Orkestra Kineze e Flautit të Bambusë në “Prestige Resort”, Klosi: Model për turizmin

Aug 22, 2018 | 10:00
SHPËRNDAJE

Qindra të ftuar kanë mbushur dje ambientet e “Prestige Resort” në Golem, ku performoi për herë të parë në Shqipëri Orkestra Kineze e Flautit të Bambusë, e përbërë nga muzikantët më të njohur të Kinës.

Bashkim Fino, ambasadorja kineze, ministri Klosi dhe Presidenti i HB Group, Irfan Hysenbelliu, me bashkëshorten, dje pas koncertit
Bashkim Fino, ambasadorja kineze, ministri Klosi dhe
Presidenti i HB Group, Irfan Hysenbelliu, me bashkëshorten, dje pas koncertit

Orkestra ndodhet në Shqipëri si pjesë e turit në Europën Lindore dhe atë Qendrore dhe interpretoi muzikën instrumentale të bazuar në kulturën kineze të përshtatur me mjeshtëri e stil modern. Të shumtë ishin të ftuarit VIP e Presidentit të “Hysenbelliu Group”, Irfan Hysenbelliu, në “Prestige Resort” për të ndjekur këtë koncert. Në aktivitet morën pjesë: ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi; ambasadorja e Kinës në Shqipëri, Jiang Yu; kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako; deputeti i PS-së, Bashkim Fino; kryetari i Bashkisë së Kavajës, Isa Sakja; presidenti i BiznesAlbania, Luan Bregasi etj.

Ministri Klosi, dje në “Prestige Resort”
Ministri Klosi, dje në “Prestige Resort”

Në fjalën e tij, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, e vlerësoi punën e “Prestige Resort” për krijimin e një ambienti mikpritës dhe shumë festiv. “Prestige Resort e ka bërë punën siç duhet për të pritur trupën e orkestrës kineze. Ka krijuar një vend shumë mikpritës, shumë festiv e të bukur. Është e disata herë që vij në këtë mjedis për të ndarë me turistët e këtij resorti shfaqje të ndryshme. Këtu kemi një aktivitet që vjen në kuadër të politikave që ne duhet të ndjekim në rajonin tonë, për ta paraqitur rajonin si një i tërë. Ashtu siç grupi artistik ka udhëtuar në 5 shtete për të krijuar një tur ballkanik, edhe ne shumë shpejt do të duhet të paraqesim oferta turistike të përbashkëta sidomos për tregun aziatik. Kemi punuar bashkë me ambasadoren për të hequr vizat për banorët e Kinës dhe ia kemi arritur. Ne kemi një numër të shtuar turistësh kinezë në vendin tonë. Do të punojmë që edhe vitin tjetër ta zgjerojmë sa më shumë hapësirën për të pasur mundësinë që Shqipëria të jetë shumë më e prekshme nga turizmi i largët, nga turizmi aziatik dhe veçanërisht nga turizmi kinez”, tha Klosi.

Gjatë koncertit të orkestrës kineze, në “Prestige Resort”
Gjatë koncertit të orkestrës kineze, në “Prestige Resort”

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit ka falënderuar dhe Presidentin e “Hysenbelliu Group”, Irfan Hysenbelliun, për organizimin e këtij aktiviteti të rëndësishëm kulturor.

“Jemi këtu të gjithë së bashku që të krijojmë një Shqipëri Europiane dhe turistike dhe kaq shumë pasaporta që janë në këtë resort dhe që kanë qenë gjatë gjithë sezonit turistik, turistë nga të gjithë vendet e botës, dëshmon që me modele të tilla si “Prestige Resort” ne mundet të çajmë përpara. Edhe një herë, shumë faleminderit Presidentit të “Hysenbelliu Group” që na ka organizuar këtë mbrëmje”, është shprehur Klosi.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura