Intervista e plotë/ Osman Mula: Artistët me akuza personale, si funksiononte spiunimi

Dec 20, 2015 | 9:49
SHPËRNDAJE

Dëgjoj shpesh njerëz që vetëquhen artistë, ndihen këngëtarë/e vetëm se kanë kënduar tallava dhe se janë (zh)veshur seksi në skenë teksa performojnë me playback. Reklamohen si kompozitorë vetëm se kanë vjedhur mjeshtërisht ca nota muzikore, duke i bërë lëmsh me folklorin tradicional. Njerëz që vetëshpallen piktorë pse kanë derdhur ca bojë gjysmën mbi telajo e gjysmën mbi rroba, apo ca të tjerë që u duket vetja humoristë ngaqë imitojnë ndonjë politikan bajat. Këta lloj tipash m’u shfaqën përpara teksa po takoja para pak ditësh Osman Mulën, për një intervistë në gazetën “Panorama”.

I shpërblyer me disa çmime, përfshirë “Mjeshtri i Madh”, i binte që edhe Osman Mula ishte artist, koleg i të vetëshpallurve si të tillë. Çfarë paradoksi për të, por edhe për atë plejadë të shkëlqyer të artistëve të dikurshëm, që i dhanë Shqipërisë një thesar kulturor me të cilin mbajmë gjallë identitetin kombëtar. Regjisor, kompozitor, interpretues, saksofonist, drejtues i 12 festivaleve dhe i dhjetëra koncerteve të Vitit të Ri, autor tekstesh etj., ky është Osman Mula. Dhe pikërisht ky, apo personalitetet e tjera të brezit të tij, nuk meritojnë krahasim me artin e ditëve të sotshme. Sepse, për hir të së vërtetës, nuk kanë krahasim…

Bisedat me Osmanin janë shumë të këndshme dhe spontane, ku pa dashur ai zbuloi edhe një pasion të vonshëm dhe të panjohur për publikun, atë të pikturës, ku ka realizuar me dhjetëra punë. Një rrëfim që e veçova mes të tjerëve për ta publikuar, por gjithashtu nuk mundeshim dot të dy pa u përfshirë në temën më të debatuar sot mes artistëve: atë të spiunimit mes njëri-tjetrit në kohën e diktaturës….

Deri tani ju kemi njohur si regjisor, kompozitor, interpretues, saksofonist, drejtues i 12 festivaleve dhe i dhjetëra mbrëmjeve të Vitit të Ri, autor tekstesh etj. Pse tani ky pasion për pikturën?

Puna si regjisor më çoi gjithnjë pranë kuadrit, ndriçimit, kompozimit, skenografisë, kontrastit etj. Syri im u poq dhe mendja e regjisorit u integrua brenda asaj të piktorit. Kështu bleva bojëra uji, vaji dhe nisa punën me penelin. Tashmë piktura për mua është si një fëmijë që ka dalë me vonesë. Siç mund të kesh një fëmijë 20 vjeç, por edhe një tjetër 2 vjeçe. Por, është një pasion dhe dashuri absolute. Kam pikturuar çdo pasdite, rregullisht.

Prej sa kohësh pikturoni? Për 7-8 vjet rresht, çdo pasdite. Në raste shumë të rralla nuk kam arritur dot. Tashmë kam dhjetëra punime. Nëse dikur bëheshin si dhurata këmishë e pizhama, unë sot njerëzve më të dashur u dhuroj një pikturë. Zakonisht portrete.

Vetëm portrete pikturoni? Jo vetëm portrete. Unë dashuroj peizazhin. Jam njeri që e shijoj tej mase natyrën, malin, detin, pyllin, gjithçka. Edhe në piano kur ulem, meditoj shumë natyrën. E kam frymëzim.
Evis Mula_publikoi Albert Vataj_gazeta_ Koha Jone (4)Po piktura nudo, ke realizuar? Po, kam bërë piktura nudo, por pa praninë e femrës.

Dhe si ia keni arritur pa modelen? Nuk pikturoj në kuptimin komplet nudo, nuk më pëlqen ashtu. P.sh. kam pikturuar një vajzë të ulur në ujë, nudo, që i shihet një pjesë e gjoksit, ka një kapele të bukur te dora dhe sheh si nga kamera. Ose kam pikturuar një vajzë tjetër, që është gdhirë në mëngjes dhe sheh detin në dritare, që e ka pranë shtëpisë. Ka vetëm një pelerinë shumë të hollë që i bie te këmbët. Këto piktura dhe të tjera të formës nudo janë të gjitha krijime të imagjinatës dhe s’kam pasur asnjëherë modele.

Pse nuk shfrytëzoni modelet, por përdorni imagjinatën? Unë e kam vizionin shumë të zhvilluar. Duke parë filma pa fund, edhe fantazia zhvillohet dhe çlirohet në pikturë. Po marr një shembull konkret: te filmi “Kastadiva” më pati mbetur në mendje një skenë ku, Antonella Lualdi (Maddalena Fumaroli) i çon partiturën me karrocë përmes borës sopranos Nadia Gray (Giuditta Pasta), që jetonte me Maurice Ronet (Viçenzo Bellinin). Ky pajtoni në borë, pak i kthyer nga shpejtësia dhe Antonella brenda, më ka mbetur në mendje. Overtura e operës e shoqëron këtë karrocën gjatë filmit dhe këtë imazh të saj e kam hedhur në pikturë, ku ka pyll me borë, pajton, pemë.

Përveç arritjeve të tjera artistike, jeni “legjendar” në organizimet e festës së Vitit të Ri të mbushura me humor, një eveniment shumë i rëndësishëm për kohën, por që është folur shumë pak. Si ishte të bëje humor në diktaturë?

Koncertet e Vitit të Ri në diktaturë kishin vërtet shumë humor. Por kishin edhe frikë. Frika ka të bëjë më një pjesë të materialit humoristik. Populli priste gjithçka nga humori, por nga ana tjetër ishte dhoma e kontrollit. Jo gjithçka me humor mund të dilte në ekran…

Pra kontrolloheshit materialet e humorit para se t’i nxirrnit ju në televizion?

Jo, kishte tjetër procedurë. Humori fillimisht shfaqej nëpër rrethe. Ishin estradat përkatëse të humorit, sipas qyteteve. Koncerti me rastin e Vitit të Ri në fakt niste 5 muaj para transmetimit në ekran. Një ekip i RTSH-së fillonte që në gusht një turne nëpër rrethe, ku bëhej “testimi” i humorit. P.sh. ishim Filip Çakuli, Leka Bunga, Pëllumb Kulla, Shaqir Rexhvelaj, Koço Devole dhe unë si regjisor, që shkonim dhe shihnim premierat, ku na ofroheshin materialet më të mira për Vitin e Ri. Estradat e rretheve e kishin natën e Vitit të Ri si festivalin e humorit, pasi ishte evenimenti më i rëndësishëm. Nuk po i përmend të gjithë humoristët, pasi kam frikë se do të harroj ndonjë dhe nuk do të ishte e drejtë. Veçse di të them që ishin humorist brilantë. Pra radha e punës ishte kështu: Ne si ekip seleksiononim materialet më të mira nëpër rrethe, pastaj u xhironte komplet koncerti i Vitit të Ri, dërgohej për t’u parë nga përfaqësuesit e Drejtorisë së RTSH-së dhe “shokët” e Aparatit të Komitetit Qendror, sepse RTSH varej nga KQ, ishte organ i tij.

Kush ishte i deleguar i asaj kohe nga Komiteti Qendror në RTSH, për këto materiale? Zakonisht ishin ata të zyrës së propagandës dhe shtypit në KQ të PPSH-së, si Miti Tona, rrallë vinte Sofokli Lazri. Kishte gjithashtu instruktorë të PPSH-së të rajoneve.

A ishte e vështirë të kaloje materialet artistike para këtyre të deleguarve? Përgjithësisht kanë kaluar pa probleme, për disa arsye. Siç e përmenda më lart, materiali ndërkohë ishte parë nga përfaqësuesit partiakë në rrethe dhe kur arrinte në RTSH, nuk shfaqte probleme. Dihej se deri ku ecte materiali humoristik, kështu që, kur shkruhej, autori-autorët ishin të vetëdijshëm “për masën” që nuk duhej të kalohej. Përgjithësisht artistët kishin bërë një lloj pakti të heshtur me veten si në humor, në këngë, pikturë, opera, balet etj., deri ku mund të shkohet dhe të pranohet. Gjenin një rrugë të mesme mes asaj që dëshironte publiku dhe asaj që kërkonte Komiteti Qendror i PPSH-së. Ky fenomen ishte kudo, përfshirë dramat. Filmat po e po. Shkurt: Asgjë artistike nuk krijohej kundër pushtetit dhe partisë. Nuk i bihej murit me kokë.

As sot, nuk është se ndokush bën art kundër pushtetit? Aty, aty është (qesh). Dikur ajo dhoma e kontrollit që përmenda mund të ketë pasur plot gjëra të këqija, por ka pasur edhe një gjë shumë të mirë. Kur uleshin për të gjykuar materialin e këngës, humorit etj., kanë qenë 10 burra. Dy apo tre vërtet mund të ishin nga Partia, por ama ata 7 të tjerët ishin profesionistë që gjykonin, ishin vetë artistë, veprat e të cilëve edhe sot mbeten të pavdekshëm. Ajo dhomë ishte dogana. Ndërsa sot arti është pa doganë fare, pa vlerësim profesional. Kjo ka bërë që arti të bjerë në nivele banale. Pa tekste, me rryma të vjedhura, me lakuriqësi pa lidhje. Ç’është kjo keqpërdorje lirie për të vënë dorën poshtë në vendet intime? Pse, për atë paskemi dalë në protesta 25 vjet më parë, kemi shembur diktaturën, për me ia arrit ditës me e mbajt dorën poshtë vetes, në publik?! Për humorin banal, për lakuriqësinë, për këngën vulgare? Gjithçka duhet të ketë një sens, një kufi…

Nuk kemi më artiste që prodhojnë vlera, apo kemi publik që e dëshiron banalitetin? Nuk është se sot nuk ka vokal dhe instrumentistë, ka plot. Por shohin lustrën dhe nuk thellohen. Ka epsh, seks, vithe…. Artisti ka hequr shumë degë nga pema dhe kjo s’ka lidhje me dëshirat e publikut.

Nga piktura, humori, të ndalojmë pak te muzika e dikurshme. Si zgjidhej tematika e këngëve në festival? Dihej që duheshin nja 2-3 këngë për Partinë dhe këto duhet të bëheshin nga kompozitorët më të mirë dhe të këndoheshin nga këngëtarët më të mirë, në mënyrë që të duartrokitej nga salla. Se nuk ishte thjesht që të bëhej një këngë epike, me tekst frymëzues për partinë dhe të kalohej radha. Muzika dhe interpretimi duhet ta mbanin gjallë atë këngë, që të bëhej sa më e dashur për publikun. Pastaj tematika tjetër e këngëve ishte e lirshme, sigurisht me tekste shumë kuptimplotë.

Ndër vite kanë dominuar femrat si fituese të çmimeve të para. Çështje preferencash, kishin këngët më të bukura, ishin më të zonjat, apo çfarë tjetër? Kam përshtypjet se vajzat i kemi pasur më me shumicë dhe me vokale më të mira. Ndërsa ata pak djem që ishin, i dëmtoi Festivali i 11-të. P.sh. Sherif merdani u fut në burg, Françesk Radi u dëmtua se u çua në Fushë-Arrëz, shumë të tjerë u lanë pa këngë disa vite etj. Mbeti Tonin Tërshana që përgjithësisht ishte i preferuar nga kompozitorët, por nuk mund ta mbante veç ai festivalin. Më vonë erdhën Luan Zhegu, Kozma Dushi, Bashkim Alibali etj. Por prapë nuk ngopej festivali, ndaj kur erdhën disa zëra të rinj femërorë, si p.sh. Marina Grabovari apo Myfarete Laze që këndoi “Motrat tona ilegale”, u pritën jashtë mirë. Me shumë dashuri nga publiku u pritën edhe Parashqevi Simaku, Anita Bitri, motrat Libohova, Afërdita Zonja etj., që vinin pas një plejade të këngëtarëve shumë të njohur, siç ishin Anita Take, Rita Vako, Vaçe Zela, Liljana Kondakçi, Ema Qazimi apo tenorëve të fuqishëm që vinin nga opera në festival, si: Ramiz Kovaçi, Luiza Papa, Gaqo Çako, Avni Mula etj.

D.m.th., Festivali i 11-të prishi balancën e meshkujve dhe më pas dominuan femrat? Festivali i 11-të nuk është se prishi thjesht balancën në këngë. Festivali 11-të prishi një balancë në përgjithësi të artit. Kënga u mblodh, humori u struk, drama u rrudh, u kritikua opera, piktura e gjithë arti. Kujtim Spahivogli përfundoi punëtor në komunalen e Fierit, Mihallaq Luarasi përfundoi në burg etj. Pra i gjithë arti përjetoi terror. Sepse nuk u kritikua Festivali menjëherë pas shfaqjes, por kaluan disa muaj dhe nisi reprezalja. Pas 5 muajve startoi gjithçka, ndërsa gjatë kësaj kohe ziente RTSH-ja, ku u vunë edhe fletërrufe.

Për çfarë u vunë fletërrufetë dhe nga kush? U vunë nga disa punonjës të Ministrisë së Brendshme, ku kritikohej arti që po bëhej dhe po shfaqej në publik. “Ku po e çoni artin ju o këlyshë, o imperialistë etj.?”, shkruhej ndër të tjera në fletërrufetë e vendosura nëpër muret dhe hyrjen e RTSH-së. Dhe në mes të këtij paniku, është ajo që artisti bën një pakt me veten: Do punoj, do jetoj, kjo është logjika, duhet t’u përmbahem këtyre kushteve dhe ndërkohë duhet të krijoj. Pavarësisht gjendjes ankthioze, u shkruan rapsodi, opera shqiptare etj., ndërsa sot nuk ka asgjë origjinale. Kishte gjetje, kishte prodhim shqiptar.

Me cilin nga këngëtarët keni bashkëpunuar më shumë? Me Luan Zhegun. Ka kënduar 10 vjet këngët e mia. Më ka pëlqyer shumë vokali i tij. Ishte dhe shumë komode të bashkëpunoje me Luanin, sepse duke qenë kantautor vetë, ishte redaktor fort i mirë dhe ndërkohë kishte korrektesë në tekst. Sepse e thamë që teksti ishte i rëndësishëm, ndryshe nuk të kalohej kënga. Gjithashtu këngët e mia i ka kënduar Tonin Tërshana, Aleksandër Gjoka, Viktor Tahiraj, Sajmir Çili, Vikena Kamenica, Myfarete Laze etj.

I zgjidhnin kompozitorët këngëtarët, apo anasjelltas? Në atë kohë funksiononin estradat në rrethe dhe duke funksionuar, këngëtarët/et ishin vazhdimisht në skenë. Ne shkonim nëpër Shqipëri, i ndiqnim estradat dhe evidentonim talentet. P.sh., një herë në Fier pashë Brunilda Sotën, motra e Lindita Theodhorit që këndonte shumë bukur. Kështu zbulova edhe Morena Rekën në Durrës etj. E kishim për detyrë që të evidentonim talentet.

Më duhet t’ju përfshij në debatin e fundit, sa ka depërtuar Sigurimi i Shtetit tek artistët?

Më vjen mirë që ma bëni këtë pyetje, por kam dëshirë t’ju them diçka. Debati i fundit mendoj se është më tepër si lloj thashethemi që sjell pështjellim, sesa rregullon punë.

Pse, a nuk është mirë që të dihen ca të vërteta, qofshin këto edhe për artistët?

Sepse nuk më takon mua, as atij, as asaj e tjetrit, e tjetrit me radhë, se cili/cila nga artistët mund të kenë qenë pjesë e spiunazhit. Këtë mund ta thotë vetëm dikush që përfaqëson ligjin, përfaqëson institucionin. Gjithçka tjetër e thënë nga unë apo nga dikush tjetër është subjektivizëm, mund të jenë edhe inate personale dhe nuk ecet me të tilla gjykime. Duhet të ketë një institucion që hap dosjet fillimisht për politikën dhe pastaj le të shkohet tek artistët, shkrimtarët, sportistët etj. Madje, edhe në këtë rast mendoj se duhet të ketë leje nga institucioni përkatës dhe secili le të lexojë dosjen e tij. Sepse ka diçka. Një pjesë e artistëve janë shumë të lodhur, iu mbyll dera e artit, mbetën pa punë etj. Ca të tjerë janë të sëmurë dhe kur iu fut edhe këtë idenë, jo më spiunuan e jo i spiunova, me akuza dhe kundërakuza pa baza, atëherë i trondit fort, i shkërmoq, i sëmur edhe më keq. Ua baltos edhe nostalgjinë, u bën keq psikologjikisht. Pak edhe nuk janë në rregull vetë, kështu që më mirë me e mbyllë këtë histori. Pra, pyetja është e thjeshtë: Çfarë rregullohet duke hapur këtë debat?

osman mulasRregullohet e vërteta…

Të rregullohet nëpërmjet institucionit, jo me thashetheme. Ka pastaj diçka që dihet hapur. Në RTSH ka qenë drejtori, ngjitur me të ka qenë Sekretari i Partisë dhe ngjitur tij ka qenë nëndrejtori ushtarak, dhe ngjitur me këtë të fundit ka qenë operativi i Sigurimit. Gjithçka ka qenë e ligjëruar, zyrtare dhe asgjë e fshehur, sepse kanë qenë të punësuar dhe ne të artit i njohim të gjithë. Nuk ishte nevoja për spiunazh mes artistësh, pasi këta ishin të deklaruar që ishin në RTSH për këtë punë dhe uleshin hapur me ne në tavolina, madje veshur me rroba si ushtarakë. Dihej kjo gjë dhe as na bënte përshtypje.

Asnjë fatkeqësi nuk u ka ardhur artistëve nga njëri-tjetri?

Nuk mendoj se artisti ka vuajtur nga njëri apo nga tjetri. Artisti mund ta ketë pësuar nga ndonjë vepër, e cila është kritikuar shumë nga aparati i KQ-së, apo nga gazetat, sidomos nga “Zëri i Popullit”. Nëse të kritikonin këta, atëherë të filloje të këndoje nga mëngjesi në darkë “mora rrugën për Janinë” (qesh). Nga këto formacione ka ardhur e keqja, jo nga njëri-tjetri. Kështu ndodhi me Festivalin e 2-të që u kritikua, me Festivalin e 11-të etj. Çdo artist e ka krijuar me shumë mund repertorin e vet, të gjithë e meritojnë që të respektohen shumë, sot e gjithmonë, dhe jo të përgojohen. Kaq kisha unë.

Intervista e plotë nga Elisabeta Ilnica sot në “Panorama”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura