Padia ndaj Berishës, Gjykata rrëzon ish-zv.kreun e Agjencisë së Pronave

Oct 9, 2012 | 14:21
SHPËRNDAJE
Gjykata e Lartë

TIRANE – Gjykata e Lartë rrëzoi dje kërkesën e Sokol Hasanit, ish-zv.drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI-t, për hetimin e Kryeministrit Sali Berisha për akuzat e “shpërdorimit të detyrës” dhe për “moskallëzim krimi”. Hasani pretendoi para gjykatës se Kryeministri Berisha nuk kishte reaguar ndaj shkeljeve të kryera në Drejtorinë e Legalizimeve, ndonëse kishte dijeni. Nga ana e tij, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vlerësoi se vendimi i Prokurorisë së Përgjithshme për mosfillimin e procedimit penal ndaj Kryeministrit ishte i drejtë dhe si i tillë duhet të lihej në fuqi. Më herët, në seancë Hasani u shpreh se gjatë kohës që ka qenë në funksionin e zv.drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI-t, tetor 2010 – mars 2012, ka zbatuar vetëm ligjin. Sipas tij, për shkelje të vërejtura në lidhje me praktikat e legalizimeve nga ana e ALUIZNI-t, ai kishte lajmëruar Kryeministrin Berisha. “Letrat dhe SMS-të ia kam dërguar Kryeministrit, ku e vija në dijeni për shkeljet e bëra”, u shpreh Hasani. Sipas tij, Kryeministri Berisha e ka kryer me dashje veprën e “shpërdorimit të detyrës”. Para Kolegjit Penal Hasani u shpreh se pas këtyre kallëzimeve ai ishte shkarkuar nga detyra dhe në shkarkimin e tij nuk kishte asnjë motivacion. “Kërkoj shfuqizimin e vendimit të Prokurorisë së Përgjithshme për mosfillim procedimi penal ndaj Sali Berishës. Njëkohësisht kërkoj nisjen e procedimit penal ndaj Sali Berishës për veprat penale të ‘shpërdorimit të detyrës’ dhe të ‘moskallëzimit të krimit'”, tha Hasani. Nga ana e tij, përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithshme në proces u shpreh para Kolegjit se vendimi për të mos hetuar Kryeministrin ishte i drejtë. Në lidhje me shkarkimin e Sokol Hasanit nga detyra e zv.drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI-t, prokurori u shpreh se Kryeministri ka vepruar sipas kompetencave që i jep ligji. “Nuk ka elemente të veprës penale. Kërkoj të lihet në fuqi vendimi i pushimit”, pretendoi prokurori. Në të njëjtën linjë ishte edhe mbrojtësja e interesave të Kryeministrit, avokatia Erinda Ballanca. “Nuk jemi në kushtet e konsumimit të veprës penale”, tha mbrojtësja Ballanca.              ar.ba

Padi për shkarkimin
Pas shkarkimit nga detyra të zv.drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI-t, Sokol Hasani paditi në Gjykatën e Tiranës Kryeministrin e vendit, Sali Berisha. “Detyrimi i palës së paditur për të më dëmshpërblyer me pagën e 12 muajve për zgjidhjen e menjëhershme të pajustifikuar të kontratës së punës. Pagën e një muaji për mosrespektim të afatit të njoftimit. Pagën e dy muajve për mosrespektimin e procedurës së zgjidhjes së kontratës”, thuhej në kërkesë-padinë e Hasanit, e cila u depozitua në gjykatë në maj të këtij viti. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura