Pa Solomonin dhe Boldorin, Sormani “eksperimenton” formacionin për Bylisin (E PLOTË)

Jul 6, 2020 | 14:34
SHPËRNDAJE

Në prag të transfertës së Ballshit, Partizani ka marrë një goditje të madhe. Deian Boldor ka pasur probleme fizike dhe nuk është grumbulluar për sfidën me Bylisin. Dëmtimi i rumunit ka krijuar një gropë të madhe në qendër të mbrojtjes, kur dihet që edhe Egzon Belica nuk është rikuperuar akoma.

ivan boldor

Në këto kushte ka një alarm te “demat” në mbrojtje, pasi i vetmi qendërmbrojtës që përmbush kërkesat e stafit teknik është Eneo Bitri. Në kushte emergjence trajneri ka provuar Esin Hakajn në ndeshjen me Flamurtarin, ku shkodrani e kaloi me sukses provën.

SORMANI NDRYSHON STIL- Partizani nën drejtimin e trajnerit Adolfo Sormani me sa duket ka qenë i dashuruar pas shprehjes: Mbrojtja më e mirë është sulmi. Por ky postulat nuk funksionoi te Partizani, pasi ndonëse krijonin volum loje dhe presion para portës kundërshtare, sulmuesit nuk dinin të finalizonin. Nga dëshira për të shënuar dhe dhënë spektakël, ekipi çorientohej në prapavijë, gjë e cila solli edhe zbehjen e pikës më të fortë që ka pasur skuadra në vitet e fundit, mbrojtja solide. Trajneri Sormani me sa duket e ka kapur me vonesë këtë defekt, dhe është detyruar të kthehet te sistemi familjar i Partizanit, ku shembulli më konkret ishte vjet, ku nën drejtimin e Skënder Gegës të kuqtë tregun se dilet kampion edhe me fitore 1-0. Mishërimi i kësaj filozofie loje të Partizanit u pasqyrua më së miri në ndeshjen e fundit ndaj Laçit, ku ekipi diti të përballojë presionin e kundërshtarit dhe të menaxhojë golin e Çinarit duke i dhënë më shumë përparësi fazës mbrojtëse.
DALIPI SORMANI
Madje trajneri Sormani pas fitores 1-0 me kurbinasit me sinqeritet e ka pranuar edhe vetë se duke qenë më të kujdesshëm në prapavijë, arritën të jenë të suksesshëm. “Ka pasur ndeshje në të cilat kemi bërë shumë në fazën sulmuese, por jemi sulmuar sërish, sepse nuk kemi bërë mirë sa i përket rezultatit. Jam i kënaqur, sepse shënuam një gol dhe ishim të blinduar mbrapa, duke mos e lejuar kundërshtarin të na kërcënojë. E kishim përgatitur ndeshjen në mënyrë të tillë, që nëse do të shënonim gol, do të qëndronim mbrapa dhe më pas do të niseshim drejt sulmit”, u shpreh trajneri i Sormani pas fitores së fundit me Laçin.

Partizani2
Pesë javët e mbetura kanë shumë rëndësi për të kuqtë, ku rëndësi kanë rezultatet, jo lojërat, në mënyrë që të sigurojë përfaqësimin në Europë. Rikthimi te stili i vjetër i lojës nga ana e “demave” pritet të praktikohet edhe sot ndaj Bylisit, ku kërkohet një ekip i kujdesshëm në fazën mbrojtëse dhe dinak në pjesën ofensive. Madje trajneri Sormani, fill pas trepikëshit me Laçin, pohoi se mendon vetëm për Bylisin, ndaj të cilit ka një objektiv për të arritur. Pa dyshim, dihet që objektivi i vetëm i trajnerit Sormani dhe të gjithë lojtarëve është marrja e fitores, pasi javët në vijim janë periudhë prove për mbarë kampin e kuq.
bylis partizani
FORMACIONI – Në mëngjesin e djeshëm Partizani u ka dhënë fund përgatitjeve për transfertën e Ballshit. Ekipi është grumbulluar që mbrëmë në Fier për ndeshjen me Bylisin, ku kërkohet fitorja e katërt radhazi për të besuarit e trajnerit Sormani. Theofilus Solomon është i pezulluar nga kartonët ndaj Bylisit. Egzon Belica akoma nuk quhet plotësisht i rikuperuar nga dëmtimi që pësoi në ndeshjen me Luftëtarin, por problemet janë shtuar edhe me lëndimin e Boldor. Për duelin me Bylisin, stafi do t’i besojë formacionit fitues të tri ndeshjeve të fundit, ku dallimin pritet ta bëjë Hakaj në qendër të mbrojtjes. Trepikëshi është shumë i dëshiruar për disa arsye, ku themelore është sigurimi i biletës europiane, ngushëllimi i vetëm për këtë sezon. Një tjetër arsye është mungesa e gjatë e fitores me Bylisin, ku për herë të fundit Partizani i ka mundur më 9 mars 2016.

PARTIZANI

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura