OSBE: Mbyllni shpejt reformën zgjedhore

Jun 18, 2012 | 11:34
SHPËRNDAJE
Ambasadori i OSBE-së, Eugen Volfarth

TIRANË- Ambasadori i OSBE-së, Eugen Volfart i ka bërë apel partive politike që të mbyllin sa më shpejt e me cilësi reformën zgjedhore, duke u përqendruar në dy cështjet kyce, kompozimin e KQZ dhe mënyrën se si do trajtohen ankesat pas zgjedhjeve.

Sipas ambasadorit, pas zgjedhjes së presidentit, politikanët e kanë mendjen e lirë dhe duhet të angazhohen seriozisht në përmbushjen e reformave, atë zgjedhore, parlamentare, reformën në gjyqësor dhe cështjen e imunitetit të zyrtarëve.

“Përfundimi i reformës është për mua detyrë prioritare për Shqipërinë. Deri tani është bërë një punë e mirë, e rëndësishme, e zgjeruar dhe intelektuale nga dy bashkëkryetarët dhe spektri politik. Një punë në bashkëpunim dhe dialog me OSBE/ ODIHR që kanë kontribuar në amendamentet e Kodit. Është e rëndësishme për besueshmërinë e sistemit zgjedhor që të ndërmerren hapat e fundit për të përfunduar këtë reformë. Dy cështje që duhet të trajtohen është kompozimi i KQZ dhe mënyra si do trajtohen ankesat pas përfundimit të zgjedhjeve. Shumë e rëndësishme që të merren dhe hapat e fundit për mbylljen me sukses të kodit dhe kësaj reforme”- tha ai.

Ambasadori nuk ka folur për një datë të fundit, por ka theksuar se “vetë liderët e partive e kuptojnë se sa vendimtare janë javët e fundit dhe i ftoj të punojnë për përmbushje të suksesshme të reformës”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura