“Origjinat e Pushtetit, Pronës, Pasurisë, në Shqipërinë pas-totalitare”, Artan Fuga nxjerr librin e ri, ja mesazhi që përcjell

Jun 5, 2020 | 9:42
SHPËRNDAJE

“Origjinat e Pushtetit, Pronës, Pasurisë, në Shqipërinë pas-totalitare” është libri më i ri i akademikut Artan FUGA.

artanfugaa1 (1)

Libri vjen nga Shtëpia Botuese PAPIRUS, e me të dy vëllimet gjendet në librari, me një çmim promocional prej 1.500 lekësh për të gjitha kopjet e printuara në tirazhin e parë.

Autori vjen me një punë studimore prej më shumë se dy dekadash lidhur me këtë temë. Ai na rrëfen në një këndvështrim shkencor atë që ka ndodhur në Shqipëri që pas rënies së shoqërisë totalitare në vitin 1990 e deri më sot.

Botimi përbëhet nga dy vëllime të veçuar, të vendosur në një pako të përbashkët, i pari është “Shoqëria Periferike”, i dyti është “Shoqëria Piramidale” që sipas autorit përfaqësojnë dy epokat e historisë së këtyre tri dekadave ku e para ka përgatitur të dytën.

Botimi u drejtohet një lexuesi të gjerë, studentëve në shkencat sociale dhe humane, të rinjve që duan të njohin rrugët e thepisura, shpesh herë honet nga po kalon shoqëria shqiptare deri sa kemi mbërritur këtu, gazetarëve për të njohur rrënjët në të sotmen e të shkuarën të aktualitetit, elektoratit të gjerë për një kuptim sa më të qartë të politikave të ndjekura, brezave që ishin veprues në këtë kohë prej tri dekadash dhe që duan të shohin gjurmët që kanë lënë në histori, të gjithë atyre që dëshirojnë të kenë një pamje tërësore të politikës, ekonomisë, drejtësisë, shtetit, institucioneve shqiptare nga fundi i shekullit të kaluar deri në ditët tona !

“Si qytetarë kemi nevojë për një konceptim sa më konvergjent për shoqërinë ku jetojmë! Përndryshe, kurrë nuk do të merremi dot vesh me njëri-tjetrin!”, është mesazhi i librit të akademikut Fuga.

1a1b9fc5-8bc5-4abc-b8da-02a19d73b2f2

Ndryshimet shoqërore të analizuara këtu e kanë transformuar vendin në dekadat e fundit. Ato përbëjnë realitetin  socio-politik dhe  ekonomik  në  të  cilin jeton shqiptari sot.

Mirëpo, brezat e ardhshëm do të jenë larg të përjetuarit  të këtyre rrethanave tësotme  si aktorë dhe spektatorë të kohës sonë. Shpresohet natyrshëm  që ata tëduan të dinë se nga çfarë horizonti është  nisur shoqëria ku do të jetojnë në atë mot.

Nëse do të jenë duke jetuar në një shoqëri më të zhvilluar, do të duan të dinë: çfarë kanë përballuar, çfarë gabimesh  kanë bërë, çfarë kanë ndërmarrë  prindërit ose gjyshërit e tyre, që i hapën udhë një Shqipërie tjetër.

Përkundrazi, nëse  do të jetojnë  në një shoqëri  në krizë dhe  në rrënim, sikurse nuk e urojmë, atëherë do të shohin këtu dëshminë e gabimeve që paraardhësit e tyre kanë bërë dhe do të duan, jo vetëm t’i korrigjojnë, por, mbi të gjitha, të mos i përsërisin ato Ky është detyrimi që kam ndjerë për ta! Vetëm ata do ta dinë nëse e kam plotësuar ose jo!”, thuhet në fund të librit të Artan Fugës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura