Paditë në gjykatë/ Reagon BKH: Procesi sipas modelit të FBI-së amerikane, po mbikëqyret nga tre prokurorë

Oct 28, 2020 | 18:34
SHPËRNDAJE

Pas disa padive në Gjykatë në lidhje me mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve për hetues, Byroja Kombëtare e Hetimit reagon duke theksuar se kriteret e pranimit janë të vështira dhe bëhen me synim për të krijuar një grup unik hetuesish.

bkh-1

BKH-ja thotë se procesi i përzgjedhjes bazohet mbi modelin e Byrosë Federale të Hetimit (FBI) në Shtetet e Bashkuara.

Në reagim thuhet se procesi po mbikëqyret prej një komisioni të përbërë nga tre prokurorë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të përzgjedhur në mënyrë rastësore.

Njoftimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit:

Byroja Kombëtare e Hetimit, me qëllim përmbushjen e detyrimeve të saj ndaj popullit shqiptar, duhet t’ju përmbahet standarteve më të larta. Me këtë qëllim, kriteret për t’u bërë një hetues janë të vështira dhe janë zgjedhur të tilla për të krijuar një grup unik dhe të përzgjedhur hetuesish.

Të gjithë hapat e procesit të përzgjedhjes, shumë prej tyre të ndërtuar sipas modelit të Byrosë Federale të Hetimit (FBI) në Shtetet e Bashkuara, janë rishikuar prej një Komisioni Ndërkombëtar për të siguruar një proces të drejtë dhe transparencë. Këta hapa përfshijnë verifikimin e aplikuesve për përmbushjen e kritereve, provimin me shkrim të arsyetimit logjik, testin fizik, shkrimin e esesë, intervistën me panel, testin e poligrafit dhe verifikimin e pasurisë dhe figurës.

Ndërkohë që kandidatët kanë hedhur këta hapa, janë duke u mbikëqyrur prej një komisioni të përbërë nga tre prokurorë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të përzgjedhur në mënyrë rastësore, dhe prej Komisionit Ndërkombëtar për të siguruar që këto faza kryhen dhe pikëzohen në mënyrën më të drejtë dhe transparente të mundshme.

SPAK beson se këto standarte të larta do të jenë faktorë të rëndësishëm për të siguruar që hetuesit e BKH-së janë të përgatitur dhe të aftë për të kryer punën e vështirë që i pret para.

LEXO EDHE: 

BKH në Gjykatë/Zbardhet padia e plotë e aplikantit: U eliminuam padrejtësisht, të pezullohet procesi i përzgjedhjes

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura