Otto Witte, në teatër klouni që u bë mbret në Shqipëri

Sep 22, 2020 | 11:31
SHPËRNDAJE

Kush e tha se të vish në fronin e një shteti duhet të jesh trashëgimtar i një dinastie, diplomat, politikan a personalitet i vendit? Me pak fat, edhe një kloun a magjistar mund t’ia dalë, veçanërisht nëse flitet për një vend me sistem të kalbëzuar si Shqipëria. Në tarracën e Pallatit të Kulturës, shfaqja “5 ditë mbret”, me skenar dhe regji të Stefan Çapalikut, solli historinë e gjermanit Otto Witte, për të cilin flitet se drejtoi për 5 ditë Shqipërinë Mbretëri në kaosin e vitit 1913, duke e përshtatur me aktualitetin. Një lojë e teatrit politik, ku përkimet me Parlamentin e sotëm mund të jenë edhe krejt rastësore. Kjo, edhe sepse përgjatë një shekulli, qeveritë në vend vështirë të kenë bërë kapërcime të mëdha, në mos hapa pas, sa u përket “të përzgjedhurve”.

kluon

“5 ditë mbret”, si prodhim i Teatrit Metropol, shënoi shfaqjen e parë premierë pas periudhës së pandemisë, ku pesha e shfaqjes në këtë zhanër pak të lëvruar në vend u menaxhua me profesionalitet nga dy aktorët e rinj, Rafael Hoxhaj dhe Ismail Shino. Ndonëse në netët e para ritmi kërkonte të ishte edhe më i përshpejtuar, Çapaliku si një nga “të fortët” e regjisë dhe efekteve skenike, përmes notave të humorit, arriti “të vizatonte” një panoramë të vendit, shoqërisë sonë, të pajtuar me përulësi me çdo të keqe. Po ashtu, ai ngre disa pyetje ekzistenciale për nevojën e “vaisjes” së ndërgjegjes së ndryshkur të një populli “puthadorë”, zhytur në padije.

index

Si pasojë, të tillë vijnë edhe ministrat servilë të vendit, që sipas skenarit të Çapalikut mund të menaxhohen lehtësisht nga klouni shëtitës i shpallur mbret. Ata binden pa sforco, që për hir të parave të shpejta, të cilat mund të rrisin buxhetin, ta mbështetin ekonominë e Shqipërisë, në kultivimin e hashashit dhe shitjen e truallit a deteve. Një mentalitet i trashëguar, që mund të ngjallë debate për momente të veçanta historike a qeveritarë, veçanërisht ata të ditëve të sotme, ku përkimet bëhen edhe më therëse.

Mund të jetë i tillë ose jo edhe ai i përzgjedhjes së ministreve apo zyrtareve të larta nga “haremi” i mbretit, që më pas ky i fundit “t’i përdorë” lehtësisht për zbatimin e vendimeve të tij.

index1

Mbreti kloun dhe asistenti

Ngjashmëria fizike me princin turk Halim Eddine, të diskutuar për të udhëhequr Shqipërinë që sapo kish fituar pavarësinë, e bëjnë klounin Otto dhe asistentin e tij të thurin planin tinëzar, duke u shfaqur në Shqipëri në vitin 1913 si të deleguarit.

Menjëherë pas jetësimit të planit, që kapërcen kufijtë e imagjinatës, ndodh edhe një lloj përmbysje e roleve të binomit asistent-kloun, në ndihmës-mbret.

Asistenti, me të provuar mbretërinë, nis në njëfarë mënyrë të bëhet ai vet “timonieri”, ndonëse në dukje është mbreti ai që “vë punët në vijë”.

2

Ismail Shino sjell në një komedi 6 role. Falë përshtatjes së tij interpretative në rolin e doktorit, ministrit të Bujqësisë, ndihmësmbretit, vrasësit të mbretit e deri në rolet femërore, vështirë të kuptosh se ke përballë të njëjtin aktor.

Ndërsa Rafael Hoxhaj me elasticitetin e tij, portretin shprehës e gjestikulacionet arrin të plotësojë figurën e klounit të zemëruar, edhe nga ai audicion në teatër që e la pa u bërë aktor. Po ashtu, ai i përçon me lehtësi publikut frikën e vetmisë dhe errësirës që kaplon pushtetarët, kur një fron u rri ngushtë kompetencave të tyre, apo kur pesha e aferave korruptive nis “e shtrembëron” shpinën ligjore të një vendi.

Vërtetimi i mohuar i aftësisë

Ndonëse magjistari Otto Witte edhe në pllakat e varrit e etiketon veten si mbret të Shqipërisë, historia që ai pretendon se ka jetuar vështirë të bindë kënd. Ia thotë këtë edhe doktori i tij, i cili, pavarësisht përpjekjeve të Ottos për ta bindur se gjithë sa thamë ka ndodhur, refuzon t’i japë vërtetimin e aftësisë. Ish-mbret apo jo, Otto, kohë më pas aventurës mbretërore, ka pësuar tjetërsime. Lëvizjet e pakomanduara të trupit, mimika e tij nuk duken të imitojnë klounin e dikurshëm. Madje, ngjason sikur ajo periudhë në dukje “fatlume” e gjithçkaje ka jetuar e kanë strukur në një botë, ku frika e çmenduria i bëjnë shoqëri.

4

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura