OSBE për dosjet, mbështesim ligjin “Veliaj”: Drafti Doda antikushtetues

Mar 4, 2015 | 17:20
SHPËRNDAJE

Foto ilustruese, OSBE

Organizata e OSBE-së në Shqipëri bëhet pjesë e nismave për hapjen e dosjeve të ish-sigurimit të Shtetit.
Prezenca e Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Europian (OSBE) në Tiranë, ka depozituar në Kuvend komentet e veta lidhur me dy projektligjet e propozuara për hapjen e dosjeve, duke mbështetur variantin e ligjit “Veliaj” të propozuar nga qeveria.
Sipas OSBE-së, projektligji i qeverisë është në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe se “besojmë se kjo është një nga mënyrat për të trajtuar trashëgiminë e regjimit të mëparshëm totalitar”.
“Projektligji ‘Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë’, propozuar nga Këshilli i Ministrave, nuk gre shqetësime sa i përket përputhshmërisë së tij me dispozitat kushtetuese”, shkruhet në dokumentin e OSBE-së drejtuar Kuvendit.

Nga ana tjetër, OSBE thotë se projektligji i depozituar nga deputetët Mesila Doda dhe Shpëtim Idrizi nuk përmbush standardet ndërkombëtare dhe kombëtare për çështjen e lustracionit. “Pas një shikimi të kujdesshëm të projektligjit, duket se paragrafët kyç lidhur me procedurën e lustracionit, projektligji ofron të njëjtat mjete dhe procedura si ligji nr. 10034, i datës 15/01/2009 ‘Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve’. Ky ligj, sidoqoftë, u shpall si antikushtetues dhe u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese me vendimin e shtatorit 2010”, thuhet në komentet e OSBE.

Gjithashti, sipas OSBE, dispozitat e projektligjit Doda-Idrizi “nuk përcaktojnë një afat kohor lidhur me kohëzgjatjen e masës së lustracionit. Kjo nuk është në përputhje me Udhëzimet e KiE-së…” si dhe “ai nuk parashikon një mekanizëm të përshtatshëm, që vërteton fajin në baza individuale, ashtu siç rekomandohet nga Rezoluta e KiE-së… Dispozitat e projektligjit lidhur me pozicionet e zgjedhura nuk janë në përputhje me Udhëzimet e KiE-së”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura