Pacientët te Trauma në kushte të vështira, por me mjekë dhe ilaçe

Aug 3, 2015 | 12:26
SHPËRNDAJE

Pacientët e traumatizuar në qendrën spitalore me të njëjtin emër po përjetojnë ditët më të këqija, pak nga vapa e pak nga kushtet që ofron spitali. Sa futesh në portën e madhe hyrëse të Spitalit të Traumës, zëra pacientësh që bërtasin të shoqërojnë deri në brendësi të tij.

spitali

“I doli narkoza shumë shpejt. Do sërish qetësues”, pëshpëritin infermierët nën zë për një pacient të operuar para disa orësh. Një tjetër shoqëron një pacient në karrige për ta çuar në pavijonin ngjitur. Për t’u siguruar, pyet kolegen nëse punon ashensori, pasi, në të kundërt, duhej të gjente një formë alternative për t’i bërë grafinë e këmbës pacientit që shtynte në karrocë. -Punon ashensori andej? -Po, ka dy ditë që është rregulluar. Dyert dhe dritaret nga larg duket se qëndrojnë të hapura gjatë gjithë kohës, si i vetmi luks që ofron spitali për pacientët në këto ditë përvëluese.

NJE DITE PUNE NE SPITALIN E TRAUMES
NJE DITE PUNE NE SPITALIN E TRAUMES
Ata që përveç halleve kanë më shumë para, kanë blerë ose sjellë nga shtëpitë freskuese. Sa për kushtet e tjera… flasin vetë pacientët. “Aman të keqen, mos na fol. Kemi dy javë këtu që po vuajmë bashkë me të sëmurët. Shikoji vetë, katër-pesë të sëmurë qëndrojnë në këtë ambient. Mirë që kemi marrë këto, se vdiqëm nga vapa”, tregon Vera. B., shoqëruese e një prej të sëmurëve, duke shfryrë vrerin e dy javëve që kishte qëndruar aty. Por mjerimi nuk mbaron me kaq. “Shiko aman, në lavaman nuk ka ujë, kemi një tualet me dy dyer, ku futemi njerëz nga dy dhomat ngjitur, rreth 20 njerëz në ditë. Ç’bëhet këtu?!”, shfryn ajo, duke vënë duart në kokë për ditët e vështira që po kalon aty.

PERSONELI
Në kontrast me kushtet e vështira të qëndrimit në spital, kujdesi i personelit shëndetësor është i pakursyer. Këtë nuk e themi ne. Janë shumica e pacientëve që pohojnë se shërbimi shëndetësor në atë ambient ka qenë maksimal. “Për këtë nuk qahemi, shërbimi i mjekëve, infermierëve ka qenë i përkryer. Na kanë ndenjur te koka e kanë ardhur sa herë i kemi thirrur. Edhe pastrueset vijnë çdo moment për të larë dyshemenë”, tregon E. Shabani, një i aksidentuar i shtruar në spital që prej tetë ditësh.

E për çudi, ndryshe nga amullia që shoqëron përditshmërinë në këtë qendër spitalore, si rrallëherë në këtë periudhë nuk është ndier shumë mungesa e medikamenteve, kryesisht ato bazë. Janë mjekët që thonë se ndryshe nga tre vite më përpara, ku druheshin përpara nisjes së një operacioni se duhej t’u thoshin të afërmve të blinin edhe dorezat, sot, së paku, ekzistojnë materialet mjekësore bazë, si fashë, allçi, jod e të tjera. Të njëjtën gjë e kanë pohuar për gazetën edhe pacientët. “Ditën e parë nuk kam paguar gjë. Më pas disa antibiotikë që kushtonin rreth 5 mijë lekë i kemi blerë vetë, pasi na thanë që nuk kishte në spital”, tregon një prej pacientëve të dhomës 4.

KUSHTET
Përpos përmirësimeve të dukshme që janë bërë e duhen thënë, mbetet ende shumë për t’u bërë. I referohemi ambientit ku rrinë çdo ditë të sëmurët që kanë pësuar trauma të ndryshme. Ende pa hyrë brenda, nuk ka sesi të mos të të bëjnë përshtypje dyer që varen në njërën anë, të dëmtuara prej kohësh, e kushedi kur rregullohen. “Kështu i kemi gjetur, as i lëvizim fare ditë e natë. Edhe pastruesja, kur tenton të fshijë, duket sikur do ta zërë dera poshtë”, thotë me ironi një mesogrua në korridor.

Vera B., shoqëruese e një prej të sëmurëve
Vera B., shoqëruese e një prej të sëmurëve
Një vëzhgim në të gjithë katin e dytë të korridorit zbulon se shumica e dhomave kanë jo më pak se katër pacientë… ka madje edhe me pesë. Përpos tyre, ka të paktën nga një familjar që u qëndron vazhdimisht te koka, pa llogaritur ata që hyjnë e dalin vazhdimisht. Sipas pacientëve që kanë mbi 10 ditë qëndrim, në spital mungon uji. Nuk bëhet fjalë për atë të pijshëm, por për ujë të bollshëm për të kryer nevojat personale. Siç thonë vetë ata, elementi jetik vjen dy herë në ditë dhe qëndron vetëm pesë minuta, të cilin përpiqen ta shfrytëzojnë për të mbushur shishet që i kanë rreshtuar poshtë lavamanit të improvizuar në një cep të dhomës.

Për më tepër, edhe çarçafët i kanë marrë nga shtëpia. “Jemi shumë keq. Kemi ngritur gjithë shtëpinë këtu. Përpiqemi të vijmë rrotull me kaq sa kemi, se për këto kushte mbetesh në baltë”, tregon një pacient rreth të shtatëdhjetave i shtruar në dhomën 4 të katit të dytë. E njëjta pasqyrë është edhe në katet e tjera. Më keq akoma në oborr. Ende, lirshëm, brenda rrethimit të spitalit lëvizin edhe qentë. Krahas tyre, të afërm të pacientëve të sëmurë kanë shtruar çarçafë për t’u çlodhur nën hijen e një peme, në pritje të daljes nga spitali të të afërmit të tyre.

Besarta Basha

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura