PAA, parti me mision dhe program të qartë

Apr 13, 2021 | 10:20
SHPËRNDAJE

arben-malaj-1

PROF. DR. ARBEN MALAJ*

Standardet e zgjedhjeve të 25 prillit kanë një ndikim të jashtëzakonshëm për daljen nga kriza, rikthimin në normalitet, fatin e demokracisë funksionale që është rrezikuar ndjeshëm nga tendencat autokratike, por edhe për eliminimin e vetëpengesave dhe vetëvonesave në procesin e tejzgjatur të integrimit europian.

Ndryshimet kushtetuese për sistemin dhe procesin zgjedhor e kanë rritur dhe përkeqësuar deficitit demokratik. Nuk është e vërtetë që janë të mbyllura vetëm 30 përqindje e listave. Djalli qëndron në detaje – qartëson se listat janë të mbyllura në jo më pak se 60% të deputetëve të ardhshëm.

Asnjë “parti e madhe” nuk ka fituar mbi 50 % të vendeve në Parlament. Pra, 30 % i listës së plotë konkurruese është rreth 60 % e listës fituese. Po të kemi parasysh preferencat e diktuara personale në përbërjen e listave dhe radhën e tyre – fatkeqësisht janë nën një kontroll strikt personal mbi 85 % e listave konkurruese.

Pra, përfaqësuesit e votuesve në Parlamentin e ardhshëm i ka përzgjedhur partia, jo votuesi.

Elementi i dytë ka të bëjë me faktin se janë të qarta tendencat për të reduktuar deri në eliminimin e ekzistencën përfaqësuese të “partive të vogla”, të cilat mund t’i grupojmë në dy grupe. Grupi i parë, (ato ekzistuese), dhe grupi i dytë, të rejat.

Një grupim tjetër i “partive të vogla” është ai i partive me mision dhe program të qartë dhe i partive që kanë dalë nga grindjet e brendshme në partitë e mëdha dhe që nuk kanë dallime programore. Personalisht, nuk i paragjykoj partitë e reja dhe nuk i konsideroj kurrë si “parti të mullixhinjve”.

Për shkak të një angazhimi të drejtpërdrejtë si konsulent politik pranë PAA për ri-organizimin e saj drejt të gjelbërve europianë dhe për programin e saj ekonomik-elektoral dhe qeverisës të hartuar nga ekspertët e saj me eksperiencë të gjatë dhe të suksesshme po mundohem të qartësoj disa nga elementët thelbësorë të PAA si parti me mision dhe program të qartë.

1. PAA synon dhe do të jetë përfaqësuesja e të gjelbërve europianë në politikën shqiptare. Të gjelbrit janë një trend në rritje në vendet dhe institucionet europiane, por mungojnë tërësisht në përfaqësimin politik në Shqipëri në nivel vendor dhe kombëtar;

2. PAA qartëson publikisht vizionin e saj se: “Pa një bujqësi moderne, nuk ka Shqipëri moderne”;

2.1 Shqipëria që duam fillon nga pastrimi i ambientit nga ndojtjet fizike të qyteteve fshatrave, lumenjve dhe bregdetit;

2.2 Shqipëria duhet pastruar si nga ndrojtja akustike e zhurmave shurdhuese në ambientet publike, por edhe nga ndotja psikologjike të prodhuara nga “paraushtarakët partiakë” të rrjeteve sociale të financuara për pushtet absolut dhe të përjetshëm;

2.3 Atdheut ynë duhet pastruar rrënjësisht nga ndotja politike të prodhuara nga korrupsioni, nepotizmi, kapja e shtetit, por sidomos nga oligarkët që kontrollojnë politikën dhe nga politikanët që synojnë të arrijnë oligarkët – në garën e pasurimit të shpejtë deri edhe kriminal;

3.PAA është një zë i fortë publik dhe thellësisht profesional për vizionin dhe apelin e saj publik për ndaljen e braktisjes së familjeve dhe Shqipërisë.

3.1 Ndalja e braktisjes së vendit – që është plaga më e rëndë në zemër të prindërve për fëmijët dhe të fëmijëve për prindërit e tyre;

3.2 Braktisja është varfërimi me pasojat më afatgjata në dëmtimin e faktorëve përcaktues të zhvillimit të vendit, që janë njerëzit punëtorë dhe të mençurit e çdo kombi. Studimet argumentojnë se varfëria jomateriale godet më rëndë dhe më gjatë se varfëria materiale;

3.3 Zhvillimi i qëndrueshëm dhe i drejtë kërkon vizion, politika dhe investimet që krijojnë shpresën dhe mundësi reale në fshatrat dhe qytetet tona;

3.4 Mosbraktisja e fshatit dhe e Shqipërisë fillon me barazimin e mundësive për arsim, shëndetësi si edhe mbështetjen me vizion, politika, projekte dhe skema financimi lehtësuese të ciklit të prodhimit, grumbullimit, përpunimit, agrobiznesit dhe agroturizmit në nivel rajonal dhe kombëtar;

4. Shqipëria po rrezikon të kopjojë në politikë modelin dypartiak, ku të fortët synojnë pushtet absolut;

4.1 Të gjitha institucionet, indekset ndërkombëtare dhe apelet publike të partnerëve strategjikë të Shqipërisë – vërtetojnë varfërimin shpirtëror dhe ekonomik të shqiptarëve, mosfunksionimin e demokracisë funksionale dhe risqet në rritje për autokratët;

4.2 Për këtë realitet të hidhur shoqëror, ekonomik dhe politik nuk duhet të gëzohet asnjë, aq më pak nuk duhet të fshihet apo të zbukurohet dhe mbrohet ky realitet nga militantët partiakë me “pushkë dhe penë dixhitale”;

4.3 Nënshtrimi me joshje i elitave për të mos u shprehur apo për t’u bërë pjesë e dekorit 3D – është provë dështimi dhe varfërimi, jo suksesi. “Fshati që duket nuk do kallauz as 3D”,- këshillon populli i mençur shqiptar;

5. Shqipëria po vuan nga kultura e mosdënimit të hajdutëve të ëndrrave, pasurive, parave dhe votave të çdo shqiptari apo jo?!

6. PAA është parti e qendrës e themeluar nga personalitete të bujqësisë, ambientit dhe sigurisë ushqimore dhe e luftuar më shumë urrejtje nga disa rilindës të Partisë ose “intelektualë” në shërbim të Partisë;

7. Kryetari i PAA ka profilin profesional dhe publik shumë herë më të mirë se disa prej përzgjedhjeve spontane dhe personale gjatë 8 viteve për bujqësinë;

8. PAA ka mision të qartë dhe program thellësisht profesional të prezantuar disa herë në publik dhe të negociuar me koalicion;

9. PAA ka bërë publike mashtrimin rrëqethës të “Rilindësve” që: Sipas PBA/buxhetit afatmesëm 2021-2023, të miratuar në nëntor 2020, ka ulur mbështetjen buxhetore për bujqësinë;

9.1 Bujqësia është e braktisur sepse për vitet 2022-2023 qeveria ka parashikuar uljen e mbështetjes buxhetore në vetëm 57 qindarka në 100 lekë;

9.2 Bujqësia prodhon rreth 18% të PBB-së, në zonat rurale jetojnë rreth 45% e popullsisë, por merr si mbështetje buxhetore vetëm 1.8/ nga 100 lekë të GDP-së;

9.3 Statistikat e Rilindjes vërtetojnë këtë keqfinancim të zhvillimit të qëndrueshëm rural;

9.4 PAA ka argumentuar se thithja e fondeve të bujqësisë nga BE dhe donatorë të tjerë duhet të rrisë buxhetin total të bujqësisë.

9.5 Buxheti i bujqësisë nuk është rritur, prandaj me të drejtë ekspertiza e PAA-së konkludon se: “Rilindja i heq paratë bujqësisë dhe ia jep oligarkisë”;

10. Programi ekonomik i PAA është hartuar me dhe nga ekspertët më të mirë të bujqësisë dhe të politikave sektoriale, shoqatat për politika mbështetëse për fshatin dhe grupet e interesit për punë dhe zhvillim në çdo sektor të bujqësisë dhe ekonomisë;

11. PAA ka propozuar për herë të parë – skemën e sigurimit të bujqësisë nga fatkeqësitë natyrore me subvencionim të primit të sigurimit (risk sharing) 50% shteti dhe 50% fermeri;

11.1 Në zonat me risk të lartë, kjo skemë të fillojë me 70% shteti dhe 30% fermeri – deri sa standardet, investimet publike dhe private të ulin riskun dhe kostot e këtyre fatkeqësive;

11.2 PAA po zhvillon takime intensive me Institutin Botëror të Skemave të sigurimit në bujqësi për studimin e natyrës së risqeve dhe gjeografinë e zonave me risk të lartë, qartësimin e skenarëve më të mundshëm si edhe ndërtimin e kuadrit ligjor, institucional e menaxhuese të skemave të sigurimit në bujqësi edhe në Shqipëri;

12. PAA këmbëngul dhe e ka në programin e saj ekonomik e qeverisës – krijimin e Bankës Shqiptare të Zhvillimit (BSHZH);

12.1 BSHZH rrit përgjegjësinë dhe eficiencën e çdo qindarke të buxhetit dhe të donatorëve;

12.2 BSHZH do të mbikëqyret nga Parlamenti dhe jo nga ministri personal. Shteti ligjor është shumë më efikas se qeveritë e shokëve dhe për shokët, të cilat kudo kanë rezultuar të dështuara dhe varfëruese për votuesit dhe vendet e tyre. E ardhmja është e gjelbër.

*Lektor i Ekonomiksit të Zhvillimit. Konsulent politik

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura