PADIA/ Rovena Gashi zbardh bisedën me Arta Markun: Shkarkimin ma thanë jashtë orarit zyrtar

Jan 10, 2018 | 21:00
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU/ Ish-drejtorja e Marrëdhënieve Juridiksionale me jashtë në Prokurorinë e Përgjitshme, Rovena Gashi, ka bërë padi në Gjykatën Administrative, vetëm 10 ditë pas lëvizjes së saj nga posti që mbante.

rovenagashi-e1485263867696-1024x527

Më 29 dhjetor të vitit të shkuar, Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku, e shkarkoi Gashin nga drejtore e Marrëdhënieve me Jashtë. Por Gashi nuk e ka pritur aspak mirë këtë lëvizje, dhe dy ditë më parë, më 8 janar 2018, ka bërë padi në Gjykatën Administrative, duke kërkuar shfuqizimin e urdhrit të Kryeprokurores Arta Marku.

Në kërkesën e saj, ajo ka hedhur akuza të forta ndaj Markut, duke pretenduar se shkak i lëvizjes, ka qenë kërkesa drejtuar KQZ-së, për heqjen e mandateve të dy deputetëve, Aqif Rakipi dhe Gledjon Rehovica. Gashi, në padinë drejtuar Gjykatës Administrative, jep gjashtë arsye pse duhet pezulluar urdhri i Markut për lëvizjen e saj.

Ajo madje zbulon edhe bisedën me Arta Markun përpara shkarkimit dhe në momentin kur iu komunikua lëvizja. Sipas Gashit, Kryeprokurorja e Përkohshme i ka thënë se dërgimi në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, të vendimeve të Sektorit të Verifikimit të Integritetit në Drejtorinë e Marrëdhënieve Juridiksionale me jashtë, në lidhje me rezultatet e verifikimit për deputetët e Kuvendit të Republikës së Shqiperisë, Aqif Rakipi dhe Gledjon Rehovica, pa u konsultuar paraprakisht me të dhe pa firmën e saj, përbën shkelje ligjore dhe etike dhe për këtë qellim, do të lirohej nga detyra e drejtorit të kësaj drejtorie.

Gjithashtu, vetë Gashi justifikohet në kërkesën e saj, se ajo është konsultuar me kryeprokuroren e përkohshme, por kjo e fundit i ka thënë sipas saj: “Nuk kam kohë tani sepse kam shume punë. Informacionin ma dërgo me shkrim”.

Gashi thotë në padinë drejtuar Gjykatës Administrative, se Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, nuk ka të drejtë të miratojë ose të ndryshojë organikën e Prokurorisë. Sipas Gashit, emërimi i saj në krye të Marrëdhënieve Juridiksionale me jashtë është bërë në bazë të urdhrave të Prokurorit të Përgjithshëm, të cilat janë ende në fuqi dhe se Kryeprokurorja e përkohshme, nuk mund të shkarkojë sipas kompetencave të Kryeprokurorit të përgjithshëm. Gashi shton më tej se shkarkimi i është komunikuar më 29 dhjetor 2017, në orën 17:00, pra, jashtë orarit zyrtar, dhe se në të nuk kishte asnjë arsyetim për lëvizjen.

Të plotë në Panorama print

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura