Orkestra femërore e Bukureshtit, një tur koncertesh në Shqipëri

Jul 21, 2017 | 16:00
SHPËRNDAJE

Pasi shijuan entuziazmin e metropolit, ato ndezën drita e qytetit të një mbi një dritareve. Më tutje, i pret Korça e serenatave. Ajo është një nga orkestrat më interesante në botë. Përbëhet vetëm nga muzikante femra dhe është e kërkuar në të gjithë botën. Mbrëmjen e së mërkurës ato ishin të ftuara në Tiranë për të dhënë një koncert në qendër të kryeqytetit, në shkallët e Muzeut Historik Kombëtar.

Bëhet fjalë për “Bucharest Ladies Orchestra”, e cila shoqëroi interpretimin e sopranos Arlinda Morava, e cila prej vitesh tashmë e zhvillon karrierën e saj në Rumani. Një tjetër i ftuar i kësaj mbrëmjeje ishte edhe tenori rumun, fitues i një seri çmimesh ndërkombëtare, Alfredo Pascu. Të ftuar të tjerë të mbrëmjes ishin dhe pianistja Klejda Tare e violinisti Lorenc Radovani. “Bucharest Ladies Orchestra”, e përbërë nga 30 instrumentiste nga Bukureshti, u dirigjua nga Ozana Barabancea.972187_1597698166959617_7750277128574609515_n

I gjithë koncerti ishte konceptuar si një mbrëmje show, nën moderimin e Aurora Ymerit, ku veç operetave, nuk mungoi as muzikali, tangoja, valset e preferuara të artistëve të mëdhenj, por dhe disa ritme xhazi. Koncerti u organizua me mbështetjen e Institutit Kulturor të Rumanisë, Bashkisë së Tiranës, Muzeut Historik Kombëtar, RadioTelevizionit Shqiptar, Ambasadës së Rumanisë në Shqipëri etj.

Rrugëtimi i orkestrës femërore vijoi dje drejt Beratit, ku i priste një tjetër koncert në kuadrin e një festivali, i cili vit pas viti po kthehet në një traditë, Festivali MultiKulturor Berat.20155975_1597698076959626_7054461412350180020_n

BERATI MULTIKULTUROR

Festivali MultiKulturor Berat nisi mbrëmë, duke numëruar edicionin e tij të katërt. Artet pamore, sesionet e trashëgimisë kulturore dhe skena e ngritur në pedonalen e qytetit do t’i rikthejnë gjallërinë Beratit, qytetit nën mbrojtjen e UNESCO-s. Festivali do të zgjasë tri ditë, duke sjellë një program të ngjeshur aktivitetesh sportive, koncerte me muzikë të stileve të ndryshme, ekspozita të artit pamor, ku ndërthuret trashëgimia kulturore dhe bashkëkohorja.

Nuk do të mungojë as panairi i librit dhe produkteve të artizanatit. Krahas interpretimit të Orkestrës së Bukureshtit, u mirëprit nga publik, në natën e parë të festivalit, performancë me muzikë mistike Sufi nga Enris Qinami në Teqenë e Helvetive. Ndërsa priten të tjera performanca të këndshme nga “Offchestra”, Grupi Polifonik i Beratit, Grupi Polifonik i Gjirokastrës, Kuarteti i Klarinetave apo i DJ Dea Buza.

Festivali është konceptuar në mënyrë të tillë që të përfshijë zona të ndryshme të qytetit, e më tej, nga Pedonalja, te Muzeu “Onufri” e deri në Gorricë. Festivali, sipas organizatorëve, merr rëndë- si, sepse zhvillohet dhe në një kohë kur këtë qytet e vizitojnë turistë të huaj. Turizmi kulturor ka një rëndësi madhore në zhvillimin ekonomik të Beratit. Ndërkohë që numri i turistëve vjen në rritje nga viti në vit, edhe numri i hoteleve dhe kapaciteti i tyre vjen po ashtu në rritje. Tradita artizanale, artistike e kulturore si trashëgimtare e denjë e një numri të stërmadh monumentesh, që tipizohen nga larmishmëria.

Prani objektesh të cilat u përkasin kulturave shumë të ndryshme që kanë ndikuar në historinë e qytetit, nga lashtësia, te Mesjeta Bizantine. “Berati ruan gjurmët e kulturave dhe religjioneve të ndryshme, objektet e të cilave gjenden fare pranë njëra-tjetrës, nga islami, helvetizmi te kristianizmi apo te legjenda se aty është varrosur një profet hebre. Të gjitha këto ia vendosën emrin multikulturor festivalit tonë. Berati i larmishëm, për një audiencë po aq të larmishme sa edhe synon turistë nga të gjitha anët e botës.

Pas rezultatesh dhe arritjesh në tri edicionet e kaluara, Festivali Multikulturor i Beratit vazhdon rrugëtimin e tij në edicionin e katërt”, thonë organizatorët. Festivali organizohet nga organizata “Njerëz dhe Ide”, “Artplus”, Bashkia Berat, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura