“Pa Iniestën dhe Ksavin është e vështirë”, rrëfimi special i Leo Mesit: Si më bëri Pepi sulmues të fshehtë

Jan 15, 2020 | 21:02
SHPËRNDAJE

Lionel Mesi tregon sekretet e një sulmuesi. Në një intervistë për “DAZN”, kapiteni argjentinas zbulon ndryshimin që pësoi me trajnerë të ndryshëm, por pranon se pa Iniestën dhe Ksavin tani gjërat janë shumë të vështira, sidomos për zotërimin e topit. Ai vlerëson sfidën me Ronaldon. 

hi-res-fe9fd7e1a886b352761a0adc52d18c67_crop_north

Si ndryshoi roli juaj nga kalimi në Argjentinë dhe te Barcelona? 

Kisha luajtur një ose dy vite futboll në Argjentinë me Njuells dhe isha sulmues i parë. Pastaj kur u transferova në Spanjë, Barcelona luante me skemën 3-4-3 dhe vendi ideal për mua ishte në mesfushën romb pas sulmuesit. Në këtë mënyrë lëvizja ashtu sikur isha adoleshent dhe kisha lirshmëri. Por ndonjëherë kam luajtur edhe në krah. Shumë rrallë, por e kam bërë edhe atë rol.

Pastaj debutimi te Barcelona ishte në krahun e djathtë… 

Nuk kisha zgjedhje tjetër sepse ishin Eto në qendër dhe Ronaldinjo nga e majta. Mua më dërguan djathtas. Ishte një rol krejtësisht i ri për mua dhe nuk kisha luajtur kurrë në atë pozicion. Duhet të përshtatesha, por nuk e mendoja shumë. Isha i lumtur sepse doja thjesht të luaja shumë. Pak nga pak fillova ta pëlqej shumë atë rol, sepse futesha nga e djathta në të majtë dhe përdorja këmbën time të preferuar për të goditur fort. Kisha të gjithë fushën para.

Kur erdhi Guardiola u spostuat në qendër dhe në shumë ndeshje ishit si sulmues i fshehur. Si e pritët ndryshimin?

Kujtoj se ishte një surprizë për mua. Më mori një ditë përpara ndeshjes në qendrën stërvitore dhe më futi në zyrë.

Çfarë ju tha? 

Më tha që i kishte parë shumë ndeshjet e Realit të Madridit, ashtu siç bënte me të gjithë kundërshtarët dhe që kishte folur me Titon për të më aktivizuar mua si sulmues të fshehtë. Në këtë mënyrë Eto dhe Henri do të luanin nga krahët. Në këtë mënyrë mesfushorët e Realit do të tërhiqeshin më shumë. Ideja ishte që mbrojtësit qendrorë të fokusoheshin tek unë dhe lojtarët e krahëve të avanconin me lehtësi drejt qendrës. Në realitet shënuam një gol të bukur me Henrinë. Ishte një surprizë si për mua, por edhe për Realin e Madridit. E kujtoj atë ndeshje dhe kishim shumë zotërim topi. Unë e njihja si pozicion, pavarësisht se nuk isha perfekt.

Por aventura si “bomber” zgjati pak, sepse ju u rikthyet në vendin e preferuar… 

Kisha më shumë lirshmëri nga e djathta, por gjithmonë shkoja në qendër. E kam bërë edhe me sulmuesit si Vija, Suarez, ndërsa Nejmar qëndronte më i larguar. Unë kur luaj nga krahët, përpiqem që të qëndroj sa më afër mesfushorëve. Kjo ka ndodhur kur u larguan Ksavi dhe Iniesta, sepse me ata kishim më shumë zotërim topi. Tani që nuk janë më, duhet që të tërhiqem më shumë për ta marrë topin dhe për të krijuar superioritet numerik. Më pëlqen të nisem nga mesfusha për të shënuar. Aty kam lirshmëri të madhe.

messi-252186

Deri kur ndonjë trajner vendos që të markojë rreptësisht me një lojtar kundërshtar. 

Nuk më shqetëson kjo pjesa kur markohem nga një lojtar, por e di që ato janë ndeshje të shëmtuara. Është e çuditshme që të kesh dikë pranë gjatë gjithë ndeshjes. Nuk më bezdis, por s’janë ndeshje normale.

 Çfarë bisedoni me kundërshtarin kur ju qëndron afër në markim? 

Po ndonjëherë flasim. Varet nga mënyra se si shkon ndeshja dhe çfarë ndodh. Ndonjëherë bisedojmë më gjatë.

Cili ka qenë markimi më i vështirë në karrierën tuaj? 

Nuk më kujtohet në fakt… Ah, në realitet është Pablo Mafeo i Gironës. Markimi i tij ishte shumë i ekzagjeruar.

Për t’ju ndalur duhet të merrni edhe ndonjë goditje ndonjëherë. 

Nuk jam nga ata lojtarë që ankohet gjithmonë. Unë mendoj se kontakti fizik dhe goditjet janë pjesë e lojës. Unë mërzitem kur ndërhyrjet janë negative, por nëse jo, nuk është problem. Është pjesë e lojës.

maxresdefault (1)

Në Spanjë nuk është më Kristiano Ronaldo. Si është sfida në distancë me të? 

Ishte një duel special dhe do të mbetet gjithmonë i tillë, sepse zgjati për shumë vite dhe nuk është e lehtë që të qëndrosh kaq shumë vite në nivele të larta. Për më tepër luanim në dy skuadra të forta si Reali dhe Barcelona, dy më të mirat në botë. Dueli sportiv për ne ka qenë shumë i bukur në nivelin personal, por edhe njerëzit janë argëtuar.

Keni nostalgji për të? 

Kur Ronaldo ishte në Madrid, ndeshjet ishin speciale. Gjithmonë ndaj Realit është bukur të luash, por atëherë ishin ndeshje më interesante. Por janë pjesë të së shkuarës dhe tani secili sheh përpara për objektivat e tij.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura