OSHEE, skemë të re për konsumatorët debitorë. Ulje 50% të kamatëvonesës për këste të reduktuara

Apr 18, 2015 | 21:20
SHPËRNDAJE

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike po zbaton prej pak ditësh një skemë të re lehtësuese për të gjithë ata që janë debitorë pranë kompanisë. Kjo vlen në radhë të parë për të gjithë ata që nuk kanë asnjë marrëveshje. Skema e aplikuar që nga data 14 prill përfshin të gjitha detyrimet dhe debitë e krijuara deri më 31 dhjetor 2014. 

SKEMA E RE

Skema e re është e ndarë për konsumatorët familjarë në katër fasha. I pari është grupi i atyre që kanë debi nga 1-100 mijë lekë. I gjithë ky kontingjent mund të zgjedhë të paguajë këtë detyrim në gjashtë këste. Por, nëse vendos që pagesën ta bëjë në dy muaj, pra dy këste, do të ketë ulje të kamatëvonesës me 50 për qind. Grupi i dytë është i atyre që kanë një debi në fashat 100 001 lekë- 300 000 lekë.

Konsumatorët debitorë të këtij grupi mund të paguajnë detyrimin në 12 këste të barabarta. Nëse zgjedhin ta paguajnë në tre muaj gjithë detyrimin, atëherë kamatëvonesa ulet me 50 për qind. Grupi i tretë është ai i konsumatorëve me një debi mes 300 001-600 000 lekë. Për këtë grup është lënë që debia të paguhet në një afat 24-mujor, i ndarë në 24 këste të barabarta.

Por, nëse dikush kërkon që të përfitojë zbritje 50 për qind të kamatëvonesës, duhet që detyrimin ta paguajë brenda 1/6 së afatit ose në katër muaj. Skema e fundit përfshin grupin e atyre që tejkalojnë detyrimin 600 mijë lekë ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Eklektike. Për këtë grup është lënë mundësia që pagesa të bëhet në 36 muaj me 36 këste të barabarta.

Për të gjithë ata që zgjedhin që pagesën ta bëjnë në 6 këste, do të bëhet edhe zbritja me 50 për qind e kamatëvonesës. Në skemën e re parashikohet, ashtu sikurse në atë të mëparshme të aplikuar dhjetor- mars pagesa e faturës korrente.

 ZBATIMI

Skema e re vjen pas asaj të zbatuar në dhjetor-mars, ku u lidhën disa qindra-mijëra aktmarrëveshje dhe shumica preferuan pagesën e menjëhershme të detyrimit, duke përfituar 80 për qind ulje të kamatëvonesës. OSHEE ka deklaruar se aplikimi i skemës së re është një mundësi më shumë për të gjithë ata që nuk kanë përmbushur detyrimin ndaj kompanisë, e cila tashmë ka nisur fushatën për ndërprerjen e energjisë nga debitorët.

Nëse fushata e parë ishte e orientuar për të nxitur debitorët potencialë me mundësi pagese drejt lidhjes së aktmarrëveshjes, fushata e re synon futjen në sistem të të gjithë konsumatorëve.

NGA NERTILA MAHO 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura