Pacientët shqiptarë me sëmundje të rralla, vjen lajmi i mirë. Tani edhe Italia do të…

Sep 21, 2019 | 13:25
SHPËRNDAJE

Pas Turqisë, edhe Italia merr përsipër trajtimin e specializuar të rasteve të veçanta të pacientëve shqiptarë, me sëmundje të rralla. Marrëveshja u arrit me Poliklinikën e Barit, gjatë vizitës së Ministres Manastirliu në Rajonin e Puglias. 

5e98d006-09da-4ead-b6a9-6bde0bb1d81e

“Jam shumë e kënaqur që bashkë drejtorin e përgjithshëm të Poliklinikës së Barit konkretizojmë dy projekte të rëndësishme, projektin rajonal për zhvillimin e telemjekësisë për menaxhimin e rasteve të infarkteve si dhe binjakëzimin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe Spitalit Universitar të Barit apo siç njihet, Poliklinika e Barit, që do të mundësojë trajtimin e pacientëve me sëmundje të veçanta në Itali”, tha Manastirliu gjatë vizitës së zhvilluar në Poliklinikën e Barit.

Drejtori i Përgjithshëm i Poliklinikës së Barit u shpreh se binjakëzimi i dy spitaleve universitare do t’i vlejë forcimit të marrëdhënies së miqësisë e vëllazërisë mes popujve tanë, por edhe shkëmbimit të eksperiencave.

Gjatë vizitës në Poliklinikën e Barit, u prezantua projekti ndërkufitar që konkretizohet mes tre shteteve të Adriatikut të Poshtëm, Italisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi në fushën e Telemjekësisë.

Projekti E-Shëndetësi ka si pritshmëri t’i përgjigjet më mirë nevojave të pacientëve, të reduktojë shpenzimet e kujdesit shëndetësor, duke mbajtur të njëjtën cilësi shërbimi. Në një nivel më të lartë, do të jetë në dispozicion një komunikim i dyfishtë me profesionistët e shëndetësisë, telemonitorimi i personalizuar i parametrave biomjekësor, monitorimi i përputhshmërisë me terapinë, etj.

Me anë të këtij projekti që nis të implementohet në tre shtete, do të bëhet i mundur krijimi dhe zhvillimi i rrjetit të infarktit territorial, duke përfshirë ambulancat instrumentale, ndihmën e largët për pacientët në rrezik, telemonitorimin dhe tele-emergjencën, me qëllim rritjen e efikasitetit të menaxhimit të infarktit, sidomos minutave pas ngjarjes dhe shkurtimit të kohës për ndihmë mjekësore. Qasja e re do të mundësojë përkufizimin dhe personalizimin e shërbimeve të reja sociale dhe të kujdesit shëndetësor të cilat janë përshtatur bazuar në faktorët socio-ekonomik dhe mjedisor, modelet e sjelljes, etj, duke krijuar një model të ri, më afër pacientit, modelin e mjekësisë personale. Projekti parashikohet të jetë 3-vjeçar dhe nis brenda muajit Tetor të këtij viti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura