OSHEE: Në prill vendosen sahatët inteligjentë

Mar 28, 2015 | 21:04
SHPËRNDAJE

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike do të investojë 55 milionë dollarë gjatë këtij viti në rrjet dhe në projekte inovatore. Gjatë një konference për shtyp, administratori i OSHEE, Adrian Çela, u shpreh se investimi do të bëhet në ato projekte, ku edhe kthimi është i garantuar, dhe efekti që jepet është i ndjeshëm.

Administratori i OSHEE, Adrian Çela

“Më konkretisht do të investojmë në këto sektorë: 991 milionë lekë në ndërtim nënstacionesh, 2.37 miliardë lekë në ndërtim rrjeti dhe kabina transformimi, 711 milionë lekë në sistemin e matjes.

“Me këto investime, ne parashikojmë t’i ulim humbjet me 4.1%, që do të thotë një vlerë e kursyer me të paktën 20 milionë dollarë”, sqaroi Çela.

Ai u shpreh se fokusimi tek investimet vjen në një kohë kur edhe arkëtimet kanë pësuar rritje të dukshme si nga faturat e muajve korrent ashtu edhe efekti financiar i aktmarrëveshjeve. Ky përmir- ësim financiar jep garanci edhe për investimet.

“Nga muaji janar e deri më tani (data 25 mars), kemi mbledhur 170 milionë dollarë dhe besojmë se me ecurinë e deritanishme, do të realizojmë objektivin e vendosur: deri në fund të vitit të mbledhim 54.8 miliardë lekë (gati gjysmë miliard dollarë)” deklaroi kreu i OSHEE.

PROJEKTET INOVATORE

Matësit inteligjentë janë një ndër projektet inovatore që OSHEE do të zbatojë që nga prilli i këtij viti. Ashtu siç është deklaruar, kostoja për 10 mijë matësit do të jetë zero, pasi kjo është marrë përsipër nga “Deutsche Telekom”, që do të jetë edhe zbatuesi.

Një tjetër projekt është ai i stacionit që siguron në kohë reale të ngarkesës, balancimit si dhe humbjeve në rrjet. Lidhur me shërbimin ndaj klientit, Çela tha se po punohet çdo ditë për të lehtë- suar procedurat si pjesën e pagesës ashtu edhe burokraci të tjera për ankimimet që mund të bëhen.

“Është arkiva dixhitale, ku përmes së cilës mund të ndiqet në kohë reale statusi i ankesës apo kërkesës së klientit në kohë reale. Po kështu kanë nisur implementimin, si pagesa e faturës së energjisë elektrike me kartë bankare kudo që ndodheni, pagesa përmes telefonit celular, sikurse kemi lidhur kontratë bashkëpunimi me pikat e transfertave”, tha Çela

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura