivelet me te larta, teksa pjesa e tjetër e administratës ka përfituar rritje shumë më të ulët.

Gjithashtu paga mesatare është nxitur edhe nga rritja e pagave për sektorin e policisë me rreth 25 për qind.

Vitin e kaluar një fond prej 500 milionë lekësh u vu në dispozicion të reformës në drejtësi.

Një vite më parë në vitin 2016, pagat e administratës patën shënuar ulje me mbi 2 % në raport me vitin pararadhës.

Në vitin 2015, rritja reale e pagës ishte zero, për shkak se ndryshimi i pagës me +1.8% ishte i njëjtë me normën e inflacionit.

Në 2014-n rritja e pagës reale ishte vetëm 0.1%.

Pagat u rritën me shpejtësi nga viti 2000 deri në 2009-n, më pas ato u ngadalësuan për shkak se vendi filloi të ndjejë pasojat e krizës globale dhe ekonomia u ngadalësua, por edhe se baza ishte tashmë më e lartë, duke ulur përqindjen e rritjes.

Tre vitet e fundit qeveria zgjodhi të ndjekë politikën e konsolidimit fiskal, duke ngrirë rritjen e pagave në shtet, që rifilloi vetëm nga marsi 2017. Madje 2016-a rezulton viti i parë kur pagat nuk arritën të indeksoheshin as me normën e inflacionit.

Monitor

g2 g1

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura