Oruelli dhe e tashmja

Nov 1, 2018 | 12:01
SHPËRNDAJE

AGIM BAÇI/baci agim Kur shoqëria nis të mos kundërshtojë më asgjë, madje edhe kur ndaj tyre bëhen padrejtësi të hapura nga të zgjedhurit prej tyre atëherë shumica futet në tunelin e pesimizmit, çka i bën të besojnë se sistemi ku jetojnë është i mirë dhe se nuk ka alternativë tjetër”, shprehej Xhorxh Oruell për librin e tij aq të debatuar, si në kohën e botimit e në ditët e sotme, “Ferma e kafshëve”. Ai nuk e fshehu faktin se përmes atij romani synonte të shpjegonte degradimin e pushtetit të Leninit dhe Stalinit dhe të theksonte se revolucionet mund të sjellin një të mirë vetëm nëse qytetarët bëhen të vetëdijshëm të kërkojnë të vërtetën dhe të mos lejojnë gënjeshtrën të marrë pushtetin. Është i njohur fakti se gjatë Luftës së Ftohtë, librat e Oruellit u kthyen në etalon shpjegues për sistemet, që kishin devijuar nga revolucioni i fillimit, nga lëvizjet popullore e që ishin shndërruar në diktaturën e pakicës mbi shumicën, edhe pse thuajse gjithçka kryhej “në emër të popullit”. Në këtë kuptim, “Ferma e kafshëve” dhe romani tjetër i Oruellit, “1984”, u kthyen në një guidë për këdo që kërkonte të njihte mekanizmin denatyrues dhe dehumanizues të shoqërive nën diktaturë.

Por, në fakt, a mund ta lexojmë edhe sot me endje romanin “Ferma e kafshëve”? Çfarë e bën këtë libër kaq të debatueshëm edhe sot?

Në libër, veç shpjegimit të shmangies nga qëllimi fillestar të klasave që u instaluan pas revolucioneve, vihet theksi në raportin mes dy vullneteve – vullnetit për pushtet dhe vullnetit për nënshtrim. Natyrshëm shqetësues nuk është vullneti për pushtet. Ajo që mbetet me një rëndësi të jashtëzakonshme është raporti me nënshtrimin. Dhe nënshtrimi nuk është një fenomen veç i diktaturave. Madje, në shoqëritë e sotme të spektaklit, ku komunikimi u ka dhënë të gjithëve mundësinë të debatojnë, manipulimi është kthyer në diktaturën e re – një diktaturë e vështirë për t’u kuptuar, pasi manipulimi zëvendëson mjeshtërit realitetin, duke i dhënë qytetarëve idenë se ata janë pjesëmarrës në vendime të qeverisjes.

Historiani dhe filozofi izraelit i diplomuar në Oxford, Noah Harari, shprehet se qytetarët kanë frikë në jetën e tyre nga mungesa e qëllimeve ndaj dhe shpesh kanë dëshirë të gënjehen. Nga ana tjetër, mungesa e qëllimeve i bën shumicën e qytetarëve banorë të “tregut të vëmendjes”, siç është bota e komunikimit online, duke i futur shoqëritë në kurthin e mendimit se ata arrijnë t’i thonë gjërat, madje edhe të besojnë se edhe mendimi i tyre është i rëndësishëm për ata që drejtojnë. Ndaj dhe sondazhet kthehen në një instrument të rëndësishëm për të gjetur rrugët që garantojnë shumicën e qytetarëve që protestat dhe mendimet e tyre t’i thonë pas ekranit të kompjuterëve dhe të besojnë se me kaq kanë bërë detyrën e tyre. Profesori i komunikimit Matthew Hindman, i George Washington University School of Media and Public Affairs, në librin e tij “Kurthi i internetit”, ka shpjeguar pikërisht frikën nga një orientim publik prej politikës larg interesave të vërteta të publikut. Ndërkohë, historiani britanik Mark Mazouer e konsideron këtë komunikim si një inkurajim të gjetjes së rrugëve të kënaqësisë, duke e konsideruar demokracinë një përpëlitje mes zhgënjimit dhe durimit. Për Mazouer, “populizmi është gjendja natyrore e politikës demokratike”. Pra, thënë më hapur, format e sotme të komunikimit krijojnë një mirazh lidhur me fuqinë që kanë qytetarët përballë qeverive, ndërkohë që në të vërtetë thjesht kanë lundruar në tregun virtual që iu është sugjeruar për debat, pa prekur aspak thelbin e problemeve, e aq më pak të jenë në gjendje vendosin rregulla të qarta në dobi të fuqisë së qytetarëve në demokraci.

Pikërisht ky vullnet për nënshtrim, që ka prodhuar komunikimi masiv, i kthen romanet e Oruellit në një guidë të rëndësishme për njohje, pasi vullneti i pushtetit është një proces gjithnjë e më pak i kontrollueshëm. Për Oruellin, në librin “Ferma e kafshëve” e keqja nis pikërisht kur kafshët hezitojnë të kërkojnë llogari se përse ndryshuan rregullat e revolucionit, ndërkohë që Napoleoni (derri që qeveris fermën) nis të ndryshojë jo vetëm rregullat, por edhe himnin që i frymëzoi ata – pra, thelbin kulturor të shoqërisë. Ky rrugëtim i heshtjes përballë të vërtetave është edhe rruga e humbjes së identitetit, duke i hapur rrugë qeverive që më pas shpenzojnë në favor të kënaqësive si mirazh e jo si realitet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura