Otranto dhe Deti Jon

Apr 18, 2018 | 10:30
SHPËRNDAJE

Myslim-PashaMYSLIM PASHA

Një kumt fqinjor sapo vjen nga Greqia në këto ditë, kur kanë filluar të pikojnë negociatat e reja midis të dy vendeve Greqi e Shqipëri, për Marrëveshjen e Detit. Cepi veriperëndimor i Arkipelagut të Korfuzit, me bashkësinë e siujdhesave Othonoi, Erikuzza, Mathraqi është zgjuar. Një roje dhe një postë ishullore dhe detare dhe një flamur grek valëvitet në breg. Shefi i Shtabit të Ushtrisë Greke, Alqiviadhis Stafani, u gjend në Othonoi në një përnjohje ushtarake dhe inspektim shumëdimensional.

Aty dolën zëra të pandijuar më parë se vetë banorët dhe strukturat vendore kishin propozuar ngritjen e një poste ushtarake dhe të një Observatori në ujdhesën e Erikuzzës. Nuk është një kërshëri apo vepër që nuk lë gjurmë, as një lajm turistik, vijnë terma të padëgjuara më parë për ngritje të një flamuri në këtë cep veriperëndimor, në Otranto. Krejt natyrshëm, një shtet fqinj i jep rëndësi strategjike grupit siujdhesor të Korfuzit që fundon me Othonoin.

A bën përshtypje në Shqipëri ky Inspektim ? Është një shembull vlerësimi gjeostrategjik dhe ekonomik që s’ke ç’i thua, në modelin që sjell. Edhe pse është një siujdhesë dhe që ka kundruall Bregun e Otrantos dhe atë të Karaburunit (Akrokeraune) që janë Dhe Kontinentalë, posta që po ndërtohet dhe flamuri që sapo është ngritur është një sinjal me rëndësi. Ndodhemi në Trekëndorin (Itali, Shqipëri, Greqi) nuk është Trekëndori i Bermudës, por i zotërimit të Ngushtesës së Otrantos, që hap gjirin e Kanalit të Korfuzit.

Secili prej tre shteteve e ka pasur dhe vijon ta ketë një vizion gjeostrategjik për këtë trekëndor të Mirësisë, Fqinjërimit dhe të kujtesës historike, e cila s’ka qenë vijimisht e paqes, por edhe e luftës e pushtimit. Në ditë të sotme, kjo gjeohapësirë është një gjyryk lëvizor i njerëzve dhe mallrave, një përmasë ekonomike zhvillimore prej Europës Qendrore në përfshirje të Apenineve dhe Ballkanit Perëndimor.

Është gjeohapësira detare, për të cilën ka gati dhjetë vjet që u ndërmor një Marrëveshje për ndarjen e hapësirave detare në Veriun e Detit Jon midis Greqisë dhe Shqipërisë. Ngjan sikur teksa dikton Otranto (ku është largesa më e shkurtër midis Shqipërisë dhe Greqisë 75,5 km ) dhe më tej hap gjirin Ngushtesa e Korfuzit ose Kanalit të Korfuzit (se ai është aq i ngushtë, sa të vërshëllesh nga një breg në tjetrin e të ndihesh, mbasi është i gjithi Det Territorial, ç’ka nënkupton se përkon njëllojshëm me Dheun Kontinental.

Vija kufitare në këtë trup të ngushtë ujor detar përgjatë brigjeve të Shqipërisë dhe Greqisë është kontrolluese dhe gjeostrategjike midis të dy vendeve. Kanali është një kalim nga Deti Adriatik në Veri deri në Detin Jon, që përdoret nga transporti vendor Itali, Shqipëri dhe Greqi në portet e Sarandës, Shqipërisë dhe Igoumenicës , po edhe me trafik vendor dhe turistik prej Shqipërisë, si dhe ai ndërkombëtar nga Adriatiku. Në sy të kësaj ngushtese frymon një pjesë e madhe e trafikut lundrimor, pasi tërheq mbi 21% të turistëve dhe lëvizje të mallrave dhe pasagjerëve të Ballkanit Perëndimor.

Veriu i Mesdheut ka përqindjen më të lartë të qarkullimit të anijeve, njerëzve, mallrave sepse zona është në zhvillim urban intensiv. A nuk iu duket se kjo gjeohapësirë është një peshore e madhe, një kontroll dhe një skaner i gjithëllojshëm në Ballkanin Perëndimor sikur ta kishe drejtpërdrejt në bregun e Dheut Kontinental të Shqipërisë? Korfuzi është Roja Veriore e Ujdhesës më të Madhe dhe kuptohet se pretendon që është roje, kur në të vërtetë Observator është Siujdhesa e Karaburunit që përzgjatet në vijë-skajin perëndimor me peizazhin e magjishëm të Dheut Shqiptar me përfshirje të Himarës, të Sarandës Historike dhe të Butrintit Gjeohistorik gjer në gjirin e Ftelias.

Kush zotëron? Pa dyshim Dheu Kontinental! Ai, i cili sipas ligjit të Detit zotëron Ujërat Detare dhe shtratdetin (Shelfin) në Hapësirën Ekonomike Ekskluzive. Dheu Zotëron Detin… A dëgjon kush? Secili duhet të marrë me ndershmëri dhe drejtësi atë që i takon me një vlerësim dhe peshim sipas të drejtës Juridike të Ligjit të Detit. Këtu bashkëjetohet në Dheun, Detin e Qiellin e përbashkët, në shekuj dhe në vijim, por edhe pretendohet, doemos, për ato hapësira, të cilat ende nuk janë ndarë. Ka interes strategjik, ekonomik, gjeopolitik, të cilat për secilin shtet kanë vlerësimin në fushën e Sigurisë në Ballkan dhe Europë dhe po kësisoj, në zhvillimin ekonomik.

Vitet e fundit, një interes i gjithëpranuar është përcjellë për pasuritë natyrore poshtë shtratdetit Kontinental (Shelfit) me synime zbulim dhe shfrytëzim të Hidrokarbureve. Pikërisht në Hapësirën e Ekonomike Ekskluzive që shtrihet në veri të Othonoit, ku po ngrihet një Postë e re dhe një Flamur i dukshëm. Aty ndodhet BLLOKU (1) i projektit Grek për zbulimet pararendëse Gjeofizike të Hidrokarbureve. Prandaj më ndijoi kumti që erdhi nga Vizita e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Greke në Othonoi e Erikuzza, duke vlerësuar kreun ujdhesar Othonoin, që pretendon të njëjtin vlerësim dhe përmasë detare sikundër Otranto dhe Karaburuni.

Ujdhesa me sipërfaqe rreth 10 km2, garon dhe bën kanosje me 1170 km2 që ka vija e Karaburunit që shikon kundruall. Në marrëveshjen e parë, tanimë të vdekur, për ndarje të Detit, pikës Othonoit iu blatua përveç 12 m.d. si det Territorial, edhe Hapësira Ekonomike Ekskluzive me prirje për t’u bashkuar në të njëjtën koordinatë me pikën e mesit të vijës : Gjiri i Gramës – Otranto. Posta e Re që po ngrihet si dhe themelet e eja të Observatorit në Erikuzza, zgjojnë interes gjeostrategjik dhe ekonomik në këtë Trekëndor.

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Kotziaz, para do kohësh teksa i përgjigjej një gazetari, pati theksuar se “Do të shtrihemi në 12 m.d , si Det Territorial…e më pas po kështu, ai “pohoi” edhe për Hapësirën Ekonomike Ekskluzive! Ndërkaq, ekipet Negociatore po punojnë (siç thuhet), por deri tash nuk ka tejdukshmëri se si “e kanë synë”, a do të jenë të zonjat që të mbrojnë interesat për të arrirë Drejtësinë dhe Ndershmërinë, që Othonoit të mos i përfytyrohet vetja si i Barabartë me Akrokeraunet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura