Pafajësia e Arben Frrokut për vrasje, 6 pikat e errëta të vendimit në shkallën e parë

Jul 2, 2015 | 11:00
SHPËRNDAJE

“Vendimi i Gjykatës për shpalljen e pafajshëm të biznesmenit Arben Frroku, vjen si rezultat i një çmuarjeje, analize dhe interpretimi të njëanshëm dhe me mungesë objektiviteti të provave”.

Arben Frroku

Kështu thuhet, mes të tjerash, në ankimin që Prokuroria paraqiti në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda, e cila tri ditë më parë vendosi dënimin me burg përjetë për biznesmenin e akuzuar për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj në shkurt 2013. Është ky ankim, ku Prokuroria artikulon akuza për njëanshmëri nga ana e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, që u pranua në Gjykatën e Apelit tri ditë më parë.

Tani që dy Gjykata kanë dhënë vendime diametralisht të kundërta për të njëjtën çështje, bëhen publike disa nga faktet e renditura nga Prokuroria në ankimin kundër pafajësisë së Arben Frrokut. Një pjesë e këtyre fakteve janë publikuar edhe ditën e djeshme, ku mund të përmendet ndryshimi i dëshmisë nga deputeti Mark Frroku, vëllai i Arben Frrokut.

Po kështu, Prokuroria ka cituar edhe një përgjim të Arben Frrokut me bashkëjetuesen e tij, të cilën biznesmeni “e mëson” si duhet të sillej pasi policia ta merrte në pyetje pas atentatit ndaj Dritan Lamajt në Tiranë.

Ndërkohë, Prokuroria akuzon Gjykatën e Shkallës së Parë për keqinterpretim e shtrembërim të thënieve të dëshmitarit të mbrojtur e gruas së tij në vendin e ngjarjes. Po kështu, sipas Prokurorisë, Gjykata ka përfshirë në vendim prova e pamje filmike të paparaqitura në fashikull.

DËSHMITË E FAMILJARËVE TË LAMAJT
Prokuroria akuzon Gjykatën e Shkallës së Parë se në vendimin e 3 prillit 2015 ka cituar keq thëniet e familjarëve të komisarit të vrarë, Dritan Lamaj. “Një standard vlerësimi ndryshe të provave mban gjykata lidhur me dëshmitë e dëshmitarëve Esmeralda dhe Anila Lamaj, ku jo vetëm në citimin e dëshmisë së tyre nuk jepen të plota qëndrimet që ato kanë mbajtur para gjykatës rreth raporteve të viktimës me të pandehurin, të dhënave se ky i fundit e ka kërcënuar para ngjarjes, por gjen vend kundërshtimi i dëshmisë së tyre me deklarimet e dhëna në fazën e hetimeve paraprake, të kërkuara nga mbrojtja dhe të pranuara dhe të administruara nga Gjykata”, thekson Prokuroria.

THËNIET E DËSHMITARIT

Sipas Prokurorisë, dëshmitari Gëzim D., pa lidhje familjare me Arben Frrokun dhe pa njohje të ngushta shoqërore, i pyetur gjatë gjykimit më datë 30.04.2014, ka thënë se ai me telefonin e tij celular 068 62 …., ka telefonuar në drejtim të numrit celular të të pandehurit Arben Frroku 069 20… (nga tabulatet rezulton se kjo bisedë është kryer në orën 19;09.20 të datë 24.02.2013) dhe i ka treguar se është vrarë Dritan Lamaj. Por ky dëshmitar u shpreh skeptik nëse ishte zëri i Arbenit në telefon apo i dikujt tjetër, pas pyetjes së të pandehurit që “Zëri që ke folur në telefon është ky zë që po flas unë tani, apo zë tjetër? ai iu përgjigj; “… nuk më del i njëjti zë siç kam folur atë ditë në telefon, më doli më i hollë zëri atë ditë në telefon dhe ishte hera e parë që kam folur atë ditë në telefon me Arbenin”.

Në fakt, Gjykata përgjigjen e mësipërme të dëshmitarit e vendos në arsyetimin e saj, si rrjedhojë e pyetjes së drejtuar nga prokurori në seancë, por në fakt vjen e njëjta përgjigje edhe nga pyetja që i bën vetë i pandehuri, gjë e cila pasqyrohet në procesverbalin e seancës gjyqësore të datës 30.04.2014, në fund të pyetjes së tij.

MOSPËRPUTHJET
Sipas Prokurorisë, Gjykata në vendimin e pafajësisë për Arben Frrokun ka anashkaluar edhe shumë diferenca kohore në qëndrimet e biznesmenit dhe dëshmitarët në favor të tij në lidhje me kohën kur ka ardhur në dijeni për vrasjen e Dritan Lamajt.

“Po t`i referohemi dëshmisë së dëshmitarit Gëzim Deda, dhënë në Gjykatë më datë 30.04.2014, si dhe tabulateve telefonike të marra për numrat celularë në përdorim të të pandehurit Arben Frroku, rezulton se është njoftuar për vrasjen e viktimës Dritan Lamaj në orën 19:09:20 të datës 24.02.2013, kur ishte afër qytetit të Librazhdit dhe jo në Kapshticë në orën 21:27, siç thotë një herë apo në Korçë, siç thotë një herë tjetër”, thekson Prokuroria.

PAMJET FILMIKE NË VENDIN E VRASJES
Prokuroria akuzon Gjykatën edhe për analizën e pamjeve filmike të siguruara nga kamerat e sigurisë të sekuestruara te subjektet “lokali O.H”, “banesa e shtetasit Saimir D.” dhe “marketi Xh & R” ose i njohur ndryshe si “supermarketi Korçari”, të cilat gjenden në kryqëzimin e rrugës “Ibrahim Dervishi” me rrugën “Petro Korçari” dhe në rrugën “Ibrahim Dervishi”, të cilat janë në themelin e argumentimit të vendimit të Gjykatës. “Konstatojmë se gjykata i ka parë, këqyrur dhe interpretuar në mënyrë të njëanshme, duke i lejuar vetes të dalë në konkluzione të gabuara rreth vendndodhjes së dëshmitarëve të mbrojtur Arben dhe Liza Ndoka”, thekson Prokuroria.

Sipas saj, analiza që gjykata u bën pamjeve filmike që kanë mbuluar vendin e ngjarjes, e kryesisht që lidhen me pamjet që sigurohen nga kamerat e “banesë së shtetasit Saimir D.” dhe “marketit Xh & R”, bazohet në procesverbalet e këqyrjes së këtyre pamjeve të kryera në fazën e hetimeve paraprake, të datës 25.02.2013. Sipas këtyre procesverbaleve, nuk jepen këto të dhëna që gjykata ka cituar në vendimin e saj. Për këtë, po citojmë përshkrimin që of.Pol.Gjyqësore, Ilirjan Burhanaj, në procesverbalin e këqyrjes së datës 25.02.2013, që ka bërë për pamjet e siguruara nga kamera e “banesës së shtetasit Saimir D.”, i cili në faqen 2 të këtij procesverbali citon se: “…Gjatë këqyrjes së pamjeve filmike fiksohet si pamje me interes për hetimin periudha nga ora 19:34:12 deri në orën 19:34:15.

Në momentin e parë në ekran shfaqet rruga e zbrazët në krahun e djathtë të ekranit, vihen re dy autovetura njëra me ngjyrë gri të errët dhe tjetra me ngjyrë të zezë, të parkuara, si dhe një femër e cila është me trup mesatar, me flokë të gjatë, me një çantë me ngjyrë të çelët të hedhur kryq, pantallona me ngjyrë të çelët dhe me xhup me ngjyrë të errët, e cila afrohet te hyrja e një dyqani. Në pamjen filmike në orën 19:34:13, në ekran shfaqet pjesa anësore nga krahu i shoferit, si dhe pjesa e prapme e një autoveture me ngjyrë gri, me drita të ndezura, e cila është duke ecur me shpejtësi”.

Kjo këqyrje shoqërohet me një fotografi të rrezes që kamera arrin të mbulojë nga pozicioni që është vendosur. Vetëm sa më sipër cituam, ka përshkruar of.Pol.Gjyqësore, ndërsa Gjykata në vendimin e saj vijon me pamje të tjera, duke iu referuar këtij procesverbali, por në të vërtetë nuk gjenden në këtë procesverbal. Po ashtu, e njëjta gjë vlen edhe për pamjet filmike të siguruara nga kamera e marketit “Xh & R”.

GABIMI ME KOHËN E REGJISTRIMEVE
Prokuroria thekson se Gjykata në vendimin e saj nuk ka analizuar regjistrimet e bëra nga kamerat e sigurisë ose, siç quhen, pajisjet DVR. Pajisjet kompjuterike “smart” janë të programuara të bëjnë vetë rregullimin e orës së tyre sipas orës reale të zonës orare ku gjenden. Parimi i programimit të këtyre pajisjeve është rregullimi i orës me orën ekzakte.

Pajisjet në të cilat janë vendosur regjistrimet e tri kamerave të sekuestruara në cilësinë e provës materiale, nuk ishin të programuara të vetërregullonin orën sipas orës ekzakte të zonës orare. Mosvetërregullimi i orës së tyre sjell si pasojë edhe orë jo të saktë të time/date (orës dhe datës së vendosur tek regjistrimi), të dhëna të cilat i merr nga pajisja që mban regjistrimet. Kjo mospërputhje mund të sjellë edhe ndryshime në datën e vendosur te time/ date te regjistrimi.

Kjo është edhe arsyeja që tri regjistrimet paraqesin diferenca kohore në time/date të regjistrimeve për të njëjtën ngjarje të ndodhur në të njëjtën orë minutë dhe sekondë. Rregullimi më i rëndësishëm i orës dhe datës në sistemet kompjuterike është vetë ndryshimi që bëjnë këto pajisje me orën hënore dhe orën verore. Sipas marrëveshjes ndërkombëtare, ora hënore ndryshon një herë në vit dukë iu përshtatur ndriçimit natyror, me qëllim për të kursyer.

Sistemet kompjuterike aktuale, si kompjuterët, telefonat SMART, janë të programuar që të bëjnë vetëndryshimin e orës verore me atë hënore. Pajisjet, të cilat i kanë diktuar time/date të regjistrimeve të sekuestruara si prova dokumentare, nuk kishin këtë aftësi për të bërë ndryshimin e orës hënore me orën verore, prandaj kanë diferencë të ndjeshme në regjistrimet e tyre. Kjo analizë nuk është bërë nga ana e gjykatës në vendimin e saj.

Mosbërja e kësaj analize ka sjellë edhe konfuzion në përfundimet e saj në këtë vendim, duke krijuar edhe diferenca në paraqitjen e personave në regjistrime, dyshime të cilat i kanë kaluar në favor të të pandehurit. Kamerat e regjistrimit të sigurisë janë fikse dhe nuk ndryshojnë pozicion për të përfshire pamjet objekt gjykimi.

KAMERAT NË VENDIN E VRASJES
Prokuroria thekson se, po t‘i referohemi të dhënave që gjykata citon si të përfituara nga këto kamera, e kryesisht nga kamera e “banesës së shtetasit Saimir D.”, ka disa pasaktësi e konkretisht; Kjo kamerë nuk arrin të fiksojë kthesën që merr rruga “Ibrahim Dervishi” kur bashkohet me rrugën “Ramazan Demneri”, sikundër shprehet Gjykata në arsyetimin e vendimit, në faqen 81 të tij. Po ashtu, këto pamje filmike nuk mbulojnë të gjithë aksin e rrugës e aq më pak trotuaret në të dy anët e saj, nga ku ka qenë duke lëvizur dëshmitari i mbrojtur Arben Ndoka dhe bashkëshortja e tij, natën e ngjarjes.

Për këtë, mjafton të shikohet pamja e fotografuar mbi rrezen e kësaj kamere, e cila gjendet në faqen 2 të “procesverbalit të këqyrjes së CDsë me pamjet filmike” që lidhet me kamerën e “banesës së shtetasit Saimir D.”, të datës 25.02.2013, bërë nga oficeri i Policisë Gjyqësore, z.Ilirjan Burhanaj. Po t`i referohemi procesverbalit të rikëqyrjes së vendit të ngjarjes, datë 13.06.2013 dhe tabelës fotografike bashkëlidhur saj, konstatohet se pamja që sigurohet nga kamera e “banesës së shtetasit Saimir D.” mbi rrugën apo trotuaret anash saj, është e kufizuar duke lënë gjatësi rruge pa përshkuar, kthesë rruge pa përshkuar dhe pjesën kryesore të trotuarit.

Nëse shohim pamjen e “kabinës” ose “kioskës metalike” (cituar nga dëshmitarët e mbrojtur afër së cilës kanë qenë në momentin kur kanë dëgjuar krismat), e cila është në trotuarin e rrugës “Ibrahim Dervishi” afër kryqëzimit që kjo rrugë ka me rrugën “Ramazan Demneri” (pra, kjo është kthesa nga ku ka kaluar i pandehuri me makinë pas vrasjes), e cila pasqyrohet saktë në tabelën fotografike të këqyrjes së vendit të ngjarjes, datë 13.06.2013, në faqen 12 të saj, rezulton se kjo kioskë dhe gjithë kjo pjesë rruge dhe trotuari, përfshi dhe kthesën e rrugës, nuk gjen pasqyrim në pamjen e fotografuar mbi rrezen e kësaj kamere, e cila gjendet siç cituam më lart, në faqen 2 të procesverbalit të këqyrjes së CD-së me pamjet filmike që lidhet me kamerën e “banesës së shtetasit Saimir D.”, të datës 25.02.2013, bërë nga of.Pol.Gjyqësore, Ilirjan Burhanaj.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura