OSHEE lë 10 ditë pa drita Vlorën, Orikumin e Radhimën. Bizneset: Po ikin turistët

Jun 24, 2016 | 14:44
SHPËRNDAJE

Kur sezoni turistik ka nisur, Vlora dhe e gjithë zona e bregdetit deri në Orikum nuk do të ketë drita për një afat 10-ditor.

Zona e Ujit të Ftohtë në Vlorë

Kufizimi i energjisë do të jetë deri në ditët e fundit të qershorit. Shkak është bërë ndërhyrja në linjën e tensionit të lartë 35 kw, punime të cilat po kryhen nga një firmë private e nënkontraktuar nga OSHEE-ja. Informacioni është bërë i ditur dje nga OSHEEja në Vlorë, ndërsa bëhet e ditur se orari i ndërprerjes së energjisë do të jetë i zgjatur.

Efektet e para kanë nisur të ndihen sidomos në zonën e Orikumit dhe të Radhimës, aty ku prej dy ditësh nuk ka drita. Sipas burimeve të OSHEE-së, qëllimi i punimeve ka të bëjë me përmirë- simin dhe shmangien e problemeve të furnizimit me drita gjatë pikut të sezonit turistik, kryesisht në muajt korrik-gusht.

Kjo duke pasur parasysh faktin se gjatë viteve të shkuara, zonat bregdetare kanë hasur jo pak probleme me ndërprerje të energjisë. Gjatë 10 ditëve të ardhshme, deri në fund të muajit qershor, probleme dhe mungesa në furnizim do të kenë edhe në lagje të ndryshme të qytetit të Vlorës, por edhe në zonën e Ujit të Ftohtë.

Situata do të vijojnë e njëjtë edhe për Radhimën dhe Orikumin që preken nga punimet në rrjetin 35 kw në linjën e tensionit të lartë. Ndërkohë nga OSHEE-ja konfirmohet se “prej datës 21 deri në 30 qershor, mungesa e energjisë elektrike do të kryhet prej orës 08:00 deri në orën 18:00, ndërsa do të preken zona e Ujit të Ftohtë, Radhimë dhe Orikum me një numër abonentësh rreth 6171.

Po gjatë kësaj periudhe dhe po në këto data, në të njëjtin orar do të ketë stakime dhe në nënstacionin e qytetit, ku do të preken dhe mbeten pa energji disa lagje të qytetit të Vlorës, por edhe fshati Kaninë”.

Mungesa e energjisë në këto zona, sidomos në ato të plazheve, do të shkaktojë probleme te pushuesit dhe turistët, të cilët do të kërkojnë të shkojnë në zona më të sigurta me energji elektrike, duke braktisur zonat e lartpërmendura për mungesë disaditore të dritave. Kjo situatë ka irrituar edhe pronarët e subjekteve, hoteleri, restorante, supermarkete etj.

“Nëse OSHEE-ja do të kryente këto punime, t’i niste në muajin mars apo prill dhe jo tani që vijnë pushuesit. Ne na dëmton shumë kjo. Një turist nuk ka pse rri në Vlorën pa drita, ikën pak më tej dhe shijon Dhërmiun apo Sarandën”, u shpreh pronari i një hoteli në zonën e Radhimës. Edhe pronari i një supermarketi u shpreh se mungesa e dritave në orare kaq të zgjatura i shkakton atij miliona lekë dëme, pasi asortimentet në këtë vapë prishen.

VLORE/ QEMAL BIRAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura