OSHEE: Arkëtimet u rritën, humbjet kanë rënë

Oct 22, 2017 | 12:16
SHPËRNDAJE

OSHEE-ja i mbyll me performancë pozitive arkëtimet dhe humbjet në rrjet për 9-mujorin e këtij viti.

oshe

Drejtori i Divizionit Tregtar, Elton Sevrani, deklaroi dje se niveli i humbjeve në rrjet të energjisë deri në shtator është 19,8 për qind. Drejtori i Divizionit tregtar pohoi se kjo është shifra më e ulët që është regjistruar me humbjet.

“Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka mbyllur 9-mujorin me bilanc pozitiv, sa u takon arkëtimeve dhe humbjeve. Këto të fundit kanë zbritur në rekord historik, pasi në muajin shtator 2017 regjistruan nivelin e 19.8 për qind. Theksojmë se para nisjes se reformës, humbjet në rrjet shënonin afro 50 për qind”, u shpreh Sevrani. Drejtori i Divizionit Tregtar shpjegoi edhe arsyet e reduktimit të humbjeve.

“Kontrollet e vazhdueshme në terren, skemat lehtësuese ndaj debitorëve, zbatimi i ligjit pa asnjë dallim ndaj abuzuesve të energjisë po japin rezultat në ndërgjegjësimin e abonentëve për të respektuar detyrimin e shlyerjes së faturave, pa harruar ndikimin e investimeve në rrjet, këta dy vjet. Si 9-mujor, humbjet zbriten në 26.8 për qind, nga 27.6 për qind në 2016-n, për të njëjtën periudhë “, deklaroi Sevrani.

Drejtori i Divizionit Tregtar u shpreh se për 9-mujorin kanë shënuar rritje edhe arkëtimet, për shkak të shtimit të pagesave nga abonentët. “Arkëtimet në total për janarshtator 2017 vijojnë të ruajnë trendin pozitiv, duke arritur në 48.2, nga 45.7 miliardë lekë të vitit 2016, për të mos harruar, që para reformës, ky nivel ishte 34.3 miliardë. Siç u theksua më lart, ky rezultat vjen si pasojë edhe i pagesave të faturave brenda afatit, në nivel 99, nga 95.5% në raport me 9-mujorin 2016. Ulja e humbjeve dhe rritja e arkëtimeve kanë sjellë reduktim të borxhit, i cili zbriti në 49.3 në fund të shtatorit 2017, nga 67.8 miliardë lekë në fund të vitit 2014”, tha Sevrani.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura