OSHEE ndryshon kontratat me 100 mijë konsumatorë

Sep 30, 2015 | 12:05
SHPËRNDAJE

Janë 100 mijë konsumatorë me kontrata provizore në sistemin e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike që duhet të korrigjojnë të dhënat e tyre sa më shpejt. OSHEE ka nisur tashmë punën për këtë pjesë, duke vënë në dispozicion të konsumatorëve familjarë, por edhe bizneseve, formularët që duhet të plotësohen si dhe hapat që duhet të ndiqen.

Albana Ferraj, drejtoresha e Divizionit Tregtar pranë OSHEE
Albana Ferraj, drejtoresha e Divizionit Tregtar pranë OSHEE

Drejtoresha e Divizionit Tregtar pranë OSHEE, Albana Ferraj, sqaron për gazetën se një nismë e tillë vjen në kuadër të projektit me Bankën Botërore për përditësimin e të dhenavë të konsumatorëve dhe implementimin e një sistemi të ti informacioni.

KONTRATAT
“Nga një analizë që u është bërë të dhënave nga ana e OSHEE-së rezulton se janë 100 mijë kontrata nën emërtimin provizore. Kjo është një shifër relativisht e lartë që ka ardhur si efekt i kontratave që kanë filluar si të tilla, për një arsye apo për një tjetër, dhe kështu kanë mbetur në sistem. Ajo që OSHEE kërkon të bëjë tashmë është kalimi i këtyre kontratave në definitive (përfundimtare) dhe për këtë konsumatorët nuk do të kenë asnjë kosto shtesë.

Në kushte normale, kostoja për këtë do të ishte 14 mijë lekë për familjarët dhe 25 mijë lekë për bizneset, njëlloj siç është pagesa për lidhjen e kontratës. E theksoj që i gjithë procesi i përditësimit do të bëhet pa pagesë. Nga totali i 100 mijë kontratave, janë 87 mijë familjarë dhe 13 mijë jofamiljarë” shprehet Ferraj.

Ajo sqaron se faza e parë e procesit të përditësimit të të dhënave, kontratave provizore, duhet të përfundojë brenda fundvitit 2015, ndërsa u bëhet thirrje dhe konsumatorëve të tjerë të përfshirë në kategorinë jofamiljarë që të realizojnë përditësimin e të dhënave të tyre.

Në përfundim të fazës së përditësimit të të dhenavë të kontratave provizore, konsumatorët që nuk kanë realizuar këtë proces do të ngarkohen me kostot përkatëse të aplikueshme nga shoqëria për lidhjen e kontratave.

SI KONSTATOHET
Në sistemin e OSHEE-së janë me qindra-mijëra kontrata, por si do të konstatohen ato që janë provizore? Për këtë Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka hedhur online testin ku çdo konsumator mund të bëjë verifikimin. Përmes futjes së kodit të kontratës 16-shifror, i cili mund të gjendet te fatura e furnzimit, çdo konsumator merr përgjigjen nëse është lidhje e rregullt apo provizore.

formulari

Ata që konstatojnë se lidhja është provizore, duhet që të plotësojnë formuarin. Për biznesin formulari është online dhe mund të aksesohet dhe dërgohet menjëherë, kurse për qytetarët formulari duhet të dorëzohet në pikat e Kujdesit ndaj Klientit.

Për çdo paqartësi apo problematikë lidhur me këtë aspekt, OSHEE do të vërë në dispozicion teknikët e vet për të dhënë çdo informacion apo ndihmë. Bashkë me formularët dhe deklaratën, konsumatorët duhet të dorëzojnë edhe një sërë dokumentesh shtesë.

EFEKTET
Krijimi i sistemit të informacionit është pjesë e njërit prej komponentëve të projektit me Bankën Botërore. Ky sistem në thelb do të ketë identifikimin e klientëve, ku do të kihet parasysh identiteti i tyre, adresa e saktë, mënyra si janë të lidhur në rrjet në kuptimin në çfarë nivel tensioni, si dhe të dhënat për matësit.

“Në një afat të shkurtër, kjo do të shërbejë për krijimin e një baze të saktë të dhënash që do të japë informacion paraprak për konsumatorët dhe do të orientojë edhe Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë drejt politikave për të rritur eficencën dhe cilësinë e shërbimit të ofruar. Po kështu do të japë një shifër të saktë mbi konsumin, duke bërë që marzhet e gabimit në parashikime të jenë më të ulëta.

Në afatgjatë, të dhënat që do të mblidhen nga sistemi i informacionit mund të përdoren për analiza më të detajuara, që do t’i shërbejnë OSHEEsë, por edhe reformave që ndërmerren në tërësi për sektorin energjetik apo investimet që kryhen”, shprehet Ferraj.

NERTILA MAHO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura